BBCAlbanian.com
 
Botuar: E hënë, 03 dhjetor 2007 - 21:08 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
BE-ja në Kosovë pas UNMIK-ut
 
Pieter Feith, zyrtar i BE-së për Kosovën
Feith flet për misionin e BE në Kosovë
Një zyrtar i lartë evropian thotë se BE-ja po përgatitet të marrë përsipër detyrat e udhërrëfyesit në Kosovë pas largimit nga atje të misionit të Kombeve të Bashkuara.

Zyrtari që pritet të kryesojë misionin e ardhshëm të BE-së në Kosovë, Pieter Feith, tha në një intervistë për BBC-në se misioni i BE-së po përgatitet duke u bazuar në planin Ahtisaari.

Ai la të kuptohet se vendosja e misionit të BE-së në Kosovë nuk varet nga miratimi i statusit të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por mund të mbështetet në rezolutën ekzistuese 1244.

Zoti Feith tha gjithashtu se udhëheqësit e lartë të BE-së pritet të vendosin së shpejti, në samitin e dhjetorit, për planet e BE-së në Kosovë.

Me zotin Feith bisedoi në Vjenë Nick Thorpe i BBC-së.

 Nëse kosovarët do të shpallin pavarësinë atëhere Bashkimi Evropian nuk ka si të mos e vënë re.
 
Pieter Feith, zyrtar i BE-së për Kosovën

BBC: A është dërgimi i misionit të BE-së në Kosovë një konkluzion që është arritur tashmë?

Zoti Feith: Ne duhet të shohim se çfarë do të sjellin konsultimet e mëtejshme pas raportit më 10 dhjetor. Ne nuk duam të paragjykojmë ndonjë gjë. Ne nuk duam të paragjykojmë konsultimet e mëtejshme të Këshillit të Sigurimit.

Vendet anëtare janë të gatshme të lejojnë që përgatitjet për praninë e udhëhequr nga BE-ja të vazhdojnë, por çdo gjë është në varësi të konsultimeve të mëtejshme politike.

BBC: Si besoni ju do të apo duhet të reagojë bashkësia ndërkombëtare ndaj një shpalljeje të njëanshme të pavarësisë nga Kosova?

Zoti Feith: Nëse kosovarët do të shpallin pavarësinë atëhere Bashkimi Evropian nuk ka si të mos e vënë re, sepse ne kemi thënë gjithnjë se statusi duhet të sqarohet në një fazë të caktuar.

Së dyti, njohja - kjo është një çështje që i përket secilit vend anëtar ta vendosë.

BBC: Në çfarë mase do të ndikohen detyrat e misionit të BE-së nga rrethanat e lindjes së këtij vendi?

Zoti Feith: Unë vetëm mund të them se ne po planifikojmë bazuar në mendimin se mandati do të jetë mbështetur në planet e duhura të zgjidhjes së përgjithshme të propozuara nga presidenti Ahtisaari.

Për këto detyra është rënë dakord dhe ne më tej duhet të marrim parasysh se ka një mundësi se misioni nuk do të bazohet në rezolutën e Këshillit të Sigurimit, por mbi bazë tjetër ligjore.

Megjithatë, detyrat do të mbeten ashtu siç janë dhe ato do të forcojnë sundimin e ligjit në Kosovë për të ndihmuar në reformimin edhe më tej të policisë, sistemit gjyqësor, doganave dhe shërbimeve të administratës duke vepruar në një kapacitet vëzhgues dhe udhërrëfyes dhe në mbështetje të autoriteteve të ardhme të Kosovës.

  Ne marrim parasysh se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, që nuk e ka humbur vlefshmërinë e saj, do të vazhdojë të ofrojë bazën ligjore për përpjekjet ndërkombëtare në Kosovë.
 
Pieter Feith, zyrtar i BE-së për Kosovën

BBC: Megjithatë në mungëse të një mandati të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, cila do të jetë baza ligjore e misioneve të ardhme të BE-së?

Zoti Feith: Ne marrim parasysh se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, që nuk e ka humbur vlefshmërinë e saj, do të vazhdojë të ofrojë bazën ligjore për përpjekjet ndërkombëtare në Kosovë.

Ka mundësi që autoritetet e Kosovës të bëjnë një ftesë. Dhe është e mundur që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së mund të thotë një fjalë se si dëshiron ai ta konfigurojë dhe organizojë praninë e ardhme ndërkombëtare në Kosovë mbi bazën e rezolutës 1244.

BBC: Çfarë mund të bëhet për të garantuar popullsinë serbe?

