http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E mërkurë, 17 tetor 2007 - 20:42 CET

Berisha kërkon bashkëpunim për reformat

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha shprehu besimin se forcat kryesore politike në Shqipëri dëshirojnë largimin e kryeprokurorit Theodhori Sollaku, por nuk janë në një mëndje për mënyrat.

Zoti Berisha tha në një intervistë për BBC-në gjatë një vizite në Londër se kryeprokurori duhet të largohet duke e akuzuar se ai vepron me motive politike.

"Ai prokuror bën politikë," tha zoti Berisha për BBC-në.

Kryeministri shqiptar ishte i inkurajuar nga mbështetja e Britanisë së Madhe për integrimin e Shqipërisë në BE dhe NATO dhe përshëndeti ratifikimin së fundi nga parlamenti britanik të Marrëveshjes së Asociimit me BE-në.

Zoti Berisha tha gjithashtu se pavarësia e Kosovës kishte mbështetjen e forcave kryesore ndërkombëtare, dhe të Shqipërisë.

Me zotin Berisha bisedoi Ilir Nishku:

BBC: Zoti kryeministër faleminderit që pranuat ftesën e BBC-së. Desha ta filloj bisedën me ju, me një arritje që duket e rëndësishme për politikën e jashtme shqiptare, por edhe për Shqipërinë, ratifikimi i marrëveshjes së Asociimit me BE-në që i bëri parlamenti britanik. Kjo tregon që kjo marrëveshje po shkon pozitivisht përpara.

Zoti Berisha: Po unë e konsideroj këtë një mbështetje shumë të rëndësishme që qeveria e madhërisë së saj dhe parlamenti britanik i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë, një vlerësim të madh të tyre për të gjithë kursin e reformave dhe zbatimin e reformave por edhe seriozisht, me seriozitet të madh këto dy vjet.

Kam shumë kënaqësi se po dje parlamenti italian votoi marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Pra ishte ky një lajm shumë i gëzuar. Në Komisionin Evropian, i cili bën vlerësimin e zbatimit të marrëveshjes interim që është faktikisht teksti i kësaj marrëveshjeje, po që ecet paralelisht me të. Ka një vlerësim realisht pozitiv mbi përpjekjet tona sikundër shpreh një kënaqësi tjetër të veçantë, sepse zbatimi i marrëveshjes nuk ka patur pasoja negative ose asnjë impakt negativ në Shqipëri. Çka do të thotë liberalizimi i doganave dhe hapja e doganave, ulja e doganave dhe heqja e tyre për vendet e Bashkimit Evropian jo vetëm që s'është shoqëruar me një rrënie të eksporteve, përkundrazi këtë viti eksportet janë rritur 28 për qind krahasuar me vitin që kaloi.

Pra, efekt tjetër i saj i madh ka qënë liberalizimi i vizave. Shqipërisë i është dhënë për shkak të marrëveshjeve që Shqipëria ka pranuar të nënshkruajë për ri-atdhesimin dhe aspekte të tjera, i është dhënë spektri më i gjerë i liberalizimit të vizave në këtë fazë dhe i është akorduar mundësia e fillimit të bisedimeve në 1 janar për liberalizimin e plotë të vizave. Pra në këtë mënyrë bëhet gjithnjë më i prekshëm procesi i integrimit të qytetarëve shqiptarë në Evropë, proces të cilin ata e kanë mbështetur më shumë se të gjithë qytetarët e vendeve të tjera.

