BBCAlbanian.com
 
Botuar: E mërkurë, 05 dhjetor 2007 - 17:54 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Britania mbështet pavarësinë e Kosovës
 
Ministri britanik për Evropën, Jim Murphy, duke folur me Ilir Nishkun e BBC-së në shqip
Ministri britanik për Evropën, Jim Murphy, duke folur për BBC-në në shqip
Një zyrtar i lartë britanik thotë se Britania dhe BE-ja në përgjithësi mbështesin pavarësinë e Kosovës.

Ministri për Evropën në Ministrinë e Jashtme Britanike, Jim Murphy, tha në një intervistë për BBC-në se udhëheqësit kosovarë duhet t'i koordinojnë veprimet e tyre me bashkësinë ndërkombëtare.

Zoti Murphy tha se në Bashkimin Evropian ka unitet për misionin e ardhshëm në Kosovë dhe tha se baza ligjore për praninë e ardhshme ndërkombëtare në Kosovë dhe për statusin e saj është rezoluta ekzistuese 12-44 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Me zotin Murphy bisedoi Ilir Nishku.

 Ne nuk do të lejojmë një veto të paarsyeshme nga një komb për ta ndaluar bashkësinë ndërkombëtare që të respektojë premtimin e saj ndaj Kosovës për pavarësinë e saj.
 
Jim Murphy, ministër britanik për Evropën

BBC: Bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit përfunduan dhe në fund nuk pati asnjë kompromis. A mos ishte kjo një humbje kohe dhe përpjekjesh nga komuniteti ndërkombëtar dhe lojtarët kryesorë?

Zoti Murphy: Nuk e besoj se ka qenë një humbje energjie dhe kohe. Kjo tregoi vendosmërinë e bashkësisë ndërkombëtare për të eksploruar edhe alternativat më të fundit, për të parë nëse ka pika të përbashkëta që ne të lëvizim së bashku për çështjen e Kosovës.

Tani duket e pamundur që të ketë një marrëveshje unanime lidhur me statusin e Kosovës, por ne kemi qenë shumë të qartë, Mbretëria e Bashkuara ka qenë shumë e qartë, dhe Bashkimi Evropian në përgjithësi ka qenë shumë e qartë se ne nuk do të lejojmë një veto të paarsyeshme nga një komb për ta ndaluar bashkësinë ndërkombëtare që të respektojë premtimin e saj ndaj Kosovës për pavarësinë e saj, për statusin e saj si shtet sovran dhe ne kemi qëllim që ta respektojmë plotësisht këtë.

Por, sigurisht, kjo duhet bërë me ndjeshmëri. Duhet të ketë mbrojtje themelore dhe të vërtetë për pakicën serbe në Kosovë dhe ne ua kemi shpjeguar përsëri, qeverisë së re në Kosovë, se ata duhet të punojnë me bashkësinë ndërkombëtare në këtë proces gjatë javëve, dhe ndoshta muajve, të ardhshëm, dhe kjo ka me të vërtetë rëndësi.

 BE-ja do të jetë pjesë thelbësore e vullnetin politik për të mbështetur pavarësinë për Kosovën.
 
Jim Murphy, ministër britanik për Evropën

BBC: A do të shkojë çështja e Kosovës përsëri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së?

Zoti Murphy: Besoj se çështja do të kthehet në Kombet e Bashkuara dhe ne nuk i kemi hequr plotësisht shpresat që Kombet e Bashkuara të vijnë në një konkluzion pozitiv, por siç e përmenda vetoja e një vendi në OKB nuk mund të lejohet që të bllokojë pavarësinë për Kosovën, një pavarësi që është një proces i menaxhuar që është i koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare.

Pra një sugjerim i fortë për qeverinë e Kosovës është që të punojë me Mbretërinë e Bashkuar, të punojë me Bashkimin Evropian, të punojë me Shtetet e Bashkuara dhe të tjerë, që së bashku të kemi një proces të menaxhuar drejt pavarësisë.

