BBCAlbanian.com
 
Botuar: E enjte, 06 dhjetor 2007 - 13:10 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Alexander Duma për marrëdhëniet anglo-shqiptare
 
Alexander Duma
Alexander Duma kryetar i Shoqatës Anglo-Shqiptare
Alexander Duma është aktualisht Kryetar i Shoqatës Anglo-Shqiptare në Britani, shoqatë kjo që prej vitit 1912 ka luajtur një rol të rëndësishëm në zgjerimin dhe forcimin e marrëdhënieve midis të dy popujve.

Zoti Duma ka qenë edhe Konsull nderi i Shqipërisë në Londër pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve në vitin 1992.

Me zotin Alexander Duma bisedoi Elira Lamani

BBC: Keni lindur në një familje shqiptare dhe jeni rritur në Angli. A mund të na tregoni se si ishte jeta nën ndikimin e dy kulturave të ndryshme - asaj shqiptare në shtëpi dhe saj angleze në shkollë dhe jashtë familjes?

Zoti Duma: Në realitet ishte më shumë një rritje dhe edukim në një ambjent tërësisht anglez, sepse prindërit e mij jetonin në Angli që përpara fillimit të luftës së dytë botërore; dhe ajo pjesë që i takonte kulturës shqiptare në një farë mase lidhej me dajën tim Vasil Andonin, i cili ishte shumë i preokupuar që unë të mos haroja asnjëherë që isha shqiptar dhe se një ditë do të shkoja në Shqipëri. Ai ishte shumë i interesuar që unë të mësoja për Shqipërinë dhe çështjet shqiptare si edhe të përvetësoja gjuhën shqipe.

BBC: A mund të na thoni diçka për fëmijërinë, rininë dhe shkollimin tuaj. Cilat janë aspektet më të veçanta të kësaj periudhe?

Zoti Duma: Në fillim të luftës së dytë botërore prindërit e mij u çvendosën nga Londra në qytetin Gillford i cili është rreth 50 kilometra larg Londrës. Unë mbarova shkollën fillore dhe të mesme dhe u rrita atje. Atë qytet unë e njoha si shtëpinë time. Pastaj erdha në Londër ku kreva studimet universitare në fakultetin e drejtësisë në Universitetin e Londrës.

BBC: Çfarë mësuat për Shqipërinë prej babait tuaj, të ndjerit Dervish Duma, njeriut që gjatë gjithë jetës në mërgim punoi me përkushtim dhe dashuri për atdheun, vendin e tij?

Zoti Duma: Unë ju përmenda edhe dajën tim Vasil Andonin, dhe më duket se është merita e të dyve që unë krijova ndjesinë për Shqipërinë dhe për çështjen shqiptare edhe pse në atë kohë ishte shumë e qartë për mua që unë nuk do të kisha mundësi të shkoja në Shqipëri.

BBC: Si e kishit imagjinuar Shqipërinë deri në momentin kur ju mundët ta vizitonit atë në vitin 1991. Çfarë ndjenit e mendonit për vendin e origjinës së familjes të cilin nuk e kishit parë kurrë?

Zoti Duma: Siç sapo e thashë unë e dija - megjithëse gabimisht natyrisht - por e dija se asnjëherë nuk do të mund të shkoja në Shqipëri. Në një farë mënyre për mua Shqipëria ishte në anën tjetër të hënës dhe nuk e dija vërtet se çfarë të prisja përveçse mendoja se do të gjeja një vend shumë të varfër, një vend që nuk kishte lidhje me botën e zhvilluar perëndimore.

BBC: Sa u përputh imagjinata juaj me Shqipërinë reale që ju patë në vitin 1991?

Zoti Duma: Gjeta saktësisht atë që kisha menduar se do të gjeja. Një vend që ishte shkëputur tërërsisht nga pjesa tjetër e botës sa që asgjë nuk ngjante me atë që kisha lënë pas në Londër. Jo shumë larg Londrës në vijë ajrore por një botë krejtësisht të ndryshme.

BBC: Babai juaj Dervish Duma ishte një nga intelektualët më të shquar shqiptarë jo vetëm në Britani por në mbarë bashkësinë shqiptare jashtë Shqipërisë. Sa e organizuar ishte bashkësia shqiptare në mërgim?

Zoti Duma: Së pari duhet të kujtojmë se bashkësia shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar deri në vitin 1990 ndoshta nuk përbëhej nga më shumë se 12 vetë. Të vetmit shqiptarë në Angli ishin ata që kishin jetuar këtu që përpara luftës së dytë botërore.