BBC: Duket se Britania është një mbështetëse e fuqishme e Shqipërisë për futjen në Bashkimin Evropian, por edhe në NATO. Si qëndron çështja e NATO-s, a do ta marrë Shqipëria ftesën më në fund?
Zoti Berisha: Unë u largova nga takimi me sekretarin e Çështjeve të Jashmte të Britanisë së Madhe, zoti Miliband, me një optimizëm real. Sinteza e asaj çka ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe më siguroi mua ishte se qeveria e tij është e vendosur të mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj për anëtarësim në NATO, dhe reformat të cilat janë shumë të rëndësishme në këtë proces. Britania e Madhe është e vendosur të na mbështesë edhe në realizimin e këtyre reformave me të gjithë potencialin e saj. Kështu që pashë një vullnet të qartë tek Sekretari i Shtetit Miliband dhe qeveria e tij për të mbështetur projektin e Shqipërisë për anëtarësim në NATO për të pasur ftesën në samitin e Bukureshtit.

Ministri përdori një shprehje, do të thoja, shumë kuptimplotë në Bukuresht, "shumë aeroplanë do të tentojnë të zbresin, nuk e kanë shumë të thjeshtë po don kujdes që të zbresin si duhet dhe të arrijnë qëllimin." Në këtë kontekst unë e sigurova ministrin se qeveria mbetet thellësisht e përkushtuar në të gjitha reformat. Dhe jemi një qeveri e orientuar drejt rezultateve konkrete. Kështu që ky kilometri i fundit, le ta quajmë kështu, kilometri i fundit që kemi për të arritur tek ftesa, e cila pati edhe një mbështejte të gjerë në Reikjavik të mund të përmbushet sa më shpejt dhe sa më mirë.

BBC: Duket se mbështetja ndërkombëtare është e fuqishme. Po a po i bëjmë në, siç mund ta quaj, detyrat e shtëpisë. Ka shumë retorikë në Shqipëri midis forcave politike dhe duket se reformat që duhet të ndërmerren për të ecur përpara po mbulohen, po zbehen nga retorika politike për çështje të ndryshme. Për shembull, kohët e fundit çështja e Prokurorit të Përgjithshëm duket se po pengon reformat në drejtësi.

Zoti Berisha: Unë besoj se klima politike në Shqipëri është një klimë e favorshme. Në të gjitha rrethanat ujdia midis qeverisë dhe opozitës duhet të jetë në disa çështje themelore dhe jo në çdo çështje dhe ne do të mësohemi me këtë dhe kjo është merita e pluralizimit. Mendoj se zgjidhja e këtij problemi që ju thatë ështe një kusht i domosdoshëm që Shqipëria të konsolidojë në mënyrë përfundimtare luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe kjo është një çështje tashmë shumë evidente.

BBC: Por opozita nuk është në një mëndje me ju në këtë pikë. Dhe kjo e pengon ecjen përpara, apo jo?
Zoti Berisha: Unë mendoj se opozita, natyrisht, ka qëndrimet e saj. Por në mënyrat më të përsëritura ka shprehur se ky njeri duhet të iki. E keni në disa deklarata të tyre. Tani, modalitetet janë diçka tjetër, por vetë opozita e ka shprehur diçka të tillë. Natyrisht mban një qëndrim të ndryshëm në mënyrat, por nuk dij ndonjë forcë politike që të ketë kërkuar që ai të qëndrojë më tutje.

BBC: Por forcat politike nuk po bëjnë përpjekjet e duhura, apo të mjaftueshme, për të arritur pikat e përbashkëta për të bërë këto reforma, por në vend të kësaj, merren me polemikat për prokurorin, apo për imunitetin, apo afera të tjera.
Zoti Berisha: Polemikat midis forcave politike janë një diçka normale, por historia ka faktuar se forcat politike në Shqipëria kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët në të gjitha rastet kur ka patur probleme madhore për vendin. Unë jam dëshmitar i kësaj. Tjetër problem janë media dhe interpretimet mediatike të forcave politike dhe është normale që të shprehin rezervat e tyre ndaj forcave politike.

