http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E mërkurë, 26 dhjetor 2007 - 10:15 CET

Fahri Musliu
Korrespondent i BBC-së në Beograd

Parlamenti i Serbisë për Kosovën

Në Beograd pritet të mbahet mbledhja e Kuvendit të Serbisë kushtuar Kosovës në të cilën ekipi negociator do të paraqesë raportin e rrjedhës së pjesës së dytë të procesit negociator mbi statusin e Kosovës, i përfunduar më 10 dhjetor, për çka pritet të flas edhe kryeministri Vojisllav Koshtunica.

Pas debatit ligjvënësit duhet të miratojnë Rezolutën, e treta me rradhë gjatë këtij viti, e cila do të jetë kornizë për veprimin e organeve të shtetit për, siç thuhet, mbrojtjen e sovranitetit e të tërësisë tokësore të Serbisë.

Në propozim-rezolutë thuhet se mbrojtja e Kosovës, si pjesë integrale e Serbisë, është prioritet i institucioneve të shtetit, gjithnjë derisa nuk miratohet zgjidhja kompromise e kësaj çështje në bazë të Rezolutës
1244 të KS.

Theksohet se të gjitha marrëveshjet që Serbia do t'i nënshkruajë në të ardhmen, përfshirë edhe Marrëveshjen mbi Asocim Stabilizimin me BE-në, duhet të jenë në funksion të ruajtjes së sovranitetit dhe të tërësisë tokësore të saj.

Theksohet, po ashtu, se çdo akt i proklamimit dhe i njohjes së pavarësisë së Kosovës do të shpallet i pavlefshëm, dhe në veçanti do të rishikohen marrëdhëniet diplomatike e tjera me shtetet të cilat eventualisht do ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Thuhet se misioni i BE-së nuk mund të vendoset në Kosovë pa vendim adekuat të KS-së, ndersa kuvendi do të marrë vendimin për shpalljen e neutralitetit ushtarak të Serbisë deri në mbajtjen eventuale të referendumit ku do të merrej vendimi për apo kundër hyrjes në NATO.

Për momentin nuk ekziston konsensusi rreth rezolutës sepse Partia Radikale Serbe ka refuzuar të bisedojë me ministrin për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, lidhur me tekstin e rezolutës për shkak të formulimeve, sikurse thuhet, të buta.

Drejtuesi i kësaj partie, Tomisllav Nikoliq, ka thënë se ata do ta mbështesin rezolutën nëse presidenti e kryeministri japin garanci në parlament se Serbia nuk do ta firmosë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE-në nëqoftëse e njeh pavarësinë e Kosovës.

Kundër rezolutës është deklaruar edhe grupacioni parlamentar i tubuar rreth partisë Liberal- Demokratike të Çedomir Jovanoviqit i cili ka vlerësuar se nisma, prapa të cilës qëndron koalicioni qeveritar, paraqet "vënien e pikës në politikën evropiane të Serbisë dhe absolutisht i rrezikon perspektivat evropiane të shoqërisë".

Zoti Jovanoviq konsideron se rezoluta e konfronton Serbinë me BE-në dhe me të hiqet përgjegjësia e atyre që Kosovën e kanë humbur dhe këtë fajësi e kalonë në forcat qytetare dhe bashkësia ndërkombëtare që janë orvatur që në Kosovë të krijojnë raporte të reja që në të ardhmen do të mundësonin një jetë më cilësore.