http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E hënë, 24 dhjetor 2007 - 07:40 CET

Fahri Musliu
Korrespondent i BBC-së në Beograd

Kuvendi serb debaton Kosovën më 28 dhjetor

Kryeparlamentari serb, Oliver Duliq, ka paralajmëruar se në 28 dhjetor do ta caktojë mbledhjen e Kuvendit të Serbisë ku do të debatohet mbi Kosovën.

Gjithashtu pritet miratimi edhe i një rezolute të re të këtij organi legjislativ me të cilën do të insistohet ruajtja e sovranitetit të vendit.

Zoti Duliq ka thënë se përgatitjet për këtë mbledhje do të fillojnë nga e hëna kur ministri për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, do të nisë konsultimet me shefat e grupeve parlamentare për harmonizimin e tekstit të rezolutës e cila, sikurse janë pajtuar shumica e partive parlamentare, duhet të përkufizojë hapat e ardhshëm të shtetit e të insistojë në ruajtjen e sovranitetit.

Në radhët e partive të koalicionit qeveritar thuhet se rezoluta e re mbi Kosovën duhet të përkufizojë rrjedhën e mëtejshme të procesit negociator për të cilin po angazhohet Serbia dhe paraqitjet e mëtejme të Ekipit Negociator serb, duke pritur se rreth kësaj të arrihet konsensus i plotë sepse, siç thuhet, rreth kësaj çështjeje ekzistojnë interesa dhe objektiva të përbashkëta.

Radikalët serbë mendojnë se rezoluta duhet të shkojë aq larg sa po shkojnë tani BE dhe shqiptarët e Kosovës.

Pra nëse ata shkojnë deri në fund drejt pavarësisë me rezolutë duhet të thuhet se çka do të bëhet nëse ndodh edhe kjo.

Partia Liberal Demokratike e Çedomir Jovanoviqit vlerëson se mbledhja dhe rezoluta e re do të jenë edhe një demonstrim i inatit, kryeneçësisë dhe i mungesës së përgjegjësisë shtetërore.

Ndërkaq, ministri për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, ka deklaruar se SHBA-të e kanë bllokuar gjetjen e zgjidhjes për statusin e Kosovës me negociata, e jo Rusia e cila në Këshillin e Sigurimit ka penguar nxjerrjen e rezolutës me të cilën miratohet pavarësia e Kosovës.

Ai ka thënë se deklarata e ndihmëssekratarit amerikan të shtetit, Daniel Frid, se Kosova do ta fitojë pavarësinë jashtë sistemit të Kombeve të Bashkuara, kufizohet me fantazinë politike.

"Në fakt SHBA-të dhe aleatët e tyre evropianë në KS e kanë bllokuar vazhdimin e negociatave, d. m.th vazhdimin e kërkimit të paqes dhe të zgjidhjes së qëndrueshme të statusit të Kosovës," ka shtuar Samarxhiq.

Ai ka theksuar SHBA-të pasi nuk ia dolën t'ja imponojnë zgjidhjen e vet Këshillit të Sigurimit, tani po orvaten që me dhunë ta realizojnë qëllimin e tyre që Kosova të bëhet e pavarur.