BBCAlbanian.com
 
Botuar: E premte, 23 nëntor 2007 - 13:27 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Tendencë në rritje e AIDS-it në Shqipëri
 
Eksperti i sëmundjes AIDS Arjan Harxhi
Në Shqipëri 54 të sëmurë me virusin HIV kanë humbur jetën.
Një ekspert për sëmundjen AIDS në Shqipëri thotë se tendenca e sëmundjes është në rritje nga viti në vit, tendencë që pritet të vazhdojë.

Kombet e Bashkuara e kanë ulur në mënyrë të ndjeshme numrin e njerëzve që vlerësohen se janë prekur nga virusi i AIDS-it.

Agjensia e OKB-së, UNAIDS, thotë se numri rasteve me virusin HIV në të gjithë botën është 33 milionë, krahasuar me 40 milionë vitin e kaluar.

Kjo shënon një rënie me një të pestën.

Kombet e Bashkuara thonë se kjo rënie më së shumti është rezultat i përmirësimit të metodave për vlerësimin e HIV/AIDS-it, ne vende te tilla si India.

Aleksandër Furxhi i BBC-së bisedoi me ekspertin e sëmundjes në Shqipëri, Arjan Harxhi, dhe fillimisht e pyeti cila është situata në Shqipëri.

Arjan Harxhi: Deri në fund të shtatorit 2007 në Shqipëri janë raportuar 39 raste të reja për infeksionin Hiv/Aids duke e çuar numrin total të rasteve në 250 të tillë.

Numri total i rasteve me Aids në stadin përfundimtar shkon në 84 raste, nga të cilat 54 kanë përfunduar me vdekje.

Nga këto persona kemi 17 fëmijë të prekur nga infeksioni Hiv/Aids. Ndër këta fëmijë 12 janë infektuar nëpërmjet transmetimit vertikal dhe 5 raste nëpërmjet gjakut.

BBC: Zoti Harxhi çfarë do të thotë transmetim vertikal?

Arjan Harxhi: Transmetim vertikal do të thotë nga nëna tek fëmija. Shqipëria vazhdon të mbetet vend me prevadencë të ulët, porse karakteristikat për Shqipërinë është se ne nuk kemi epidemi fatmirësisht akoma tek Hiv/Aids midis personave që përdorin droga intraminoze.

Ky infeksion mbetet një infeksion seksualisht i transmetueshëm, pra prek grupmoshat seksualisht aktive dhe është kryesisht seksualisht i transmetueshëm në mbi 80% të rasteve qoftë heteroseksuale, qoftë homoseksuale dhe kryesisht me persona të cilët kanë shfaqur sjellje të rrezikshme seksuale qoftë të qënit emigrant, apo dhe persona që nuk kanë emigruar, pra që janë infektuar brenda Shqipërisë.

BBC: Cila është periudha e pikut të përhapjes së sëmundjes në Shqipëri në raport midis viteve 2001 – 2007? Cila është periudha më e acaruar?

Arjan Harxhi: Tendenca është në rritje nga viti në vit dhe kulminacioni është viti që po jetojmë 2007 ku vetëm në 9 muaj ne kemi 39 raste, krahasuar kjo me dy vitet e fundit ku në 2005 kemi patur vetem 31 raste dhe 2006 32 raste. Bindja ime është se kjo tendencë do vi në rritje.

BBC: Sa kanë mbërritur në Shqipëri teknika të reja dhe mjekime moderne të mjekimit të sëmundjes? Në çfarë stadi është Shqipëria në këtë plan?

Arjan Harxhi: Fatmirësisht falë fenomeneve të globalizimit nuk kemi vetëm pasoja negative siç është ky infeksion, por në Shqipëri kanë mbërritur metodat e reja moderne të manaxhimit të këtij infeksioni, qoftë në drejtim të diagnostikimit, monitorimit dhe të mjekimit.

Në Shqipëri prej 3 vjetësh për personat që jetojnë me Hiv/Aids ne aplikojmë terapinë antiretrovirale të kombinuar. Ne disponojmë barna shumë të mira antiretrovirale ndoshta jo aq në numër të shumtë sa mund të flasim po të krahasohemi me perëndimin.

Ne kemi mbi 8-9 preparate që bëjnë të mundur aplikimin e një terapie të kombinuar mjaft efikase dhe kjo është parë dhe nga ecuria e rasteve.

BBC: Çfarë është në konceptin tuaj si mjek i kësaj fushe teknikë efikase?

Arjan Harxhi: Ne bëjmë të mundur një përmirësim të monitorimit më të mirë të rasteve dhe falë mjekimit me barna ne bëjmë të mundur frenimin e avancimit të sëmundjes me pikësynimin final tendencën për ta futur këtë sëmundje nga vdekjeprurëse në një stad me ecuri kronike, pra një sëmundje kronike.

Ky është ideali jonë si mjek ekspert, por që të realizohet kjo duhet që të diagnostikohet në kohë si rast dhe të mjekohet me efikasitet. E them këtë sepse në Shqipëri ne fatkeqësisht vazhdojmë të kemi shifra të ulta të testimeve të kryera nga popullata dhe sidomos për testimet vullnetare.

Vetëm për vitin 2007 ne kemi vetëm 1057 ekzaminime nga të cilat vetëm 140 janë vullnetare, pra është një shifër e ulët e cila tregon që edukata dhe ndërgjegjësimi i popullatës është akoma i ulët për tu testuar.

Por edhe aksesi që ato kanë ndaj shërbimeve të testimit është i ulët. Kjo sjell dhe një dëm tjetër që vetëm nga këto 39 raste të diagnostikuara, një pjesë mbi 40% e tyre janë diagnostikuar në stadin siptomatik dhe Aids të sëmundjes, pra janë diagnostikuar shumë vonë ku dhe efekti i mjekimeve nuk është aq efikas po të kishte filluar pak më herët.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>