BBCAlbanian.com
 
Botuar: E mërkurë, 26 dhjetor 2007 - 09:19 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
PDK e LDK në qeverinë e përbashkët
 

 
 
Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu
Kujt do t'ua besojnë postet ministrore?
Burime brenda PDK-së bëjnë të ditur se vendimi për marrëveshjen e koalicionit mund të shpallet të mërkurën.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Partia Demokratike, përveç postit të kryeministrit do të mbajë edhe shtatë ministri ndërsa LDK-ja do të ketë një zëvendëskryeministër, do të drejtojë pesë ministri dhe do të mbajë postin e presidentit.

Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, thotë se do të angazhojë edhe përfaqësues të pakicave në qeverinë e drejtuar prej tij dhe ata do të kenë një post zëvëndës-kryeministri dhe do të jenë në krye të paktën të tri ministrive.

Në fakt ish-lideri politik i UÇK-së nuk ka qenë asnjëherë më afër postit të kryeministrit dhe asnjëherë më afër krijimit të një qeverie koalicioni me kundërshtarin më të madh politik, Lidhjen Demokratike.

Kjo e fundit, së bashku me partnerin e saj të deridjeshëm, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës të ish-kyreministrit Ramush Haradinaj, e ka mbajtur Hashim Thaçin për më shumë se katër vjet në opozitë.

Me marrëveshjen e cila thuhet të jetë në orët e fundit të konkretizimit të saj, në opozitë do të mbeten tri parti që kanë afërsisht numër të njejtë votash - Aleancat e Haradinajt dhe Pacollit dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë me kryetar Nexhat Dacin.

 Partitë tjera mund të kandidojnë ministrat, mirëpo emërimin dhe shkarkimin e tyre, mund ta bëjë vetëm Hashim Thaçi.
 
Hajredin Kuqi

Ne fakt nga fituesit e pushtetit real, jashtë qeverisë, ka mbetur vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila e ka fituar pushtetin në një zonë kompakte në Dukagjin dhe ajo do të udhëheqë në dy prej pesë qyteteve më të mëdha që ka Kosova, në Pejë dhe Gjakovë.

Mandatari për krijimin e qeverisë së re, Hashim Thaçi, ka deklaruar se ai do të krijojë një qeveri të programit të partisë së tij dhe do ta ruajë të drejtën që të shkarkojë ministrat kur ai mendon se ata nuk po e kryejnë punën siç duhet, por është pak e besueshme se me këtë do të pajtohet partneri i ri në qeverinë e tij Lidhja Demokratike e Kosovës.

Zëvëndësi i zotit Thaçi, Hajredin Kuqi, ka thënë se ky është kushti kryesor që ka venë Partia Demokratike.

"Partitë tjera mund të kandidojnë ministrat, mirëpo emërimin dhe shkarkimin e tyre, mund ta bëjë vetëm Hashim Thaçi," ka deklaruar zoti Kuqi.

'Koalicion i panatyrshëm'

Në fakt, koalicioni PDK-LDK është cilësuar koalicioni më i panatyrshëm i mundshëm, kjo jo vetëm për faktin se këto dy parti janë partitë më të mëdha, por edhe për faktin se ato kanë bashkëjetuar në një klimë aspak miqësore politike në gjithë periudhën e pasluftës në Kosovë.

Ajo që është e sigurtë është se anëtarët dhe simpatizantët e zotit Thaçi nuk do ta duartrokasin atë për koalicionin me LDK-në.

Kjo qeveri është rezultat e zgjedhjeve të 17 nëntorit ku partia fituese PDK, mori 35 përqind të votave, ndërkaq LDK-ja, tash partnere koalicioni, 25 përqind.

Kjo është qeveria e tretë që nga viti 2000, nëse këtu nuk llogaritet qeveria e parë e përkohshme e Kosovës, që për pak muaj ishte drejtuar nga Hashim Thaçi.

 
 
LOKALE
Kosovë - zgjedhjet 2007
23 tetor 2007 | Analiza
Pritet marrëveshja për koalicionin
25 dhjetor 2007 | Rajoni
Rinisin bisedimet për qeverinë e re
24 dhjetor 2007 | Rajoni
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>