Por tjetër problem është pastaj që forcat politike kanë arritur të zgjidhin problemet e mëdha të vendit. Le të marrim pak zgjedhjet e 2005-s. Ato prodhuan rotacion paqësor të pushtetit. Çfarëdo që unë kam supozuar për qeverinë, qeveria dorëzoi pushtetin në mënyrë paqësore. Le të marrim zgjedhjet e 18 shkurtit. Unë nuk mund të them se s'kishin defekte, por janë zgjedhjet e para në të cilat eksponentë kryesorë të opozitës u shprehën se ishin të lira dhe se u pranuan nga të gjitha forcat politike.

Le të vijmë tek presidenti. Presidentin nuk mund ta zgjidhte një maxhorancë që nuk kishte 84 vota. Në zgjedhjen e presidentit, në mënyrën që u interesonte atyre, dhanë kontribut të gjitha forcat politike kryesore të opozitës, dhe fakti që ata u bënë të nesërmen njerëzit që uruan presidentin, ata uruan kontributin e tyre. Kështu që, unë i shoh me optimizëm, të jem fare i hapur, e shoh me shumë vlerësim rolin e opozitës, e shoh me optimizëmn të gjithë kursin në tërësi të zhvillimit. Shqipëria zgjodhi këtë radhë një president në mënyrën më identike siç e zgjedh Republika Italiane.

Të themi atë që është. Zgjodhëm një president politikan me profil, sepse posti i presidentit është posti i parë i vendit dhe duhet të ketë profilin e përshtatshëm për të mbuluar atë vend. Zgjodhi një president me parlament, çka është një detyrim kushtetues. Zgjodhi një president me kontributin, në faza të ndryshme, të çdo force politike. Kështu që unë mendoj se ai ishte një proces realisht shumë i rëndësishëm për vendin. Dhe pse ishte? Ishte shkalla e përgjegjësisë, sepse secila forcë politike ndjente përgjegjësinë që të mos çojë vendin në zgjedhje.

BBC: Megjithatë unë dua të insistoj tek çështja e korrupsionit dhe tek çështja e prokurorit të përgjithshëm, sepse duket se kjo po krijon një lloj krize tjetër politike. Duket se ju keni një konflikt me prokurorinë. Ndërkohë që ju kërkoni nga prokuroria që të mbështesë nismën tuaj për korrupsionin, nga ana tjetër, kur prokuroria ndërmerr hapa ndaj pjesëtarëve të qeverisisë suaj kohët e fundit ju e keni quajtur prokurorinë se është e motivuar politikisht. A nuk e pengon kjo punën e prokurorisë?
Zoti Berisha: Absolutisht jo. Së pari, e rëndësishme është se unë u kam faktuar shqiptarëve dhe botës se unë bëj një luftë jo partiake kundër korrupsionit. Në qoftë se shihni ata që janë vendosur para ligjit për korrupsion, 98-99 përqind i përkasin partisë sime. Por nuk ka njeri që mund ta mohojë se ka pasur korrupsion të shkallës më të lartë në administratën që kaloi dhe qeverinë që kaloi.

BBC: Megjithatë nuk shohim ndonjë çështje që të jetë hapur ndaj zyrtarëve të ish-qeverive?
Zoti Berisha: Sepse pikërisht ai prokuror bën politikë. Kjo është e vërteta, kjo është fatkeqësia e tij. Ai kryeprokuror ka qenë këshilltari im. Unë dua një prokurori të paanshme, një prokurori të lirë, të pakapur nga krimi. Asgjë tjetër, dua një prokurori të pakapur nga krimi. Unë jam optimist. Dikur, dy vjet më parë, në mënyrë të përsëritur gazetarët më shtronin pytjen "si do ta luftosh ti krimin" dhe unë u thosha, me këta policë do ta luftoj krimin, sepse ka prej tyre burra dhe gra të vendosur për t'i bërë shërbimet më të mira vendit të tyre. Dhe është faktuar besoj në këto dy vjet më mirë se çdo gjë tjetër.

