BBCAlbanian.com
 
Botuar: E hënë, 17 dhjetor 2007 - 12:16 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Reshje dëbore dhe temperatura të ulta në Shqipëri
 
Reshje dëbore në Shqipëri (Arkiv)
Moti i keq ka izoluar disa komuna në jug të vendit.
Shkodra
Adrian Hoti

Edhe Shkodra prej disa ditësh është përfshirë nga temperatura të ulta, por ndryshe nga pjesa më e madhe e vendit në këtë qytet nuk ka patur rreshje.

Këtu po mban një mot i thatë dhe me erë të ftohtë. Temperatura më e ulët në qytet të dielën arriti minus katër gradë C ndërsa në zonat malore te qarkut te Shkodrës, kryesisht në Malësi të Madhe dhe në Pukë termometri ka shënuar deri në minus tetë gradë C.

Probleme në akset rrugore

Në këto zona mbremjeve të fundit ka patur edhe reshje të dobëta dëbore, por, pavarësisht se trashësia e borës nuk është problematike, në mjaft segmente rrugore në veri të vendit është vështirësuar qarkullimi për shkak të ngricave.

Më problematike gjendja paraqitet në akset rrugore të rrethit të Pukës.

Ulja e temperaturave ka rritur edhe më shumë oraret e kufizimit të energjisë elektrike sidomos në fshatra e të gjithë zonës veriore këtu mungesa e energjisë varion nga 8 deri në 12 orë në ditë.

Autoritetet vendore këtu në qarkun e Shkodrës thonë se po marrin masa për të përballuar situatat që mund të krijohen në zonat e thella në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të motit.

Kristina Fidhi
Gjirokastër

Temperatura të ulta deri në 4 gradë nën zero, reshje dëbore dhe ere e ftohtë kanë përfshirë gjatë dy ditëve të fundit jugun e vendit.

Moti i keq ka shkaktuar edhe problemet e para.

Reshjet e borës që në zonat malore të rajonit arritën në 30 cm, izoluan në fundjavë përkohësisht disa komuna dhe kanë vështirësuar mjaft qarkullimin në akset që lidhin Gjirokastrën me Përmetin, Tepelenën e Sarandën.

Sipas Zyrës së Emergjencave Civile në Prefekturën e Gjirokastrës po regjistrohen vazhdimisht rrëshqitje dhe dalje nga rruga të mjeteve për shkak të ngricave dhe dëborës.

Kështu bëhët e ditur se Qafa e Muzinës që lidh Gjirokastrën me Sarandën ka qendruar e bllokuar të dielën për më tepër se 5 orë.

Aktualisht akset që lidhin qytetet kryesore me komunat e thella kalohen me vështirësi vetëm nga mjetet e rënda ndërsa në të gjitha akset nacionale mund të qarkullohet me shpejtësi të kufizuar për shkak të ngricave që vazhdojnë të jenë të pranishme në segmente te caktuara.

Policia e Qarkullimit Rrugor ka ngritur dhjetëra postblloqe, sidomos në aksin Kakavijë-Gjirokastër-Tepelenë, në përpjekje për të normalizuar trafikun e mijëra automjeteve të emigrantëve shqiptarë që po hyjnë Shqipëri prej pikëkalimit të Kakavijës për festat e fundvitit.

Vetëm gjatë 48 orëve të fundit më tepër se 10000 emigrantë shqiptarë kanë mbërritur përmes Kakavijës.

E ndërsa e gjithë periudha që do të përkojë me fluksin e mbërritjes së emigrantëve pritet të shoqërohet nga moti i keq dhe temperaturat nën zero, nga ana tjeter kufizimet e energjisë si çdo vit plotësojnë pasqyrën e pragfestave edhe në jug.

Energjia mungon aktualisht nga 5 - 7 orë nëpër qytete dhe deri në 9 orë për komunat.

Kukës
Jonuz Hallaçi

Në rajonin verilindor të Shqipërisë temperaturat kanë zbritur deri në minus tetë gradë C, ndërkohë që shumë segmente rrugore në akset nacionale dhe rurale janë mbuluar nga shtresa akulli.

Policia ka porositur drejtuesit e automjeteve që të kënë kujdes dhe të lëvizin vetëm me pajisje dimërore.

Megjithë problemet nuk janë shënuar aksidente dhe rrugët konsiderohen të kalueshme.

Megjithëse moti është shumë i ftohtë reshjet e dëborës kanë qenë të papërfillshme dhe trashësia e saj zë vënd vetëm në lartësitë mbi 800 m mbi nivelin e detit.

Ndërkohë shirat e para pak ditëve kanë sjellë dhe përmirësime në situatën e rënduar hidroenergjetike që ka përfshirë vendin prej mëse një viti.

Specialistë të Korporatës Elektroenergjitke Shqiptarë thanë se niveli i ujrave në HC-në Fierzë është 285 metra mbi nivelin e detit 11 poshtë nivelit maksimal ndërsa prurjet e lumenjve janë 150 m kub ujë/sek.

Megjithë treguesit pozitivë grafikët e kufizimit të dritave janë ende të thelluar.

Dritat në qytet mungojnë 8 orë ndërsa në fshatra 17 orë.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>