BBCAlbanian.com
 
Botuar: E diel, 18 nëntor 2007 - 12:58 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Ivanoviq për zgjedhjet e së shtunës
 
Oliver Ivanoviq
Oliver Ivanoviq
OLiver Ivanoviq, një ndër udhëheqësit e serbëve në Kosovë, tha për BBC-në se fitorja e PDK-së ishte e pritshme, ndërsa kofirmoi se qëndrimi i Beogradit ishte mbizotërues që serbët t'i bojkotojnë zgjehdjet e së shtunës.

Me zotin Ivanoviq bisedoi Seladin Xhezairi dhe së pari e pyeti se cili ishte komenti i tij për këto zgjedhje?

Zoti Ivanoviq: Ishin gjëra që priteshin.Thënë shkurt, gjatë gjashtë viteve të fundit, vërehej apatia midis shqiptarëve dhe një rënie konstante e daljes në vendvotime megjithëse oferta politike ishte e madhe - nga e djathta ekstreme deri tek e majta ekstreme.

Ofertë gjithësesi kishte, por fushatat ishin shumë sterile - shkurt nuk kishin se çfarë të reje të ofrojnë. Është evidente se statusi dhe pavarësia nuk janë motiv i mjaftueshëm për shqiptarët e Kosovës që të dalin në zgjedhje.

Sa u përket serbëve, ata kishin një problem të madh sepse, edhepse kryesisht të vetëdijshëm për nevojën e daljes në zgjedhje dhe të pjesëmarrjes nëpër institucione, thjesht nuk patën mjaft fuqi që t'i kundërveheshin një qëndrimi unik të Beogradit që në këto zgjedhje të mos dilet.

Duhet shtuar po ashtu se serbët në Kosovë kanë në parim mosbesim ndaj institucioneve me shumicë shqiptare dhe kjo manifestohet në forma të ndryshme.

Duhet shtuar pastaj edhe bisedimet për statusin dhe nevojën që me njëfarë hapi të tyre të mos prishet ose të mos dobësohet pozicioni negociator i delegacionit tonë serb.

Me një fjalë, kur kjo të merret parasysh rezultati është mëse i pritshëm, edhepse duhet parë renditjen e forcave politike, ndonëse më duket se pa marrë parasysh që Hashim Thaçi shpalli fitoren, unë mendoj se ai edhe realisht, para zgjedhjeve, llogaritej si favorit.

BBC: Zoti Ivanoviq, menjëherë pas zgjedhjeve shefi i UNMIK-ut la të kuptohet se pavarësisht bojkotit serbët do të kenë përfaqësuesit e tyre legjitimë në parlamentin e Kosovës. Komenti juaj?

Zoti Ivanoviq: Ata të cilët janë zgjedhur janë legjitimë. Shtrohet çështja e kredibilitetit të tyre dhe kjo është një temë krejtësisht tjetër.

Ç'është e vërteta, zgjedhjet ishin të hapura për të gjithë. Dalja, siç pritej, ishte, sikurse thash, e vogël, por mundësinë e daljes në zgjedhje e kishin të gjithë ata që dëshironin.

Mirëpo, unë dyshoj se njerëzit me një kredibilitet të vogël, sepse fjala është për një listë me kredibilitet të ulët, me një mbështetje të vogël të votuesve, do të marrin përsipër punë të mëdha dhe me përgjegjësi. Kjo nuk është e lehtë dhe të huajtë rrallëherë ia dalin ta kuptojnë.

Nuk mund të hyhet në institucion, pa marrë parasysh sa është e madhe dëshira jonë, sa plane e ambicie kemi.

Lista Serbe, fjala vjen, nuk hyri për tre vjet në institucione pikërisht për shkak se këtë kompensim për daljen e vogël të votuesve nuk e mori, sepse qeveria e Serbisë nuk na mbështeti për këtë.

Dua të them se edhe këta do ta kenë shumë vështirë,sepse fjala është për një periudhë shumë të ndieshme, por të shohim, të presim pak.

BBC: Shtrohet një pyetje e logjikshme, nga këndi shqiptar do të thoja - deri kur serbët e Kosovës do ta dëgjojnë vetëm Beogradin?

Zoti Ivanoviq: Përgjigja është e lehtë - gjithnjë përderisa nuk shohin se me veprimin autonom mund të realizojnë ato që janë interesa vitale të serbëve.

Më duhet të them se në këtë moment përfaqësuesit e serbëve më së shumti janë vënë në pozitë që të luajnë role dytësore. Këtë shumë njerëz të mençur e të arsimuar nuk mund ta pranojnë.

Shqiptarët e fryjnë nevojën për serbët dhe të shpeshtën roli ynë nuk është aq efikas.

Në momentin kur të bëhet i efektshëm mendoj se do të forcohet fronti i njerëzve të cilët nuk dëshirojnë të veprojnë në mënyrë destruktive, dëshirojnë të ndërtojnë marrëdhënie të forta me shqiptarët dhe gjithësesi që të luftojnë kundër pavarësisë brenda institucioneve, nëse kjo është e mundshme.

BBC: Tani pas këtyre zgjedhjeve, në ç'drejtim do të udhëtojë më shpesh zoti Ivanoviq - kah Beogradi apo Prishtina?

Zoti Ivanoviq: Pas zgjedhjeve do të këqyr punë të re dhe do të vazhdoj punën në Kosovë. Me sisguri do të udhëtoj më shpesh në vijën Mitrovicë-Prishtinë.

 
 
LOKALE
Serbët nuk votojnë në Mitrovicë
18 nëntor 2007 | Rajoni
Reagimet e Beogradit për zgjedhjet
18 nëntor 2007 | Rajoni
Kryetari i PDK-së shpall fitore
18 nëntor 2007 | Rajoni
SHBA kritikon bojkotin serb
18 nëntor 2007 | Rajoni
Pjesëmarrje e ulët në votime
18 nëntor 2007 | Rajoni
TË JASHTME
BBC nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e faqeve të jashtme të internetit
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>