BBCAlbanian.com
 
Botuar: E enjte, 20 dhjetor 2007 - 08:45 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Sejdiu: Hapa të shpejtë drejt pavarësisë
 

 
 
Fatmir Sejdiu
Fatmir Sejdiu
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka cilësuar mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së si historike dhe si vazhdim të përkushtimit të vendeve perëndimore drejt zgjidhjes së shpejt të statusit të Kosovës.

Ai ka thënë se të gjitha rrugët për arritjen e një marrëveshjeje të negociuar janë shterrur dhe se ka ardhur koha për të marr vendime për Kosovën.

Presidenti Sejdiu ka thënë se nuk pret që KS të kërkojë zgjidhje përmes votimit, dhe ka shtuar se beson në intensifikimin e punës së vendeve të BE-së dhe të SHBA-së drejt zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Ai ka thënë se po bëhen hapat e fundit dhe se do të vazhdohet me koordinim të përpjekjeve drejt shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Arbër Vllahiu bisedoi me presidentin Sejdiu, menjëherë pas mbledhjes së KS të OKB-së dhe fillimisht i kërkoi një vlerësim për takimin.

Zoti Sejdiu: Mendoj se ka qenë një ngjarje e rëndësishme dhe historike për Kosovën, sepse patëm rastin që edhe ne t'i drejtohemi KS në mënyrë të drejtpërdrejt në një takim formal, edhe pse ishte i mbyllur. Në këtë takim u prezantuan të gjitha zhvillimet që kanë të bëjnë me Kosovën deri tash.

 Ka qenë një ngjarje e rëndësishme dhe historike për Kosovën, sepse patëm rastin që edhe ne t'i drejtohemi KS në mënyrë të drejtpërdrejt në një takim formal, edhe pse ishte i mbyllur.
 
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu

Të dyja delegacionet, edhe ne edhe Beogradi, paraqitëm vizionin tonë për Kosovën, ato qëndrime që dihen deri tani. Ne kërkuam që ky process të përfundojë dhe të përmbyllet, duke marrë parasysh edhe gjithë përkushtimin tonë gjatë gjithë procesit të bisedimeve dhe pohuam se të gjitha mundësitë janë shterrur. Tani ka ardhur koha për të marrë vendime.

Ishin me rëndësi gjithë debatet që u zhvilluan nga të gjithë anëtarët e KS dhe të cilët dhanë refleksionet e tyre për këtë çështje. Është me rëndësi që shumica dërrmuese e tyre ka mbështetur këtë qasje të deritashme ndërkombëtare dhe në veçanti projektin e presidentit Ahtisaari, si zgjidhja më e mirë, që ndërlidhet me formulën e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës.

Nga ana jonë dhamë garancione se do ta zbatojmë këtë projekt duke pasur parasysh edhe nevojën e koordinimit të vazhdueshëm me vendet që kanë mbështetur dhe vazhdojnë ta mbështesin pavarësinë e Kosovës. Në këtë rrafsh flas edhe për SHBA-në dhe vendet e BE-së por edhe për vendet e tjera të botës demokratike. Prandaj edhe debati i zhvilluar ishte në një përkushtim të thellë dhe ne e çmojmë.

 Ne besojmë se do të koordinohemi ashtu siç e kemi thënë edhe më herët dhe procesi do të ecë shpejt.
 
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu

BBC: Por zoti President ka patur dallime të mëdha në mbledhjen e KS të OKB sidomos mes vendeve perëndimore dhe Rusisë?
Zoti Sejdiu: Është një përsëritje e qëndrimeve që Rusia i ka shprehur në fazat e mëhershme dhe një gjë e tillë ka ndodhur edhe tash, duke kërkuar vazhdimin e bisedimeve dhe duke insistuar se palët mund të gjejnë një formulë të përbashkët të marrëveshjes.

Gjithashtu Rusia ka thënë se kjo kohë e deritashme mund të shërbejë vetëm si një qasje e parë dhe se ka shansa për të ecur më tej. Por qëndrimi i SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës e Italisë dhe Belgjikës e vendeve të tjera ishte në një vijë të përbashkët dhe i prerë dhe ai shënonte një mbështetje të fuqishme të gjithë kësaj ecje ndërkombëtare në projektin Ahtisaari duke analizuar edhe vetë përpjekjet e mëdha që janë bërë në kuadër vetë KS. Ishte prandaj ky një adresim konkret ndaj Rusisë që ta kuptojë realitetin dhe të jetë kontribuese në procesin e përbashkët.

BBC: Zoti president a do të thotë kjo se KS i OKB-së nuk mund të arrijë një marrëveshje për Kosovën në bazë të asaj që ju keni parë?
Zoti Sejdiu: Unë nuk dua të paragjykoj për proceset e mëtejme por është me rëndësi që në takim ka qenë present edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së. Ai natyrisht se do të përfillë një process të shpejtë.

Nuk besoj se do të mund të shkojë në një votim sikur është provuar në korrikun e kaluar. Por besoj se do të intensifikohen të gjitha veprimet edhe të BE-së dhe me vendet e tjera kyçe, filluar nga SHBA-ja dhe vendet e tjera anëtare të KS dhe që janë në një valë të përbashkët të këtij procesi.

BBC: Zoti president ju i keni ofruar dorën e fqinjësisë së mirë Serbisë, por ajo ka kërkuar që të vazhdohet me bisedime meqë konsideron se zgjidhja e problemit të Kosovës nuk mund të bëhet në një mënyrë tjetër.
Zoti Sejdiu: Ne e kemi mbajtur këtë përkushtim edhe tash pavarësisht nga qasjet e saj që dëshiron të ecë në një kthim prapa apo të paraqes idetë retrograde lidhur me procesin.

Ne jemi zotuar se kemi nevojë për një fqinjësi të mirë me të gjitha vendet përreth dhe në këtë rrafsh edhe me Serbinë dhe të japim garancitë tona për një trajtim të veçantë të të gjitha komuniteteve pakicë, e në këtë rast të komunitetit serb, e që do të mund të shërbente si një urë ndërlidhëse e raporteve të ardhshme të mira mes dy vendeve sovrane.

Dora jonë mbetet e shtrirë dhe i mbetet udhëheqjes serbe që të gjejë shtegun më të mirë të mundshëm që të kapërcejë këtë mënyrë të luhatjes, do të thoja, të vetvetes dhe të hyjë në një process të ri të bashkëpunimit në proceset e reja që na presin përpara e në veçanti në ato të integrimeve euroatlantike.

BBC: Më lejoni zoti president, a do të thotë kjo se Kosova po ecën drejt shpalljes së koordinuar të pavarësisë së saj?
Zoti Sejdiu: Unë mund të them lirisht se jemi në hapat e fundit dhe është me rëndësi të madhe që kjo ngjarje në KS është një analizë e thellë e gjithë asaj që ka ndodhur. Dhe gjithashtu një përkushtim për ecjen e mëtejme.

BBC: Dhe kjo do të thotë se shumë shpejt mund të ndodh një hap i tillë?
Zoti Sejdiu: Ne besojmë se do të koordinohemi ashtu siç e kemi thënë edhe më herët dhe procesi do të ecë shpejt.

 
 
LOKALE
SHBA e BE: Jo më bisedime për Kosovën
20 dhjetor 2007 | Faqja Kryesore
Kosova në shtypin britanik
20 dhjetor 2007 | Faqja Kryesore
Këshilli i Sigurimit debaton për Kosovën
19 dhjetor 2007 | Faqja Kryesore
BE flet për mision civil në Kosovë
14 dhjetor 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>