http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E premte, 30 nëntor 2007 - 10:17 CET

Silvana Bardhi
BBC Prishtinë

Kosovë: SIDA nuk është shqetësuese

Sëmundja e shekullit AIDS, fatmirësisht në Kosovë nuk i ka thelluar rrënjët e saj. Ky vend krahasuar me të gjitha shtetet e Evropës ka një shkallë mjaft të ulët të infektimit.

Sipas infektologëve, Kosova për një periudhë të gjatë ka qenë e izoluar, për këtë arsye të dhënat e Insitutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike thonë se që nga viti 1986 deri sot janë zbuluar vetem 69 raste, ndonëse epidemiologët vlerësojnë se numri real duhet të jetë disa herë më i lartë.

Këtë vit janë publikuar 2 raste të të sëmurëve me SIDA, ndërkohë nën trajtim 8 persona të infektuar me virusin HIV po kurohen në Klinikën infektive në Prishtinë.

Pak të informuar

Të rinjtë në Kosovë thonë se ata janë shumë pak të informuar lidhur me mënyrat e parandalimit të HIV-AIDS-it.

Sipas hulumtimeve, një nga shkaktarët e rritjes së numrit të të infektuarve me virusin HIV në botë është rritja e shkallës së trafikimit me qenie njerëzore. Kosova në krahasim me vendet e tjera të rajonit ka numër më të ulët të trafikimit.

Bekim Ajdini, nga organizata ndërkombëtare për migracion, IOM, thotë se kjo organizatë tenton që të gjithë viktimat me HIV pozitiv të ndihmohen dhe kjo sipas tij është arritur me fushatat e shpeshta që ka marrë kjo organizatë.

Organizatat ndërkombëtare në Kosovë vlerësojnë se ekziston një sistem i dobët i mbikqyrjes dhe shifrat e të infektuarve me virusin HIV bazohen vetëm tek rastet e regjistruara.

Sipas zyrtarit të programit për të rinj në UNICEF, Dren Rexha, informacioni që kanë të rinjtë në lidhje me metodat e parandalimit është shumë më i ulët.

Ai thotë se UNICEF-i do të fillojë një projekt të quajtur 'Aftësitë jetësore' në rreth 30 për qind të shkollave fillore, ku do t’u jepet informacion rreth mënyrave të parandaliomit të HIV AIDS-it.

Fondi global në luftë kundër AIDS-it i ka ofruar ndihmë Ministrisë së Shëndetësisë i cili, sipas infektologut në këtë ministri, Ilir Tolaj, do të jetë i orientuar tek investimet për strukturat që do të punojnë për parandalimin e rritjes së rasteve të të sëmurëve me HIV – AIDS në Kosovë.

"Tetë prej tyre që janë gjallë dhe që janë në stadin më të avancuar të infeksionit, janë nën trajtim me terapinë antiretrovirale, më të avancuarën në botë, e cila është duke dhënë rezultate jashtëzakonisht premtuese për përmirësimin dhe zgjatjes së jetës së të infektuarve në Kosovë", thotë infektologu Ilir Tolaj.

Në Kosovë, një vit më parë, me ndihmën e UNICEF dhe UNAIDS u themelua asosiacioni kosovar i personave me HIV AIDS, me qëllim për të hartuar materiale edukativo-shëndetësore dhe për të organizuar trajnime për personat e prekur nga sëmundja e shekullit.