BBCAlbanian.com
 
Botuar: E premte, 07 dhjetor 2007 - 17:45 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
NATO-ja do të mbetet në Kosovë
 
Scheffer
Scheffer thotë se NATO-ja do të mbetet në Kosovë
Ministrat e jashtëm të NATO-s thonë se do të reagojnë me vendosmëri në rast të shpërthimit të dhunës në Kosovë.

Në një deklaratë pas takimit të zhvilluar të premten në Bruksel, ata ranë dakord për vazhdimin e misionit paqeruajtës të trupave të NATO-s në Kosovë.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, konfirmoi se aleanca do ta vazhdojë misionin e saj paqeruajtës në Kosovë dhe do të jetë e gatshme për të dërguar më shumë trupa po të jetë e nevojshme.

"Angazhimi i vazhdueshëm i NATO-s për çështjet e sigurisë dhe stabilitetit të rajonit mbetet jetik dhe ne do të veprojmë me vendosmëri kundër të gjithë atyre që do të kërkojnë të përdorin dhunën. Pavarësisht nga rezultati që do të ketë procesi i statusit, Kosova do të mbetet dhe duhet të mbetet një vend ku shqiptarët, serbët dhe komunitetet e tjera të jetojnë në paqe dhe pa frikë dhe ne jemi të vendosur të luajnë rolin që na takon", tha zoti Scheffer.

Në takimin e Brukselit ishte i pranishëm edhe ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov. Ai bëri thirrje për vazhdimin e negociatave për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

"Ne e konsiderojmë pozitive punën e treshes për organizimin e negociatave të drejtpërdrejta mes Prishtinës dhe Beogradit. Dialogu i drejtpërdrejtë ka filluar, jo në formë, por në përmbajtje. Beogradi ka paraqitur disa propozime konkrete për kompromis. Ne jemi të bindur se këto propozime jo vetëm që hapin rrugën për bisedime serioze për statusin e ardhshëm të Kosovës, por konfirmojnë nevojën për vazhdimin e negociatave të drejtpërdrejta", tha zoti Levrov.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>