BBCAlbanian.com
 
Botuar: E premte, 23 nëntor 2007 - 09:05 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Petritsch porosit kundër hapave të nxituar
 
Wolfgang Petritsch
Ambasadori i Austrisë në OKB në Gjenevë, Wolfgang Petritsch, e ka porositur udhëheqjen e re të Kosovës që të dëgjojë zërat e BE-së për të mos ndërmarrë hapa të parakohshëm në shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës.

Përfaqësuesi austriak në OKB i ka deklaruar BBC-së se Prishtina zyrtare duhet të krijojë raporte të mira me BE-në për të ecur së bashku drejt zgjidhjes së problemit të Kosovës.

Ambasadori Petritsch ka theksuar se BE-ja ka nevojë për më shumë kohë që të arrijë një konsensus brenda saj mbi të ardhmen e Kosovës por ka shtuar se pas 10 dhjetorit BE-ja duhet të marrë përgjegjësinë dhe udhëheqjen drejt zgjidhjes së kësaj sfide.

Sipas tij BE-ja duhet që tani të përgatisë veten për një sfidë shtesë në Kosovë dhe kjo do të vijë atëherë kur OKB-ja të mos mund të marr një vendim.

Me zotin Petritsch bisedoi Arbër Vllahiu dhe e pyeti se çka nënkupton për bashkësinë ndërkombëtare ndryshimi në skenën politike kosovare pas zgjedhjeve të 17 Nëntorit:

Petritsch: Para së gjithash zgjedhjet e fundit ishin shenjë e qartë se ndryshimet demokratike dhe demokracia në Kosovë është duke funksionuar.

Ishte një pranim normal i këtij ndryshimi demokratik që ndodhi mes opozitës dhe qeverisë aktuale. Kjo është një shenjë shumë pozitive për bashkësinë ndërkombëtare.

Kjo e fundit ndërkaq, vazhdon të përballet me faktin se nuk ka unitet në mesin e anëtarëve të përhershëm të KS të OKB-së, se nuk ka konsensus në Grupin e Kontaktit dhe rrjedhimisht nuk ka konsensus as edhe në Treshen Ndërmjetësuese rreth statusit të ardhshëm të Kosovës.

BBC: Kësaj çështjeje do t'i kthehem sërish më vonë zoti ambasador. BE-ja i ka bërë thirrje fituesit të zgjedhjeve në Kosovë dhe me këtë edhe institucioneve të reja kosovare, që të mos shpejtojnë në shpalljen e njëanshme të pavarësisë. A do të thotë kjo se BE-ja nuk i beson forcës që ka fituar zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë?

Petritsch: Unë nuk mendoj ashtu. Në fakt ekziston një besueshmëri e qeverive në BE dhe në bashkësinë ndërkombëtare në mundësitë për të vepruar në mënyrë demokratike. Dhe kjo është dëshmuar kështu.

Por ka më shumë vështirësi kur bëhet fjalë për statusin e ardhshëm të Kosovës, se si të veprohet nëse nuk ekziston unanimiteti, nëse nuk ka një pajtueshmëri në OKB.

Për shkak të kësaj, është vlerësimi im, se tani BE-ja në një mënyrë është lojtari kryesor në Ballkan ose në Kosovë dhe për këtë shkak BE-ja duket se do të jetë e sigurt se nuk do të ketë nguti në marrjen e vendimeve politike sikur është shpallja e njëanshme e pavarësisë. Dhe kjo duhet të merret shumë seriozisht nga udhëheqja e re e zgjedhur politike në Prishtinë.

BBC: Pra kjo nënkupton se BE-ja po përgatitet që të pranojë pavarësinë e Kosovës?

Petritsch: Në fakt Kosova është tashmë e pavarur nga Serbia dhe kjo është e qartë se shumica shqiptare e do këtë. Ky është një fakt.

Por me qëllim që të bëhet anëtare e bashkësisë ndërkombëtare dhe në këtë rast e BE-së, duhet të dëgjohen zërat që vijnë nga kjo bashkësi ndërkombëtare dhe në veçanti siç e thashë më herët duhet dëgjuar zërat që vijnë nga partneri kryesor e që është BE-ja.

