http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E premte, 21 dhjetor 2007 - 07:59 CET

Reagime në Prishtinë për seancën e KS-së

Përfaqësues të institucioneve aktuale dhe të subjekteve politike në Prishtinë e kanë vlerësuar pozitivisht rrjedhën e diskutimeve për Kosovën në selinë e OKB-së.

Zyrtarët kosovarë thonë se seanca e fundit e Këshillit të Sigurimit ka dhënë sinjale pozitive për ecjen përpara drejt shpalljes së koordinuar të pavarësisë së Kosovës.

Në debatin e mbajtur të mërkurën në Nju Jork, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet anëtarë te Bashkimit Evropian në Këshillin e Sigurimit kanë pranuar dështimin e bisedimeve të OKB-së për të ardhmen e Kosovës, duke vlerësuar se nuk ka asnjë kuptim për negociata të mëtejshme.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë se BE-ja tani do të marrë udhëheqjen në ravijëzimin e të ardhmes së Kosovës.

Nga ana tjetër, Serbia dhe Rusia kërkuan negociata të mëtejshme.

Kryetari në largim i Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike, Kolë Berisha, ka deklaruar se qëndrimi amerikan dhe ai evropian për përfundimin e negociatave për statusin, nënkupton mbështetjen e vendeve perëndimore për shpalljen e pavarësisë së Kosovës në bashkëpunim me Uashingtonin e Brukselin.

"Duket se i është dhënë sinjali i gjelbër Kosovës, për të bërë hapat e mëtejshëm në rrugën e saj për pavarësinë. Po kurorëzohet ai mundim, ai ëndërrim i joni shumëvjeçar për realizimin e kërkesave tona", tha zoti Berisha.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj, ndërkaq tha se debati në Nju Jork ka treguar se zgjidhja për Kosovën po del jashtë Këshillit te Sigurimit. Kosova, tha zoti Limaj, është çështje evropiane dhe tash e tutje adresa për Kosovën janë Brukseli dhe Uashingtoni.

"Do të thotë më nuk do të ketë bisedime për statusin. Tash duhet të koordinohet aktiviteti mes organeve të Kosovës dhe Bashkësisë Ndërkombëtare në drejtim të shpalljes së shtetit të Kosovës, ndërtimit të këtij shteti dhe hapjen e një faze të re të bashkëpunimit mes Kosovës dhe misionit të ri të BE-së që do të instalohet", u shpreh zoti Limaj.

Nexhat Daci, kryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë të bashkuara në zgjidhjen e statusit të Kosovës, ashtu siç ishin në kohën e sulmeve ajrore të NATO-s kundër objektivave serbe në vitin 1999.

Kjo sipas zotit Daci, është shumë e rëndësishme për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

"Kjo na obligon neve që vërtetë të ecim dhe me rezultate të demonstrojmë se atë shtet dimë ta bëjmë, të jetë një shtet funksional, demokratik dhe të fillojmë të bëhemi, jo konsumues të stabilitetit politik dhe të sigurisë por eksportues për rajonin", tha zoti Daci.

Në seancën e Këshillit të Sigurimit për Kosovën për herë të parë ambasadorëve të OKB-së iu drejtua presidenti Fatmir Sejdiu.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, theksoi se fjalimi i presidentit në Nju Jork është një element shumë i rëndësishëm që tregon qasjen e komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit.

"Ky është një hap shumë përpara sepse edhe komuniteti ndërkombëtar po organizohet në mënyrë që të ketë një vendim unanim për Kosovën për pavarësi", theksoi zoti Isufi.

Debati në Këshillin e Sigurimit për të ardhmen e Kosovës tregoi se sa i thellë është hendeku mes Rusisë dhe Perëndimit lidhur me atë se çfarë duhet të ndodhë me Kosovën.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca argumentuan se përderisa bisedimet shtesë katërmujore mes Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës nuk dhanë rezultat, ka ardhur koha për të hedhur hapa drejt pavarësisë së Kosovës, dhe kjo pavarësi duhet mbikqyrur nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja.