BBCAlbanian.com
 
Botuar: E hënë, 07 janar 2008 - 10:11 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Kryqi i Kuq Ndërkombëtar për të zhdukurit
 
Fotografi të të humburve në Prishtinë
Prej verës së vitit 2005 deri tani, rezultatet janë inkurajuese
Kryesuesi i grupit punues për çështjen e personave të zhdukur në Kosovë, François Stamm, ka thënë se procesi për zbardhjen e fatit të të zhdukurve ka vuajtur për shkak të statusit të pazgjidhur të Kosovës

Në një intervistë për BBC-së, zyrtari i lartë i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, tha se kohëve të fundit ka pasur pak rezultate në drejtim të gjejtjes dhe identifikimit të personave të zhdukur, pasi siç tha ai "pothuajse të gjithë si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd kanë përqëndruar energjitë dhe vëmendjen te procesi i zgjidhjes së statusit".

Zoti Stamm, që ka udhëhequr bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e të zhdukurve, i ka bërë thirrje të dyja palëve që të bëjnë më shumë për zbardhjen e fatit të këtyre personave.

Violeta Hyseni bisedoi me zoti Stamm dhe fillimisht i kërkoi përshtypjen e tij për rezultatet e arritura në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e personave të zhdukur

BBC: Cila është përshtypja juaj për rezultatet e arritura në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e personave të zhdukur?

 ...kohëve të fundit, sidomos gjatë vitit 2007, ne nuk kemi marrë informacione të rëndësishme që do të çonin në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur në Kosovë
 
François Stamm

François Stamm: Mendoj se nëse flasim për tërë periudhën, gjatë së cilës ka qenë aktiv grupi punues, pra prej verës së vitit 2005 deri tani, rezultatet janë inkurajuese.

Kemi arritur të zbardhim një të tretën e rasteve. Kur kemi nisur bisedimet kemi pasur 3000 persona të zhdukur, ndërsa tani kemi rreth 2000.

Problemi kryesor është para nesh, sepse na duhen informacione shtesë dhe këtu jam më pak optimist.

Kjo nuk është inkurajuese, sepse na duhen informacione të reja, ndoshta të dhëna për varreza të mundshme masive nëse këta persona janë të vdekur, në mënyrë që të pasojë procesi i mjekësisë ligjore, që ka të bëjë me zhvarrosjen, identifikimin dhe dorëzimin e mbetjeve mortore të familjarëve të tyre.

BBC: Zoti Stamm ku po i kërkoni këto informacione?

François Stamm: Siç e dini grupi punues përbëhet prej delegacioneve të Prishtinës dhe të Beogradit dhe varet prej tyre që të mbledhin informacione dhe t'i paraqesin ato. Përgjegjësia natyrisht bie mbi palët që kanë qenë në konflikt në Kosovë.

BBC: Sa kanë bashkëpunuar të dyja palët?

François Stamm: Ato kanë bashkëpunuar në kuptimin e asaj që takimet janë mbajtur gjithmonë, madje edhe në rastet kur situata politike ka qenë e tensionuar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

 Prishtina dhe Beogradi kanë shprehur vullnetin e tyre për të vazhduar bashkëpunimin për personat e zhdukur pavarësisht statusit të Kosovës.
 
François Stamm

Ka qenë hera e parë që delegacioni i Prishtinës ka udhëtuar në Beograd për të marrë pjesë në takimin e grupit punues për të zhdukurit.

Siç e dini, të dyja palët kanë qëndrime të kundërta për planin e Marti Ahtisaarit për statusin.

Gadishmëri për bashkëpunim

Zoti Ahtisaari ka përmendur në dokument çështjen e personave të zhdukur dhe unë jam i lumtur që Prishtina dhe Beogradi kanë shprehur vullnetin e tyre për të vazhduar bashkëpunimin për personat e zhdukur pavarësisht statusit të Kosovës.

Në anën tjetër, nëse shikojmë informacionet e reja që kanë ofruar të dyja palët, unë jam më pak i kënaqur dhe mendoj se në këtë drejtim duhet të bëhet më shumë.

BBC: Nga kush duhet të bëhet më shumë? A po flisni këtu për Beogradin, pasi shumica e të zhdukurve janë shqiptarë?