Ka në radhët e prokurorëve dhe të gjyqtarëve juristë të shkëlqyer, të aftë të zotë, që absolutisht do t'i japin Shqipërisë një drejtësi dhe një sistem akuze nga më të mirët në rajon. Ky është i gjithë besimi im. Unë jam njeri që besoj, ky është një nga parimet e mija themelore, u besoj kapaciteteve njerëzore, u besoj zyrtarëve dhe nuk e kam të gabuar këtë praktikë. I besoj prokurorisë, i besoj sistemit gjyqësor, reformat janë jetike. Pse policia arriti këto rezultate, sepse iu nënshtrua reformave. Reformat janë të domosdoshme për çdo vend. Kudo. Unë isha këtu në parlamentin (britanik), dhe e njëjta gjë kudo, reformat janë një forcë udhëheqëse e zhvillimit të vendit.

BBC: Energjia ka qenë gjithmonë një problem dhe kur ju keni ardhur në pushtet keni premtuar zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ndërkohë kanë kaluar dy vjet nga qeveria juaj e asgjë nuk është bërë, njerëzit janë pa drita. Si do t'i përgjigjeshit publikut?
Zoti Berisha: Jo. Unë mendoj se këto dy vjet nuk janë ashtu siç i paraqisni. Pse? Së pari këto kanë qenë vitet më të thata në historinë e Shqipërisë. Jemi dakord me këtë? Nuk ka thatësirë të regjistruar si kjo në analet e vendit, absolutisht, në 60 vitet e fundit, aq sa ka regjistër. Kjo është njëra anë. Çfarë kemi bërë ne? Ne kemi vendosur që të mos ndërpresim energjinë për shkak të importit, pra ne importojmë me gjithë kapacitetin që mund të importojmë.

Në dallim me konceptin e mëparshëm ne kemi fiksuar konceptin se çmimi më i lartë i energjisë është mungesa e saj. Së dyti, pas 40 ose 50 vjetësh, ne marrim vendimin përfundimtar që të balancojmë prodhimin energjetik të vendit. Se është shumë lehtë të rrish në mëshirë të shirave. Jo, ne nuk rrimë më në mëshirë të shirave. Ne po ndërtojmë në Vlorë një kapacitet prej 100 MGW. Ne jemi në tratativa për të finalizuar shumë shpejt ndërtime që mund të arrijnë shumë shpejt në 340 MGW të tjera. Natyrisht nuk është pa kosto kjo që bëjmë ne, por prapë jemi të mendimit, se kostoja më e lartë është mungesa e saj. Së treti, ne ia kemi dalë që të mos ketë ndërprerje për turizmin, të mos ketë ndërprerje për biznesin. Unë kam kënaqësinë të informoj publikun nëpërmjet valëve tuaja se konsumi i energjisë nga biznesi këtë vit është 12,6 për qind më i lartë se në vitin e kaluar. Ka një menaxhim më të mirë, më të kujdesshëm.

BBC: Një pyetje për Kosovën - qeveria Juaj, ministri i Jashtëm, Ju vetë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por edhe në forume të tjera, keni qenë shumë aktivë në mbrojtjen e çështjes së Kosovës dhe në mbështetje të zgjidhjes së statusit në mënyrë të drejtë e të shpejtë. A do ta njohë Shqipëria Kosovën nëse ajo shpall pavarësinë në mënyrë të njëanshme?
Zoti Berisha: Së pari, unë sapo vij nga takimi me Sekretarin e Jashtëm Britanik Miliband. Dhe, sigurisht Kosova zuri një pjesë të mirë në diskutimin që pata me të. Absolutisht kishim të njëjtin mendim. Një, Kosova, është këshilla jonë dhe insistimi i Shqipërisë, që udhëheqja politike e Kosovës nuk mund të marrë dhe nuk duhet të marrë veprime të njëanshme pa një miratim nga ana e anëtarëve të Grupit të Kontaktit të cilët shohin pavarësinë si zgjidhjen e vetme që jep paqe dhe stabilitet.

