http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E mërkurë, 02 janar 2008 - 13:41 CET

Violeta Hyseni
Korrespondente e BBC, Mitrovicë

Perspektivat e Mitrovicës për vitin 2008

Mitrovica la prapa edhe një vit si qytet i ndarë etnikisht. Qyteti verior i Kosovës hyri në vitin 2008 pa një perspektivë të qartë politike.

Shqiptarët dhe serbët vazhdojnë të jetojnë të ndarë që pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999.

Ata e lidhin të ardhmen e qytetit të Mitrovicës me zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Sipas paketës së ish-kryenegociatorit, Martti Ahtisaari për statusin e Kosovës, plan ky që mbështetet nga vendet perëndimore dhe Prishtina zyrtare, ndërkaq kundërshtohet nga Rusia dhe Beogradi, Mitrovica do të ketë statusin e një qyteti me dy komuna me bord të përbashkët administrativ.

Serbët do të qeverisin në veri të Mitrovicës ku përbëjnë shumicën, ndërsa shqiptarët në jug.

Skepticizëm

Por shumica e banorëve të Mitrovicës e shohin me skepticizëm të ardhmen e qytetit të tyre.

Sheradefin Ramaxhiku është banor i Lagjes së Boshnjakëve në veri të Mitrovicës.

"Besimin e kam humbur krejt edhe në qeveri. Askush nuk interesohet për lagjen tonë. Me pas mundësi ku me dit ku kisha sot, në Afrikë a në Amazonë, vetëm këtu mos me ndejt.

Premtime që nëntë vjet, ndërsa ne ende asnjë ndihmë nga askush nuk e kemi marrë", tha zoti Ramaxhiku.

"Ne s'kemi siguri, momentalisht nuk i besojmë askujt. Kemi pasur x raste të dhunës, në vitet 2000-2001 janë hedhur edhe bomba në lagjen tonë", shtoi ai.

Lagjia e Boshnjakëve, në veri të Mitrovicës, është e banuar me popullatë të përzier.

Deri në dy vitet e fundit shumica e banorëve kanë qenë shqiptare. Por korrespondentja e BBC-së në qytet, Violeta Hyseni, thotë se struktura e popullsisë ka ndryshuar, pasi qeveria e Serbia pa lejen e UNMIK-ut dhe institucioneve vendore, filloi ndërtimin e disa banesave në këtë lagje si dhe blerjen e pronave të shqiptarëve duke ofruar çmime joshëse.

Një përfaqësues i Lagjes së Boshnjakëve, Adem Mripa, thotë për BBC-në se numri i shqiptarëve në veri të Mitrovicës po pakësohet gjithnjë e më shumë.

"Serbia është duke investuar jashtëzakonisht shumë në blerjen e shtëpive të shqiptarëve, po e theksoj të shqiptarëve, pasi shtëpitë e boshnjakëve dhe të nacionalitetit serb nuk i blen me qëllim që strukturën nacionale të shqiptarëve në Lagjen e Boshnjakëve që më parë ka qenë 90 përqind ta zvogëlojë.

Kështu që tani numri i shqiptarëve dhe serbëve është gati baraz. Këto ditë qeveria serbe ka ndërtuar 250 banesa, poashtu ka blerë më shumë se 100 shtëpi të shqiptarëve", deklaroi zoti Mripa.

Ai thotë se katër herë ka pasur oferta nga serbët për ta shitur shtëpinë e tij.

Por zoti Mripa shprehet i vendosur që të mos braktisë pjesën veriore të Mitrovicës.

"Unë u kam treguar dhe banorëve të lagjes, edhe strukturave serbe që mendojnë ta shpërngulin këtë popullatë, se unë nuk e kam ndërmend ta shes shtëpinë, megjithëse jetojmë këtu me sakrifica dhe me frikësime e kërcënime prej strukturave paralele serbe dhe esktremistëve serbë", u shpreh Adem Mripa, banor I Lagjes së Boshnjakëve në veri të Mitrovicës.

Serbët e Mitrovicës

Një serb i Mitrovicës, Bane Kostiq, thotë se e ardhmja e qytetit të ndarë varet nga polikanët.

"Nëse polikanët duan të pajtohen, Mitrovica mund të bashkohet, por mund edhe të mbetet e ndarë.

Kjo nuk varet nga populli, por nga politikanët dhe në fakt nuk varet as nga shqiptarët, as nga serbët, por nga fuqitë botërore", tha zoti Kostiq.

Por një qytetar tjetër serb vazhdon të mbajë raporte armiqësore me fqinjët shqiptarë. Ai thotë se shqiptarët e serbët në Mitrovicë nuk mund të jetojnë së bashku.

"Nuk mund të jetosh me dikë që nesër do ta zinte frymën", shprehet shkurtimisht ky qytetar serb i Mitrovicës.

Vatër tensionesh

Mitrovica në tetë vitet e fundit ka qenë shpesh herë vatër e tensioneve dhe e dhunës ndëretnike.

Si në qarqet politike ashtu edhe në mesin e qytetarëve ekziston frika për mënyrën se si do të reagojnë serbët në veri të Mitrovicës kur shqiptarët të shpallin pavarësinë, siç pritet në fillim të këtij viti.

Serbët në pjesën veriore të Mitrovicës që mbështeten politikisht dhe financiarisht nga Beogradi, kanë kërcënuar se nuk do të rrinë duarkryq.

Kryetari i Këshillit Nacional Serb në veri të Mitrovicës, Milan Ivanoviq, thotë se serbët nuk do ta pranojnë kurrë pavarësinë e Kosovës dhe do të reagojnë nëse shqiptarët përpiqen ta zbatojnë këtë zgjidhje në veri të Mitrovicës.

"Çështja nëse shqiptarët do të përpiqen ta zbatojnë vendimin e tyre të njëanshëm për pavarësi në mënyrë të dhunshme në veri të Mitrovicës mund të jetë faktor destabiliteti, e jo asnjë vendim legjitim serb.

Ne kemi institucionet tona, nuk e njohim asnjë institucion dhe asnjë vendim të shqiptarëve në drejtim të shpalljes së pavarësisë dhe imponimit të zgjidhjes", tha njëri nga udhëheqësit e serbëve në Mitrovicë, Milan Ivanoviq.

Nga ana tjetër, kryetari i sapozgjedhur i Mitrovicës, Bajram Rexhepi, i sheh deklaratat e zyrtarëve serbë si vazhdimësi të retorikës së tyre për Kosovën.

"Kjo retorikë luftënxitëse nuk çon askund. Mua personalisht dhe shumë të tjerë nuk na frikëson fare për arsye se koha e luftërave në Ballkan ka përfunduar.

Mund të ketë tensionime të vogla në pjesën veriore, por që poashtu strukturat përgjegjëse për siguri kanë marrë masat e duhura dhe do të parandalojmë çdo tensionim që ka tendencë të zhvillohet në konflikt", tha zoti Rexhepi.

Udhëheqësit kosovarë thonë se Kosova do të bëhet e pavarur në gjithë territorin e saj.

Ata besojnë se pas statusit, institucionet kosovare do të shtrijnë pushtetin e tyre edhe në veri të vendit, territory ky që edhe gjatë administrimit të Kosovës nga Kombet e Bashkuara mbeti nën kontrollin e Serbisë.