Por ata që ishin përbënin një grup kompakt, të lidhur ngushtë me njëri tjetrin. Ata takoheshin rregullisht, dhe organizonin disa veprimtari gjatë vitit. Veçanërisht, një herë në vit ata mblidheshin për të festuar ditën e pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor.

BBC: A mund të na thoni më shumë lidhur me këto veprimtari ?

Zoti Duma: Ndoshta duhet të kisha përmendur më parë se babai im hapi seksionin shqiptar të BBC-së në vitin 1940. Ky seksion ishte lidhja e parë e drejtpërdrejtë midis të dy vendeve në kohe reale. Seksioni Shqiptar i BBC-së i vazhdoi transmetimet deri në vitet 60 kur qeveria e kryeministrit Harold Wilson, me një vendim jo të mençur, e mbylli atë. Dhe ndoshta kjo fatkeqësisht çoi në shkëputjen edhe të atyre lidhjeve të pakta që ekzistonin deri në atë kohë.

BBC: Pasi u rivendosën marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Britanisë, ju u emëruat si Konsull Nderi i Shqipërisë në Londër. Pra duke vazhduar karierën e babait tuaj, i cili në vitet 30-të ishte përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Londër, ju u bëtë konsulli i parë që përfaqësonte Shqipërinë në Britani pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve në vitin 1992. Si u emëruat në këtë detyrë?

Zoti Duma: Të kujtojmë natyrisht së pari se unë isha i angazhuar në mënyrë të konsiderueshme që prej fillimit në veprimtaritë të cilat çuan më vonë në riverndosjen e marrëdhënieve diplomatike. Unë isha pjesë e ekipit shqiptar i cili shkoi në Romë për të marrë pjesë në bisedime me përfaqësuesit e qeverisë britanike.

Çështja e vetme që kishte mbajtur peng rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Anglisë dhe Shipërisë ishte çështja e arit shqiptar. Ari shqiptar ishte marrë nga gjermanët në vitin 1943. Ndërkohë disa luftanije angleze ishin hedhur në erë në kanalin e Korfuzit. Kjo ngjarje e pengonte Britaninë që t'i rikthente Shqipërisë arin.

Ishte ky problem që, pavarësisht nga bisedimet që ishin zhvilluar në vite, e pengonte rivendosjen e marëdhënieve diplomatike. Unë u angazhova në ato bisedime ndoshta sepse mendohej atëhere dhe më vonë pasi u emërova si Konsull Nderi në Londër, se nëpërmjet angazhimit tim me çështje të biznesit në Britaninë e Madhe unë isha ndoshta më i përshtatshëm se të tjerët për të përmbushur këtë detyrë. Dhe natyrisht, unë kam qënë i angazhuar në çuarjen e bizneseve të rëndësishme britanike në Shqipëri.

Në mënyrë të veçantë këtu do të përmendja firmën e mirënjohur britanike (BP) British Petroleum e cila mundi të siguronte karburantin aq të kërkuar për avionët në aeroportin e Rinasit, për të inkurajuar më shumë linja ajrore të huaja për të ardhur në Shqipëri. Në mënyrë të qartë, pa këtë, vendi nuk do të mund të lidhej me perëndimin. Ndoshta kjo ishte arësyeja që çoi në emërimin tim.

BBC: Çfarë do të përmendnit si arritjet tuaja gjatë periudhës që ju ishit Konsull nderi i Shqipërisë në Britani?

Zoti Duma: Mendoj se një nga gjërat që shquan është aftësia për të siguruar, duhet theksuar, jo pa vështirësi, kontratën midis kompanisë britanike të naftës, BP, dhe qeverisë shqiptare. Përpara kësaj, avionët që fluturonin për në Shqipëri duhet të furnizoheshin me karburant të mjaftueshëm edhe për tu kthyer aty prej nga kishin ardhur.

Pas realizimit të kontratës me BP-në karburanti cilësor që ofrohej në Rinas nënkuptonte që aty mund të vinin më shumë avionë. Kjo bëri që linja të tjera ajrore të vinin në Shqipëri dhe provoi të ishte bazë për rritjen e ndjeshme të numrit të avionëve që vijnë në Tiranë. Kjo ishte një kontratë madhore dhe isha krenar që isha pjesë e kësaj arritjeje.

BBC: Cilat janë përshtypjet tuaja për Shqiperinë sot?