Zoti Feith: Është bërë shumë punë për përgatitjen - jo aprovimin, por përgatitjen - e legjislacionit, përfshirë një kushtetutë për Kosovën që përfshin paragrafet për të drejtat e pakicave dhe mbrojtjen e pakicës serbe, kopjuar nga propozimi i gjithanshëm i Ahtisaarit.

Prandaj, ne kemi besim se autoritetet do të bazohen në këtë kuadër ligjor që është kryesisht siç është propozuar nga Ahtisaari, dhe si rrjedhim, do të garantojë sigurinë më të mirë të mundshme për pakicat në Kosovë - jo vetëm të pakicës serbe por edhe të pakicave të tjera.

BBC: Si mund ta bindni një popull të bëhet pjesë e një Kosovë të pavarur kur ai në fakt nuk e do këtë?

Zoti Feith: Ne synojmë zbatimin e propozimeve Ahtisaari në të gjithë Kosovën. Prandaj, është qëllimi ynë t'i inkurajojmë të gjitha pjesët dhe të gjitha grupet etnike në Kosovë që ta pranojnë këtë si bazë për zhvillimin e një shteti të ardhmë të Kosovës.

Ne mendojmë se është në interes të pakicës serbe të Kosovës që të pranojë zgjidhjen e gjithëanshme si bazë për jetën e saj në të ardhmen në Kosovë sepse ajo ofron garancitë më të fuqishme të mundshme se të drejtat e tyre do të respektohen.

BBC: Ju jeni përfshirë thellë në parandalimin e konfliktit në Luginën e Preshevës në jug të Serbisë dhe në dhënien fund të konfliktit në Maqedoni (2001). Si e krahasoni detyrën tuaj sot me rolet e mëparshme?

Zoti Feith:Mendoj se ajo që bëmë në vitin 2001 ishte thjesht menaxhim i krizës dhe ajo që do të bëjmë në Kosovë do të jetë e ndryshme.

Ajo është që të këshillojmë autoritetet - jo t'i zëvendësojmë ato, por t'i këshillojmë ato, t'i ndihmojmë ato në zhvillimin e tyre në të ardhmen në rrugën drejt Evropës. Mendoj se ka pak ndryshim.

Do të thoja se shërbimi i mbështetjes së gjerë administrative që do të ofrojmë në Kosovë, është ndryshe nga menaxhimi i thjeshtë i krizës që bëmë në vitin 2001.

BBC: Ju nuk mund të parandaloni një shpallje të pavarësisë nga shqiptarët apo shpallje të autonomisë nga serbët. Çfarë duhet toleruar dhe çfarë nuk duhet toleruar?

Zoti Feith: Mendoj se është shumë e rëndësishme se çfarëdo statusi që do të vendoset për Kosovën, Kosova të ecë përpara në kontekstin rajonal. Prandaj, ajo që unë shpresoj ta shoh që të zhvillohet - ndoshta jo menjëherë për shkak të ngritjes krye dhe emocioneve fillestare - që Kosova të mundet të zerrë vendin e saj në kontekstin rajonal dhe të punojë së bashku me Serbinë dhe fqinjët e tjerë të saj drejt një begatie më të madhe ekonomike dhe lirije të lëvizjes për popullsitë.

Prandaj, është një synim pozitiv që do të doja ta përdor këtu dhe kjo është përsëri në perspektivën e afrimit me Bashkimin Evropian.

BBC: Sa të thellë e shihni ju angazhimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, dhe Kosovën në veçanti?

Zoti Feith: Mendoj se do ta shihni këtë të deklaruar qartë nga ministrat dhe ndoshta edhe nga kryetarët e shteteve dhe qeverive në fund të këtij viti, në javët e ardhshme. Dhe ka gjithashtu një dëshirë të qartë, ku është e mundur, për të shpejtuar dhe lehtësuar procesin e afrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.

Prandaj, ne do të bëjmë ç'është e mundur ta ftojmë Serbisë dhe ta ndihmojmë atë të kapërcejë krizën dhe t'i ndihmojmë ata të gjejnë mbështetjen e duhur në dëshirën e tyre për t'u afruar me Bashkimin Evorpian. Prandaj, mendoj se ky është një sinjal që pres të vijë nga takimet e fundit të vitit.

 
 
LOKALE
E ardhmja e Kosovës
17 gusht 2006 | Analiza
Lordi Eshdaun për stabilitetin në Ballkan
29 nëntor 2007 | Faqja Kryesore
Çeku për shpalljen e pavarësisë
28 nëntor 2007 | Rajoni
Rohan për bisedimet dhe statusin
27 nëntor 2007 | Rajoni
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>