Pra, të mos ketë të papritura, të bëhet me ndjeshmëri dhe që të drejtat e pakicës serbe të mbrohen, kryesisht duke u bazuar në planin Ahtisaari, që është një plan shumë i mirë që ne duhet tani ta zbatojmë.

BBC: Duket se është një konkluzion i nxjerrë, të paktën në media, se misioni i ardhshëm në Kosovë do të jetë një mision i Bashkimit Evropian dhe ai do të zëvendësojë misionin e tanishëm të UNMIK-ut. A do të ndodhë kështu?

Zoti Murphy: Ne ende po i diskutojmë hollësitë e kësaj, por fakti është se kjo është një çështje evropiane dhe Evropa duhet të marrë pjesë dhe përgjegjësi të plotë.

Ne nuk mund të presim që vende të tjera jashtë Evropës të marrin barrën për këtë, dhe Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të luajë rolin e saj brenda Bashkimit Evropian.

Dhe për këtë uniteti i Bashkimit Evropian ka një rëndësi shumë të madhe dhe ka një vullnet të qartë në të gjithë Evropën se Kosova duhet të ketë pavarësinë dhe Mbretëria e Bashkuar e mbështet këtë. Kështu që BE-ja do të jetë pjesë thelbësore e vullnetin politik për të mbështetur pavarësinë për Kosovën.

Por ne duam të garantojmë që plani Ahtisaari të zbatohet i plotë dhe në mënyrë të ndjeshme, për sa i përket pavarësisë dhe mbrojtjes së pakicave.

 Baza ligjore është rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit ... Ne kemi këshilla të forta ligjore se në fakt tamam ajo që duam të arrijmë në Kosovë shpehet në atë rezolutë të OKB-së.
 
Jim Murphy, ministër britanik për Evropën

BBC: A ka unitet në Bashkimin Evropian për të shkuar përpara me këtë mision?

Zoti Murphy: Besoj që ka një ndjenjë të vërtetë vendosmërie në Bashkimin Evropian. Dhe sigurisht në një organizatë me 27 vende të ndryshme ka gjithnjë thekse të ndryshme, gjuhë të ndryshme dhe prioritete të ndryshme, por ne nuk kemi asnjë dyshim se në Bashkimin Evropian ka një vendosmëri të fortë për të mbështetur pavarësinë për Kosovën, një pavarësi që respekton dinjitetin e një vendi të pavarur siç duhet të jetë Kosova, dhe një shtet i pavarur demokratik si të gjitha shtetet demokratike evropiane, që të ketë shtyp të lirë, debat dinamik dhe që mbështet dhe ngre lart të drejtat kulturore dhe politike të pakicave në të gjithë vendin. Kjo është me të vërtetë e rëndësishme.

Një Kosovë e pavarur duhet të jetë një vend mikpritës dhe mbështetës për njerëzit nga të gjitha origjinat. Dhe ky është një test i vërtetë që bashkësia ndërkombëtare do ta ndjekë nga afër në Kosovë që ajo të vazhdojë të mbështesë dhe mbrojë pakicën serbe ashtu si të gjitha shtetet moderne demokratike evropiane ngrenë lartë mbrojtjen e të drejtave të pakicave që është një besim themelor për të gjitha shtetet moderne demokratike evropiane, si këtu në Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet evropiane, dhe kjo duhet të jetë një pjesë e rëndësishme në suksesin e pavarësisë së Kosovës.

BBC: Ka konfuzion lidhur me ligjshmërinë e një pranie të ardhme ndërkombëtare në Kosovë. Cila mendoni ju është baza ligjore për vazhdimin e një pranie ndërkombëtrare apo evropiane në Kosovë?

Zoti Murphy: Baza ligjore është rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, që është shumë qartë dhe shumë e fuqishme. Ne kemi këshilla të forta ligjore se në fakt tamam ajo që duam të arrijmë në Kosovë shpehet në atë rezolutë të OKB-së. Pran, nuk ka absolutisht asnjë pikëpyetje për këtë.

