http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E martë, 27 nëntor 2007 - 10:51 CET

Rohan për bisedimet dhe statusin

Ish- zëvendësndërmjetësi i OKB-së për statusin e Kosovës, Albert Rohan, ka shfaqur drojën e tij se bisedimet e filluara në Baden të Austrisë do të përfundojnë pa një marrëveshje të negociuar.

Në një intervistë me BBC-në zoti Rohan thotë se mrekullia më e madhe e bisedimeve do të ishte nëse Serbia do ta pranonte pavarësinë e Kosovës.

Por në rast të dështimit të bisedimeve, thotë ai, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të përballet me dy zgjidhje të mundshme: ta lë konfliktin të pazgjidhur ose që çështja e Kosovës të zgjidhet pa një rezolutë të KS.

Zoti Rohan ka shfaqur bindjen e tij se problemi i Kosovës do të zgjidhet në çerekun e parë të vitit të ardhshëm, duke shtuar se do të ishte e udhës që BE të angazhohet rreth kësaj kështjeje.

Me zotin Rohan bisedoi Arbër Vllahiu dhe fillimisht e pyeti se cila është perspektiva e bisedimeve të filluara në Baden të Austrisë?

Albert Rohan: Mësimet që i kemi mësuar deri tash janë se mund të arrihet një marrëveshje mes dy palëve vetëm nëse ka një minimum të vullnetit politik nga të dyja palët.

Por sa i përket çështjes fundamentale të statusit ne nuk besojmë se ky vullnet politik është i pranishëm. Prandaj, perspektiva e këtij raundi të fundit të bisedimeve është shumë e hollë.

Por u duhet ofruar palëve mundësi, dhe ky ka qenë edhe qëllimi i këtyre katër muajve të angazhimit të Treshes e cila deshi t'ju ofronte palëve edhe një mundësi tjetër për të bërë kompromise dhe lëshime nëse do të donin. Deri tash kjo nuk ka ndodhur.

BBC: Në bazë të asaj që po thoni, s'ka asnjë mundësi që palët të arrijnë një marrëveshje madje as gjatë këtyre tri ditëve?

Albert Rohan: Sikur e thash, gjithnjë mund të ndodhin mrekullitë, megjithëse nuk ndodhin shumë shpesh. Nëse palët duan, e kanë edhe një mundësi dhe kjo është shpresa e Treshes, por është e vërtetë se do të ishim tejet optimistë sikur të prisnim një zgjidhje.

BBC: Kur thoni mrekulli, a do të thotë kjo se njëra palë duhet të bëjë një kompromis të fuqishëm për të arritur marrëveshjen?

Albert Rohan: Statusi i ardhshëm mund të bazohet ose vetëm në pavarësi ose në sovranitetin serb. Nuk mund të shkojnë të dyja së bashku. Njëra nga palët duhet të lëshojë pe në këtë çështje fundamentale, nëse duam një zgjidhje kompromisi. Përndryshe nuk është e mundshme një zgjidhje me marrëveshje dhe kjo ka shumë gjasa të ndodhë.

BBC: Zoti Rohan a mund të vijmë në një përfundim që ndarja të jetë një lloj marrëveshje mes palëve?

Albert Rohan: Ndarja ka qenë e përjashtuar nga të gjithë, duke filluar nga Grupi i Kontaktit para dy vjetësh përmes parimeve udhëzuese pastaj edhe nga ne si dhe nga vetë palët, serbët dhe shqiptarët. Prandaj askush nuk po mendon për ndarjen dhe nuk mendoj se kjo do të jetë një zgjidhje.

BBC: Ju i njihni të dyja palët. Po thoni mrekulli pse? Çka mund të jetë mrekullia që mund të ndodhë?

Albert Rohan: Mrekulli mund të jetë nëse pala serbe do të pranonte realitetin se qeverisja serbe mbi Kosovën ka përfunduar që në vitin 1999.

Më e mira do të ishte të pranohej një pavarësi e Kosovës, që do të ishte një fqi miqësor dhe do të përfundonte me marrëveshje për bashkëpunim, për zhvillim ekonomik dhe të punojnë për sigurinë e serbëve që kanë mbetur në Kosovë.

Ata janë diku rreth 120 mijë, megjithëse askush nuk e di saktësisht sa kanë mbetur. Në propozimin tonë ne kemi pjesë që janë shumë të gjera në mbrojtjen e serbëve të Kosovës.

Nëse kjo do të pranohej nga Beogradi, atëherë do të shënonte, ndoshta jo mrekulli, por një ndryshim pozitiv.

BBC: Plani juaj nuk ka qenë pjesë e këtyre bisedimeve. A po kthehet tani ai sërish në tavolinë?

Albert Rohan: Është i vetmi propozim kompromisi deri tash. Unë nuk shoh asnjë propozim alternativ askund. Ai ishte para KS-së dhe ai nuk mori një vendim për të sepse nuk kishte votim për të e as kundër tij. Natyrisht se është në tavolinë dhe ai është kompromis.