BBC: Por ambasador nëse nuk ka unitet brenda KS, brenda Grupit të Kontaktit dhe Treshes atëherë cili do të duhej të ishte hapi i kosovarëve? Të vazhdojnë të presin ende zgjidhjen?

Petritsch: Mendoj se nëse udhëheqja kosovare e njeh rëndësinë e marrëdhënieve me BE-në atëherë do të ndrydh kërkesat që të mos përshpejtojë në çfarëdo përfundimi të parakohshëm. Por kjo gjithashtu shtron nevojën brenda BE-së që të marrë një vendim. Gjithmonë duhet bashkëpunuar.

Në njërën anë kemi udhëheqjen shqiptare të Kosovës e cila tani duhet të reflektojë që të mos marr vendime të parakohshme, por në anën tjetër nëse ata e bëjnë një gjë të tillë atëherë BE-ja ka përgjegjësinë për të ofruar një propozim se si të ecim përpara. Mendoj se do të ishte korrekte të interpretohej kjo si diçka ne qënder të BE-së, se ajo do që të veprojë tani, por ka nevojë për pak më shumë kohë. Ajo ka nevojë për më shumë kohë që të diskutojë në vet mesin e saj për situatën e re, dhe mos harroni se janë 27 vende dhe një pjesë e tyre hezitojnë që të përcjellin shumicën. Por në sytë e BE-së është me rëndësi që të ketë një qëndrim unanim sepse ne përballemi me kundërshtimin e Rusisë, pastaj përballemi me problemin se nuk kemi një mandat të OKB-së për një pavarësi të tillë të mundshme tani. Prandaj të dyja palët duhet të jenë shumë të kujdesshme në ndërmarrjen e hapit të ardhshëm. Do ta them sërish se është me rëndësi të madhe tani për udhëheqjen e re të zgjedhur në Prishtinë që të dëgjojë BE-në dhe në anën tjetër të pyes BE-në se cili është hapi i ardhshëm.

BBC: Ambasador, ky process i 120 ditëshit nuk ka sjellë marrëveshje mes palëve. Takimi i fundit pritet të mbahet javën e ardhshme. Por Treshja e ka pranuar se s'ka marrëveshje mes palëve…

Petritsch: Jo ende nuk ka përfunduar çdo gjë. Ne duhet të provojmë deri në çastin e fundit dhe mendoj se duhet të kalojmë një kilometër më shumë. Kjo është me rëndësi për opinionin ndërkombëtarë që t'i demonstrohet qartë se evropianët, Treshja kanë bërë çdo gjë të mundur për të arritur një marrëveshje të negociuar. Për fat të keq me sa duket s'ka një kompromis ende dhe ky do të jetë raporti i Treshes më 10 dhjetor. Pas kësaj BE-ja duhet të marr përgjegjësinë adekuate se ky problem është vërtetë evropian dhe se evropianët duhet të marrin udhëheqjen në zgjidhjen e kësaj sfide. Mendoj se ka mundësi që të gjendet një zgjidhje evropiane dhe me këtë nënkuptojë se rregullat e BE-së dhe procesi i integrimit evropian si dhe praktikat evropiane do të merren parasysh për të krijuar dicka që ëhstë vërtetë e shekullit 21. Nuk duhet të kthehemi në shekullin 19 kur kemi patur shtetet-kombe. Pavarsia dhe sovraniteti janë më shumë çështje relative dhe tani për Kosovën është me rëndësi të ketë një marrëdhënie të mirë me BE-në. Kjo do te duhej të ishte çështja numër një në raportin ndërmjet Brukselit dhe Prishtinës.

BBC: Me sa e kuptova çështja e Kosovës nuk duhet të kthehet edhe njëherë në KS të OKB-së por ajo duhet të jetë çështje ekskluzive e BE-së?

Petritsch: Besoj se tani duhet të shohim se çfarë do të përmbajë raporti më 10 dhjetor dhe pastaj është OKB-ja aty që të gjykojë rreth rezultatit dhe të vendos mbi hapat e ardhshëm. Por të jem realist, BE-ja duhet që tani të përgatis veten për një sfidë shtesë në Kosovë dhe kjo do të vijë atëherë kur OKB-ja të mos mund të marr një vendim.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>