Por sigurisht ka debate nëse është gjëja e drejtë apo e gabuar, por nuk duhet të ketë asnjë mosmarrëveshje për atë që duam të arrijmë, sigurisht jemi shumë të qartë në Mbretërinë e Bashkuar, dhe gjithnjë e më e qartë në Bashkimin Evropian se ka një bazë ligjore të plotë dhe të hollësishme për atë që duam të arrijmë.

BBC: Dhe cili është vendi i planit Ahtisaari në gjithë këtë kuadër?

Zoti Murphy: Jam shumë i kënaqur të them se në vendin ku jeni ulur ju sot unë kam folur me presidentin Ahtisaari në dy apo tri raste dhe kemi folur në shumë hollësi lidhur me planin e tij.

Plani Ahtisaari është një grup i menduar mirë, i ndjeshëm dhe i ekulibruar propozimesh që janë ambicioze dhe realiste, kështu që zgjidhja e statusit të Kosovës dhe e ardhmja e Kosovës duhet të bazohen në të vërtetë në propozimet e Ahtisaarit.

Kjo është fare e qartë dhe në gjithë Bashkimin Evropian ka një dëshirë të vërtetë që të jetë kështu. Pra, Ahtisaari ofron një paketë që i jep dinjitet pavarësisë së Kosovës dhe një mbrojtje themelore që ofron shteti për pakicat, por edhe nevojën që vetë qytetarët, familjet, komunitetet të jenë mbështetës të pakicave në Kosovë në një mënyrë që çdo vend tjetër modern evropian e merr si të qenë.

Këtu në Londër, që është një fuçi prej disa dhjetrash, më shumë se 100, kombësish brenda një qyteti, diversiteti është një forcë e madhe. Dhe kështu ndodh në të gjithë Evropën.

Kështu duhet të jetë edhe në Kosovë, ku të ngremë lart diversitetin, dhe të mbështesim të drejtën e njërëzve që të jenë të ndryshëm nga ana kulturore: Kjo duhet të jetë një pjesë thelbësore e pavarësisë së Kosovës. Kjo nuk i përket vetëm qeverisë që ta zbatojë, por çdo individ, familjet, komunitetet dhe udhëheqësit në fshatra dhe qytete në të gjithë Kosovën ta garatojmë atë të drejtë, sepse duhet të ketë një garanci.

BBC: Autoritetet në Kosovë, ashtu dhe kandidati kryesor për kryeministër Hashim Thaçi, e kanë bërë të qartë se shpallja e pavarësisë është një fakt, çështja tani është vetëm koha. Ata thonë se po komunikojnë me fuqitë e tjera. Por a do të njohë Britania një shpallje të njëanshme të pavarësisë nga autoritetet shqiptare në Kosovë?

Zoti Murphy: Sekretari i Jashtëm dhe vetë unë jemi takuar me të gjithë politikanët kryesorë në këtë ndërtesë për të folur lidhur me hollësitë, kemi folur edhe me politikanët serbë, dhe kjo është gjeja e drejtë për të bërë.

Pikëpamja jonë është se Kosova duhet të jetë e pavarur, pikëpamja jonë është se kjo nuk është një çështje që mund të vazhdojmë ta debatojmë pa fund në bashkësinë ndërkombëtare dhe ne duhet të respektojmë detyrimin tonë ndaj Kosovës, kështu që Mbretëria e Bashkuar mbështet pavarësinë për Kosovën, por është një pavarësi që nuk duhet të vijë e papritur.

Ne nuk duam që një ditë të zgjohemi në Londër dhe të marrim vesh se pavarësia është shpallur në një lëvizje të papritur për bashkësinë ndërkombëtare.

Ky është një respektim nga bashkësia ndërkombëtare e angazhimit tonë për Kosovën dhe pavarësinë e saj, por udhëheqja në Kosovë, qeveria atje, duhet të punojnë me ne për të gjetur drejt kohën e saktë dhe për të pasur marrëveshje ndërkombëtare për këtë. Sepse është e rëndësishme që, kur Kosova të shpallë pavarësinë e saj të ketë njohje maksimale ndërkombëtare dhe Mbretëria e Bashkuar është e vendosur të jetë pjesë e kësaj njohjeje ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

BBC: Le të flasim pak për rajonin, sepse një Kosovë e pavarur do të shkaktojë një ngritje krye atje, Serbia është shumë e vendosur kundër saj, por ka edhe vende të tjera në rajon. A mendoni ju se një Kosovë e pavarur do të shkaktojë destabilizim në rajon, duke konsideruar gjithashtu edhe komunitetin serb që jeton në Kosovë?

