http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E martë, 04 dhjetor 2007 - 18:01 CET

Serbia bën presion diplomatik

Minsitri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, ka deklaruar se Serbia mund të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me të gjitha vendet që do ta njohin pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme nga shqiptarët e Kosovës.

Z.Jeremiç ka thënë se masat e propozuara variojnë nga shumë të buta deri tek ato shumë të ashpra në fushën e diplomacisë.

Ai tha se masa më e ashpër është ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me shtetet të cilat 'e cenojnë tërësinë tokësore dhe sovranitetin e Serbisë'.

Shefi i diplomacisë serbe ka thënë se ndërpreja e marrëdhënieve diplomatike bën pjesë në sekretin shtetëror dhe për këtë nuk mund të fliste hapur në foltorën e kuvendit.

"Masa më e butë është që të mos bëhet asgjë, kurse midis masës më të butë e asaj më të ashpër ekzistojnë edhe shtatë shkallë të tjera dhe ato të gjitha janë shqyrtuar dhe i janë dërguar qeverisë së Serbisë" tha shefi i diplomacisë serbe.

Ai vuri në dukje se Serbia gjendet para një sfide historike lidhur me përcaktimin e statusit të ardhshem të Kosovës dhe ka vlerësuar se në gjashtë muajt e fundit që nga formimi i qeverisë, situata lidhur me Kosovën 'ka ecur në të mirë'.