BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 11 dhjetor 2007 - 11:05 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
BE-ja më afër unitetit për statusin
 
Prishtina
Bashkimi Evropian nuk ka arritur të unifikojë qëndrimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, në rast të shpalljes së saj nga shumica shqiptare.

Por ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE-së kanë deklaruar të hënën në mbrëmje se shpresojnë që do të marrin një qëndrim të përbashkët për njohjen e mundshme të pavarësisë së Kosovës.

Unitetin e BE-së e ka prishur vetëm Qiproja, e cila pretendon se pavarësia e Kosovës do të kishte pasoja të dëshme për të ardhmen e vendit.

Shefat e diplomacisë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë takuar edhe ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov, me të cilin kanë diskutuar të ardhmen e Kosovës. Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Havier Solana, ka thënë pas takimit me z.Lavrov se bisedimet ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë për Kosovën do të vazhdojnë në kuadër të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit për Kosovën do të mbahet më 19 dhjetor në Nju Jork ku do të diskutohet raporti i Treshes për procesin negociator. Rusia ka paralajmëruar se në Nju Jork, do të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës dhe do të kërkojë vazhdimin e bisedimeve për statusin.

Zyrtarët kosovarë thonë se do të shpallin pavarësinë e Kosovës shumë më herët se në muajin maj të vitit 2008.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave në raportin e fundit parashikon se Prishtina do të shpallë pavarësinë e Kosovës në muajin maj dhe ajo do të njihet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

 Pavarësia e Kosovës do të shpallet shumë më herët se maji.
 
Skender Hyseni

"Pavarësia e Kosovës do të shpallet shumë më herët se maji", tha të hënën zëdhënësi i Ekipit Negociator të Kosovës, Skender Hyseni.

Sipas tij, tani që zyrtarisht ka përfunduar procesi i bisedimeve për statusin e Kosovës, Prishtina zyrtare do të nisë konsultimet intensive me Uashingtonin dhe Brukselin për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të saj.

Ndërkohë, zyrtarët serbë në Kosovë kanë tërhequr vërejtjen se shpallja e pavarësisë do të hapte Kutinë e Pandorës.

Një politikan serb, Goran Bogdanoviq i ka thënë BBC-së se një veprim i tillë i shqiptarëve do të rrezikonte sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, në Serbi dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.

"Shpallja e pavarësisë është skenari më i keq dhe ai vetëm mund të hapë kutinë e Pandorës, të kthehet si efekt domino për shtetet tjera që kanë probleme të ngjashme me Kosovën. Mendoj se ky është skenari më i rrezikshëm", tha z.Bogdanoviq.

Në ditën e përfundimit zyrtar të bisedimeve për statusin e Kosovës, disa mijëra qytetarë kanë protestuar dje në Prishtinë duke kërkuar nga Kuvendi të shpallë pavarësinë e Kosovës.

Organizatorët e protestës, studentët e Universitetit të Prishtinës kanë thënë se është momenti i fundit kur duhet të shpallet pavarësia e Kosovës. Protestuesit u kanë dërguar porosi qendrave vendimmarrëse në botë se durimit të qytetarëve të Kosovës i ka ardhur fundi.

Ata kanë paralajmëruar se nëse deri më 10 janar 2008 Kuvendi nuk shpall pavarësinë e Kosovës, studentët dhe qytetarët do të vazhdojnë me protesta, duke qëndruar në rrugë deri në realizimin e synimit për pavarësi.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>