Nëse i shikoni qëndrimet fillestare të palës kosovare dhe asaj serbe, atëherë në propozimin tonë mund të shihni se ai qëndron diku në mes të këtyre dy qëndrimeve. Pra, është një propozim kompromisi dhe i vetmi që ekziston.

BBC: Ju po thoni se plani juaj ka shtrirje të gjerë. Por le të kthehemi vetëm dhjetë ditë më parë. Serbët e Kosovës i bojkotuan zgjedhjet në përgjithësi. Atëherë, cila do të ishte perspektiva e tyre në një Kosovë të pavarur?

Albert Rohan: Ne gjithmonë e kemi thënë se provizionet që kanë të bëjnë me serbët e Kosovës kanë nevojë për angazhim të tyre të qartë. Nëse ata nuk i shfrytëzojnë mundësitë që ne u kemi ofruar, atëherë plani jonë nuk do të zbatohet dhe kjo është e qartë.

Mendoj se ishte gabim mospjesëmarrja e tyre dhe mosangazhimi i serbëve të Kosovës. Është kundërproduktiv. Qëndrimi im është qëndrim i bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë Grupin e Kontaktit dhe përfshirë edhe përfaqësuesin rus në këtë Grup.

Të gjithë u kanë bërë thirrje serbëve të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe i kanë bërë thirrje Beogradit që të mos i udhëzojë serbët e Kosovës të mos marrin pjesë.

Për fat të keq u përsërit ajo që ka ndodhur më parë kur serbët e Kosovës u udhëzuan nga Beogradi të mos marrin pjesë dhe kjo është për keqardhje dhe kundërproduktive.

BBC: Si po shihet 10 Dhjetori do të shënojë fundin e këtyre bisedimeve shtesë. Cili është hapi i ardhshëm atëherë?

Albert Rohan: Nëse do të ndodhë ajo që ne druajmë se do të ndodh, që takimi i sotëm dhe i nesërm të mos sjell asnjë rezultat, dhe nëse vizita e paraparë e Treshes në Prishtinë dhe Beograd nuk sjell asnjë përparim, atëherë Treshja do të dorëzojë raportin tek Sekretari i Përgjithshëm për punën e bërë gjatë katër muajve të fundit, dhe pastaj Sekretari i Përgjithshëm do ta dorëzojë atë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Atëherë do të gjendemi në të njëjtën situatë sikur edhe në pranverën e kaluar kur ky këshill u ngulfat me propozimin tonë.

Kjo është arsyeja pse unë po them se propozimi ynë do të kthehet sërish sepse ai ishte para KS. Atëherë do të shohim nëse KS për dallim nga qershori do të ketë mundësi të marr një vendim. Apo Rusia sërish do të kërcënohet me veto duke i pamundësuar KS-së të deklarohet.

BBC: Dhe çka pastaj, nëse nuk kemi Rezolutë të KS, atëherë çka do të bëhet?

Albert Rohan: Atëherë KS-ja ka vetëm dy zgjidhje: ta lë konfliktin të pëzgjidhur, të vazhdojë me status-quo që për të gjithë, përfshirë edhe ambasadorin Kai Eide, që ishte përfaqësuesi i parë i Sekretarit të Përgjithshëm dhe e hartoi raportin për gjendjen, ka qenë e papranueshme dhe e paqëndrueshme.

Nëse e pranojmë se status-quo është e papranueshme atëherë është një tjetër zgjidhje, pra ta zgjidhim pa një Rezolutë të KS-së.

Kjo është një zgjidhje jo e mirë, por nëse nuk ka alternativë atëherë kjo është mënyra e vetme për të ecur përpara dhe të zbatohen propozimet tona, nga kushdo që do ta bëjë këtë.

Besojmë se BE-ja do të ketë mundësi ta bëjë këtë dhe jo të pres nga Këshilli.

BBC: Pra, zoti Rohan, ne po ecim drejt një situate shumë të paqartë?

Albert Rohan: Nuk do ta quaja të paqartë sepse ne do të jemi shumë të qartë. Ne duam ta zgjidhim me një vendim të Këshillit të Sigurimit, por nëse ai nuk ka mundësi ta marrë një vendim të tillë, atëherë ne duhet ta bëjmë pa të. Përmbi të gjitha Kosova është një problem evropian dhe do të ishte e udhës që BE ta zgjidh atë.

BBC: Dhe, kur do të mund të presim që do ta zgjidh?

Albert Rohan: E urrej të përmend data sepse kemi përvojë që për shkak të arsyeve të ndryshme çdo datë që e kemi përmendur nuk është mbajtur. Por mendoj se në çerekun e parë të vitit të ardhshëm kjo zgjidhje do të bëhet.