http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E enjte, 10 janar 2008 - 07:38 CET

Berisha optimist për energjinë

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, deklaroi në mbledhjen e qeverisë se Shqipëria në këtë fillim viti la mbrapa një herë e mirë të ashtuquajturën krizën energjetike.

Zoti Berisha tha se situata hidrike në vend është më e mira e 20 viteve të fundit dhe se Korporata Elektroenergjetike (KESH) nuk do të përdorë më kufizime gjatë gjithë vitit.

Kjo nuk është hera e parë që zoti Berisha dhe zyrtarë të lartë të qeverisë bëjnë deklarata të tilla optimiste, por vendi ende vazhdon të vuajë nga ndërprerje të vazhdueshme të energjisë.

Muajt e fundit të vitit të shkuar vendi u përball me një nga krizat më të rënda energjetike me ndërprerja të gjata.

Kryeministri Berisha tha se qeveria miratoi fillimin e punimeve të linjës së dytë të interkonjeksionit në vend, Vlorë-Brindizi, çka do të rrisë dukshëm, sipas tij, kapacitetin importues të vendit.

Deklarimet e kryeministrit shqiptar u konfirmuan më vonë gjatë ditës së mërkurë nga kreu i Korporatës Elektroenergjetike, Gjergj Bojaxhi, i cili tha se gjatë këtij viti KESH-i do të ulë në maksimum vjedhjet e energjisë duke përdorur pajisje të sofistikuara të kontrollit që ka në dispozicion.

Opozita thotë se kjo është vetëm propagandë.