Protestë në Serbi për të humburit
Z. Stamm thotë se rreth një e treta e të zhdukurve nuk janë shqiptarë.

François Stamm: Mos harroni se diku një e treta apo një e katërta e të zhdukurve nuk janë shqiptarë.

Është e vërtetë se shumica e personave të zhdukur janë shqiptarë dhe shumica e informacioneve që kemi marrë deri tani kanë ardhur nga Beogradi.

Më vjen keq që e them por ne kemi marrë shumë pak informacione nga Prishtina për zbardhjen e fatit të joshqiptarëve të zhdukur. Unë pres më shumë angazhim dhe më shumë rezultate nga të dyja delegacionet.

BBC: Zoti Stamm, a mendoni se çështja e personave të zhdukur është politizuar, megjithë thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare që kjo të trajtohet si çështje humanitare?

 ...ne kemi marrë shumë pak informacione nga Prishtina për zbardhjen e fatit të joshqiptarëve të zhdukur.
 
François Stamm

François Stamm: Nuk mendoj se procesi si i tillë është politizuar, mendoj se procesi ka vuajtur për shkak të politizimit të përgjithshëm të çështjes së statusit.

Natyrisht do të ishte naive të thuhej se ne kemi qenë imun nga ndikimi i bisedimeve dhe tensioneve, por unë nuk e kam takuar askend që ka dashur të instrumentalizojë procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.

Por është e vërtetë se sidomos gjatë vitit 2007 ka qenë e vështirë të gjejmë përqëndrimin dhe vëmendjen në këtë çështje, sepse krejt fokusi, energjia dhe vëmendja e pothujase të gjithëve ka qenë te statusi i Kosovës.

BBC: Zoti Stamm, gjatë vitit 2007 janë gjetur rreth 200 persona që konsideroheshin të zhdukur. Ku i keni gjetur kufomat e tyre?

François Stamm: Ne i kemi gjetur këta persona në lokacione të ndryshme në territorin e Serbisë.

Këtë vit kemi arritur t'i kthejmë në Kosovë trupat e personave që ishin transferuar gjatë konfiktit nga Kosova në Serbi, për shembull rastet e Batajnicës.

Po ashtu kemi bërë disa zhvarrosje brenda territorit të Kosovës, kemi bërë disa gjurmime në Rashkë afër kufirit të Kosovës me Serbinë, por nuk kemi gjetur asgjë.

Ne po përpiqemi të mbledhim sa më shumë informacione. Kemi kërkuar nga udhëheqësit në Serbi dhe në Kosovë që t' bëjnë thirrje shoqërisë civile që nëse ka informacione për vendndodhjen e personave të zhdukur, ta njoftojnë grupin punues.

BBC: Si do të vazhdojë më tutje procesi për zbardhjen e fatit të të zhdukurve, a do të ketë takime të tjera ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit?

 Gjatë javëve të ardhshme është mirë të presim dhe të shohim se çka do të ndodhë me statusin, sepse ne nuk duam që të shikohemi si provokues, nëse do të ketë ndonjë tensionim të situatës në të dyja kryeqytetet.
 
François Stamm

François Stamm: Unë sinqerisht shpresoj që po. Javët e ardhshme do të jenë me rëndësi për statusin e Kosovës, mendoj se do të ketë qëndrime të ndryshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe lojtarëve të mëdhenj ndërkombëtarë për këtë çështje.

Do të shohim çka do të ndodhë me statusin. Mendoj se kemi përkushtimin e fuqishëm të të dyja palëve që të vazhdojnë të punojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, si një çështje e rëndësishme, jo vetëm nga aspekti humanitar, por edhe në drejtim të pajtimit dhe rindërtimit.

Pavarësisht çfarë do të jetë statusi i Kosovës, e vërteta është se Kosova dhe Serbia do të mbesin fqinjë.

Gjatë javëve të ardhshme është mirë të presim dhe të shohim se çka do të ndodhë me statusin, sepse ne nuk duam që të shikohemi si provokues, nëse do të ketë ndonjë tensionim të situatës në të dyja kryeqytetet.

Por ne jemi të lumtur që edhe në këtë fazë shohim angazhimin e fuqishëm të Prishtinës dhe të Beogradit për të punuar përmes grupit punues.

 
 
LOKALE
E ardhmja e Kosovës
17 gusht 2006 | Analiza
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>