Në këtë kontekst, unë këtë mesazh e bëj publik dhe u bëj thirrje, dhe jam i sigurt se ata kanë të gjithë mençurinë e duhur, sepse kanë udhëhequr me një zotësi shumë të madhe dhe me një ndjenjë të lartë përgjegjësie një proces shumë të vështirë. E kanë atë sens që të mos marrin një veprim të tillë. Së dyti, është jashtëzakonisht e rëndësishme që fillojnë zbatimin e Projektit Ahtisaari. Pavarësisht se çfarë thuhet. Projekti Ahtisaari është një projekt i domosdoshëm për t'u shndërruar në projekt, në marrëpveshje paqeje, stabiliteti për Kosovën. Madje pjesën, ju sugjeroj dhe jam i bindur që e kanë, po kaq të rëndësishme të projektit sa ç'kanë pavarësinë, duhet konsideruar pjesa që garanton pakicat serbe dhe pakicat tjera në Kosovë, si standard në Kosovë.

A po përpiqet, a ka këtë vetëdije udhëheqja politike e Kosovës? E ka të plotë dhe unë e sigurova sekretarin Miliband se ata janë shumë të vendosur në këto standarde. Sikundër, e theksoj edhe një herë, nuk mund të merren veprime të njëanshme. Çështja e Kosovës nuk është një çështje midis Prishtinës dhe Tiranës, sepse po të ishte kështu... por ju e thatë vetë që ne po e mbështesim me të gjithë mundësitë tona çështjen e pavarësisë së Kosovës. Ne s'kemi dyshim në këtë.

BBC: Një pyetje hipotetike - nga kontaktet që keni pasur, mendoni se do të zgjidhet çështja e Kosovës shumë shpejt, pra a është gati komuniteti ndërkombëtar ta njohë Kosovën e pavarur?
Zoti Berisha: Unë mendoj se çështja do të zgjidhet shpejt. Që të caktojmë data, unë këtë e mendoj në këtë mënyrë - të mendosh më datën dhjetë, Trojka do të dorëzojë raportin, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka procedurat e veta, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ka procedurën e tij, vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit marrin kohën e tyre, vendet e Grupit të Kontaktit po kështu.

Prandaj, ne nuk mund të themi " dhjetë o s'ka"! Besoj se ky koncept tanimë është i qartë tanimë. Për t'u zgjatur, nuk besoj se do të zgjatet. Nuk besoj se i tërë komuniteti ndërkombëtar do të jetë dakord. Unë jam shumë skeptik për qëndrimin e Rusisë. Ky qëndrim mund të ketë edhe ndonjë nuancë ndaj shqiptarëve, por në tërësi mund të jetë dhe ndonjë qëndrim global që Rusia po përshtat tani në arenën politike. Një gjë është e sigurtë, e kam thënë dhe po e them prapë, se për në Ballkan kjo nuk funksionon. Nuk funksionon për paqen dhe stabilitetin e tij dhe unë ndjej shumë keqardhje.

Rusia ka dhënë kontributin e vet në Grupin e Kontaktit. Ka dhënë kontributin e vet fillimisht në problemin e Kosovës dhe tani ka marrë një rol pothuajse bllokues në Këshillin e Sigurimit çka është i papërshtatshëm. Së dyti, ka dhe ndonjë vend tjetër në Bashkimin Evropian që heziton. Kanë ca hezitime, sepse projektojnë segmente të interesave kombëtare. Por unë jam i bindur se interesat evropiana do të predominojnë dhe Bashkimi Evropian ka të gjithë potencialin e gjithanshëm politik ekomonik për të promovuar zgjidhjen e këtij problemi. Shtetet e Bashkuara kanë një qëllim jashtëzakonisht pozitiv, kanë një qëndrim të kthjellët, por jo vetëm Shtetet e Bashkuara, të tillë e ka dhe Britania e Madhe, të tillë e kanë dhe vende të tjera të Grupit të Kontaktit.