Zoti Duma: Ajo ka ndryshuar saqë nuk njihet krahasuar me Shqiperinë të cilën unë e vizitova në vitin 1991. Shqipëria ka përjetuar një progres të çuditshëm. Unë vazhdoj të befasohem në çdo vizitë që bëj në Shqipëri. Sa shumë që ka ndryshuar dhe sa shumë për mirë ka ndryshuar. Tirana tani duket si çdo qytet tjetër perëndimor. Tirana në vitin 1991 ishte e lënë pas dore dhe e rënuar. Ashtu siç ishin edhe qytetet e tjera që unë vizitova atëhere. Tani ato kanë ndryshuar në mënyrë të paparë.

BBC: Cilat janë kontaktet tuaja me Shqipërinë aktualisht?

Zoti Duma: Pas rreth 16 vjetësh që e vizitoj Shqipërinë mendoj se kam kontakte në çdo nivel duke filluar që nga kreu i qeverisë dhe poshtë.

BBC: Aktualisht jeni kryetar i shoqatës Angli - Shqipëri. Kjo shoqatë ka qenë drejtuar nga babai juaj për një kohë të gjatë. Çfarë synimesh ka kjo shoqatë?

Zoti Duma: Shoqata anglo-shqiptare u themelua në vitin 1912 nga kolonel Herbert, sekretarja e shoqatës ishte Edit Durhami. Synimi i shoqatës gjithmonë ka qenë që të promovojë marrëdheniet Anglo - Shqiptare mbi një bazë jo politike. Tani natyrisht me ndryshimet që kanë ndodhur në Shqipëri dhe në Kosovë ne synojmë të përfshijmë në aktivitetin e shoqatës edhe shqiptarët e Kosovës.

Por ndoshta ka rëndësi që unë të përmend këtu punën e këshillit Britani - Shqipëri - Kosovë. Këshilli të cilin unë e kryesoj u themelua në fillim të viteve 1990 për të ndihmuar të miturit e pashoqëruar që vinin në Britani nga Shqipëria dhe Kosova. Ne kemi ndihmuar rreth 1800 të tillë por tani ne punojmë për të bërë çdo lloj pune të tipit social më konkretisht merremi me aspekte të shkollimit, të shërbimit mjeksor, të strehimit dhe me çështje të tjera me të cilat përballen të gjitha familjet e reja shqiptare që vinë në Britani dhe të tilla ka shumë.

BBC: Çfarë planesh ka shoqata për të ardhmen?

Zoti Duma: Unë dua që shoqata anglo-shqiptare të bëhet një lloj organizatë ombrellë për organizatat dhe shoqatat e shumta të vogla të cilat janë krijuar për të përmbushur nevojat e popullsisë së re shqiptare në Londër. Komuniteti shqiptar në Britani është rritur nga 12 pjestarë që kishte para 20 e ca vjetëve në një bashkësi ndoshta prej më shumë se 100 mijë vetësh. Tani kjo popullsi ka nevoja të reja dhe ne duhet të jemi në gjendje të ndihmojmë në përmbushjen e këtyre nevojave.

BBC: Çfarë aspektesh të botës shqiptare ju kanë tërhequr më shume dhe në çfarë drejtimi jeni përpjekur të lexoni e të thelloheni më shumë, në historinë, letërsinë, apo politikën shqiptare?

Zoti Duma: Mendoj që është mirë të shmangim angazhimin në ndonjë aspekt të politikës shqiptare. Por ajo që është e rëndësishme, është që Shqipëria të zhvillojë asetet e saj. Pasuria kryesore e saj është bukuria mrekulluese e natyrës së saj dhe aftësia e saj për të tërhequr turistët dhe ajo që unë shpresoj se Shqipëria do të bëjë ajo që unë do të isha shumë i interesuar që ajo të bënte tani, është që të zhvillojë potencialin e vet turistik.

Në veçanti në jug të vendit. Por kjo duhet bërë me kujdes duke i menaxhuar burimet me kujdes duke treguar kujdes në hartimin e planeve në mënyrë që bregdeti i saj të mos të shëndrohet në një tjetër bregdet spanjoll i cili është prishur tërësisht.

BBC: A flisni shqip

Zoti Duma: Unë kuptoj më mirë se sa flas.

BBC: A keni ndonjë mesazh për dëgjuesit e BBC-së?

Zoti Duma: Jam shumë i lumtur që ato 50 vjet a më shumë kur Shqipëria nuk ishte pjesë e botës janë kapërcyer nga historia dhe Shqipëria aktualisht po ecën me shpejtësi në rrugën për tu bërë pjesë e botës së vërtetë perëndimore.

 
 
LOKALE
Profesor Doktor Remzi Pernaska
01 mars 2007 | Rajoni
Violinistja Alda Dizdari
18 prill 2008 | Faqja Kryesore
Moisiu për politikën shqiptare dhe Kosovën
14 tetor 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>