Zoti Murphy: Ka një vështirësi, mendoj unë, nëse nuk kemi pavarësi për Kosovën, kjo në vetvete nuk është një zgjidhje e qëndrueshme për të ardhmen, pra që ne të lejojmë statuskuonë e tanishme që të zgjatet.

Kjo nuk është një zgjidhje e qëndrueshme në vetvete. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar mendon se një shpallje e pavarësisë që bëhet në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare nuk është shkak për destabilizim, nëse punojmë së bashku.

Sigurisht, që Serbia ka shqetësimet e saj shumë të forta dhe ne po vazhdojmë të flasim me Serbinë. Në fakt sot po zhvillojmë biseda këtu në Londër me qeverinë serbe, dhe është e drejtë që ta bëjmë këtë.

Mënyra për të ulur mundësitë e destabilizimit është që të jemi të qartë pa kushte sot, nesër dhe gjithnjë që pakicat serbe në Kosovë të jenë qytetarë të plotë, të barabartë, dhe statusi i plotë i tyre do të mbështetet, mbrohet dhe ngrihet lart, në mënyrën se si pakicat mbështeten, mbrohen dhe ngrihen lart në kryeqyteter dhe të gjitha demokracitë moderne evropiane.

Dhe kjo duhet të jetë thelbësore në mënyrën se si popullsia e Kosovës reagon ndaj deklarimit të pavarësisë së Kosovës.

BBC: Dhe një pyetje të fundit. Shqipëria dhe Maqedoni po presin një ftesë nga NATO-ja për anëtarësi. A do ta marrin këto vende ftesën në samitin e ardhshëm të NATO-s?

Zoti Murphy: NATO-ja, ne besojmë, është një forcë e madhe për të mirë dhe qëndrueshmëri në të gjithë botën, në Evropë dhe vende si Afganistani ku NATO-ja është jashtëzakonisht e rëndësishme.

Një nga fuqitë e NATO-s është mënyra se si vazhdon të zgjerohet në vitet e fundit dhe ky proces duhet të vazhdojë. Ka një vullnet politik që ky zgjerim të përfshijë Maqedoninë dhe Shqipërinë në të ardhmen, por në fakt lëvizjen e ardhme i takon ta bëjnë Maqedonia dhe Shqipëria, që të vazhdojnë reformat.

Nëse vazhdojnë modernizimin ushtrisë ka një të ardhme shumë pozitive për të dy vendet, dhe ato duhet të jenë në NATO. Por anëtarësia në NATO është shumë më shumë se vullnet i qeverive, ajo ka të bëjë me kapacitetin dhe reformën e strukturave ushtarake në këto dy vende për të garantuar që të dyja vendet në kohën e duhur të bëhen anëtare me të drejta të plota të NATO-s, jo me kohë të pjesshme, jo me status dytësor, por me status të plotë, prandaj procesi i reformave para një anëtarësie të mundshme është kaq thelbësor dhe i rëndësishëm.

Dhe Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të japë ndihmë dhe këshilla për Shqipërinë dhe Maqedoninë se çfarë mund të bëhet më shumë për t'i mirëpritur ato në familjen e vendeve të NATO-s.

 
 
LOKALE
E ardhmja e Kosovës
17 gusht 2006 | Analiza
Udhëheqës të Kosovës në Madrid
05 dhjetor 2007 | Rajoni
BE-ja në Kosovë pas UNMIK-ut
03 dhjetor 2007 | Rajoni
Çeku për shpalljen e pavarësisë
28 nëntor 2007 | Rajoni
Përfundojnë bisedimet për statusin
28 nëntor 2007 | Rajoni
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>