http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E mërkurë, 31 tetor 2007 - 17:30 CET

Ahtisaari: 'Plani im kompromisi më i mirë'

Ish-i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari, thotë se plani i paraqitur prej tij është kompromisi më i mirë për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Duke folur për BBC-në gjatë një qëndrimi në Londër ai thotë se negociatat e tanishme janë edhe një orvatje që të dëshmohet se u bë çdo gjë e mundur për të arritur marrëveshje mes palëve.

"Unë nuk mund të heq dorë duke kërkuar falje se nuk munda të zgjidh këtë çështje," tha zoti Ahtisaari.

Kimete Bytyçi bisedoi me zotin Ahtisaari.

BBC: Cilat janë gjasat e arritjes së marrëveshjes nën drejtimin Treshes ndërkombëtare? A do të kthehet plani juaj përsëri në tavolinë?

Zoti Ahtisaari: Plani im është në tavolinën e Këshillit të Sigurimit. Ai është plani i vetëm para këtij Këshilli. Tani për tani nuk ekziston plan tjetër. Do të shohim se çka do të konkludohet nga Treshja. Procesi i tashëm i negociatave është orvatje që të dëshmojë se çdo gjë e mundur u bë në këtë proces.

Unë vetë këshillova që të mos kërkojnë nga unë dhe kolegët e mijë ta bëjmë këtë gjë, por që ata tani të bëjnë këtë gjë. Unë pata ftuar Grupin e Kontaktit në takimin më 10 mars dhe disa takime të tjera. Ata panë se si po sillen palët në këto takime.

Prandaj unë u thashë 'tani ju duhet të kaloni nëpër këtë proces, të përjetoni vëtë procesin. Nëse arrini diçka praktike, bukur'. Kështu u morrëm vesh që një nga kolegët e mij të lartë të jetë në dispozicion në rast nevoje.

BBC: Por cilat janë gjasat që Treshja të arrijë marrëveshje? Vet plani juaj në atë kohë u cilësua si kompormis. Çfarë kompromisi mund të arrihet tani e që ju nuk e kishit parashikuar në planin tuaj?

Zoti Ahtisaari: Kjo mbetet të shihet. Ata akoma kanë të paktën edhe tri takime para se të raportojnë. Më pas do të shohim se çfarë do të dalë nga ky proces. Ata kanë disa pika që po diskutojnë. Në këtë moment vërtet është vështirë të flitet me siguri mbi këto parashikime. Do t'ju thoja po të isha i sigurtë. Të presim e të shohim.

BBC: Ndërkohë mund të thoni se ku i shihni ju arsyet kryesore për këtë dështim të deritashëm?

Zoti Ahtisaari: Arsyet ndoshta duhen kërkuar tek historia. Shumë varet nga si shihet historia e rajonit, ajo që ndodhi nga viti 1989 e deri tani. Nuk ka nevojë të shkohet në vitin 1300. Më kujtohet se kur kryesoja grupin punues të Bosnjës e Hercegovinës, Radovan Karaxhiqin na tregonte hartat nga viti 1300.

Kjo ndoshta është çështja kyçe, pra të arrijmë të merremi vesh se çfarë, si dhe prej kur duhet të hedhim sytë pas dhe se si të dalim nga kjo tollovi. Këto negociata në fakt janë orvatje që të dalim nga kjo tollovi e krijuar në vitet 90-të.

BBC: Dhe ju mendoni se plani juaj do të kthehet për diskutim?

Zoti Ahtisaari: Plani im nuk është duke u zhdukur askund. Ai është në tavolinë dhe nuk do të zhduket askund. Unë besoj se ky është kompromisi më i mirë që mund të kemi. Ka mbështetjen e shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian.

Shumica dërmuese e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit e mbështesin këtë plan nëse jo akoma të gjithë anëtarët e përhershëm të këtij Këshilli. Shpresoj se edhe të tjerët do të kuptojnë këtë me kohë. Unë nuk mund të heq dorë ashtu duke kërkuar falje se nuk munda të zgjidh këtë çështje.

Asnjë zgjidhje e konflikteve nuk mund të gjendet pa analizuar shkaqet e vet konfliktit në fjalë. Zgjidhja nuk mund të gjendet nëse nuk ka gatishmëri të analizohet sinqerisht se çka eci mbrapsht në një situatë konflikti.

Ndryshe keni situatë si në Serbi ku thuhet se ishte një regjim tjetër që shkaktoi problemet me shqiptarët. Gjatë një bisede me (ish-ministrin e jashtëm serb) Vuk Drashkoviqin ai më tha se qeveria e tashme demokratike (serbe) në duhet të dënohet për atë që bëri Milosheviqi.

Por unë iu përgjigja se 'kjo qeveri nuk mund as të shpërblehet për këtë'.
Fatkqesësisht në Evropë vetëm Gjermania ka vështruar të kaluarën e vet. Regjimi demokratik në Serbi duhet të merret me të kaluarën. Nuk ka ecje përpara pa marrë përgjegjësinë për të kaluarën edhe nëse personalisht nuk ke bërë asgjë.

Ne kurrë nuk duhet të pranojmë se ndonjë konflikt nuk mund të zgjidhet. Disa anëtarë të perhershëm nganjëherë përmendin mundësinë se Kosova mund të shdërrohet në konflikt të ngrirë si ai i Qipros apo Palestinës. Unë as që dëshirojë të diskutojë alternativa të tilla. Ne duhet t'i shtyjmë qeverintë që të zgjidhin konfliktet.

Mua më duhet të luftoj për këtë plan sepse kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur këtë problem. Ai garanton praninë e bashkësisë ndërkombëtare që do të sigurojë se qeveria e ardhshme atje do të bëjë atë që kemi parashikuar në planin tonë, të ndryshojë këtë shoqëri sepse akoma nuk janë implementuar të gjitha standardet.

Të fillojmë të sigurojmë në përgjigjthësi në Ballkan një jetë më të mirë për njerëzit e zakonshëm.