BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 30 tetor 2007 - 07:40 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Wisner vlerëson procesin deri në dhjetor
 
Ambasadori amerikan, Frank Wisner
Wisner thotë se Treshja po eksploron rrugët e ndryshme me palët.
Përfaqësuesi amerikan në Treshen Ndërmjetësuese, ambasadori Frank Wisner, ka deklaruar se të gjitha idetë për zgjidhjen e statusit të Kosovës janë në tryezë përfshirë edhe propozimet e Ahtisaarit.

Ai i ka thënë BBC-së se është qëllim i Treshes që ta përfundojë procesin e bisedimeve deri më 10 Dhjetor kur duhet t'i dorëzohet sekretarit të përgjithshëm raporti për mbarëvajtjen e bisedimeve.

Sipas ambasadorit, përtej afatit të 10 Dhjetorit do të vendosë Grupi i Kontaktit dhe palët në bisedime.

Treshja Ndërmjetësuese i ka ofruar palëve një dokument 14 pikësh, që përmbledh idetë e Prishtinës dhe Beogradit për statusin e Kosovës.

Një takim i të dyja palëve pritet të zhvillohet më 5 Nëntor në Vjenë, kur duhet të bisedohet për dokumentin.

Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me ambasadorin Wisner dhe e pyeti se cfarë më konkretisht dëshiron Treshja me dokumentin 14 pikësh.

 ... po ju them qëndrimin zyrtar të Treshes e ai është se ne po provojmë të gjejmë pikë të përbashkët, të eksplorojmë mundësitë që do të çojnë drejt një zgjidhje kompromisi.
 
Frank Wisner

Wisner: Unë nuk do të komentoja për përmbajtjen e 14 pikave të dokumentit. Kjo për faktin se ky dokument, megjithëse është bërë publik, është duke u diskutuar me palët dhe është një diskutim i privilegjuar që kemi mes nesh. Ai duhet të jetë çështje e komentimeve ndërmjet Treshes dhe palëve.

Prandaj unë nuk do të jem në gjendje që të adresoj pyetjet që më bëni rreth dokumentit 14 pikësh. Por po ju them qëndrimin zyrtar të Treshes e ai është se ne po provojmë të gjejmë pikë të përbashkët, të eksplorojmë mundësitë që do të çojnë drejt një zgjidhje kompromisi. Ne po i eksplorojmë rrugët e ndryshme me palët.

BBC: Ambasador, a mund ta shohim këtë dokument 14 pikësh si një propozim në fund të bisedimeve më 10 Dhjetor?

Wisner: Më lejoni t'ju përsëris atë që ju thashë më herët. Ne jemi të angazhuar në bisedime që po zhvillohen. Ne nuk kemi gjetur një përfundim.

Ka ende bisedime që do të zhvillojmë me palët, së pari në Vjenë dhe pastaj në javët e ardhshme.

Prandaj nuk ka një përfundim të fundit se si do të duket forma e rekomandimeve tona në fund të bisedimeve me palët dhe kur të raportojmë para Sekretarit të Përgjithshëm.

 ...nuk ka një përfundim të fundit se si do të duket forma e rekomandimeve tona në fund të bisedimeve me palët dhe kur të raportojmë para Sekretarit të Përgjithshëm.
 
Frank Wisner

BBC: Ka patur një numër takimesh mes palëve deri tani. A keni parë gadishmëri të palëve që të arrijnë një kompromis që po kërkoni?

Wisner: Palët janë të angazhuara dhe ne jemi në bisedime të plota dhe ne do të vazhdojmë këtë eksplorim. E kjo do të thotë se ne jemi plotësisht të angazhuar me palët ashtu si e thashë.

Të dyja palët po i shikojnë idetë tona dhe po i komentojnë ato.

BBC: Por ju nuk keni parë diçka që do të përafronte palët?

Wisner: Unë nuk do të doja ta thoja atë. Atë që do të preferoja të thoja është se ne jemi në fazën e diskutimeve dhe është shumë herët që të arrijmë një përfundim sepse dialogu po zhvillohet.

BBC: Por a është e mundur që të gjendet ky kompromis që ju po e kërkoni?

 Ne jemi në mes të bisedimeve. Është prandaj e vështirë të parashikohet përfundimi
 
Frank Wisner

Wisner: Unë nuk do të doja të spekuloja. Është qëllim i yni që të eksplorojmë çdo rrugë, apo më mirë si e kemi thënë ne të lëvizim çdo gur, dhe ne jemi në rrugë për ta bërë këtë.

BBC: Dhe kjo do të thotë se ju do të vini në një përfundim tjetër nga ai që ka dalë nga propozimi Ahtisaari?

Wisner: Jo nuk e thashë atë dhe do të ishte jokorrekte që të më shtrembërohen fjalët e mia. Do të them se të gjitha idetë janë në tryezë, përfshirë edhe propozimet e Ahtisaarit.

Ato nuk janë larguar nga tryeza, nuk janë pranuar nga pala serbe por janë pjesë e bisedimeve për zgjidhjen që po zhvillohen.

BBC: Pra, si e shihni përfundimin e këtyre bisedimeve?

Wisner: Ne jemi në mes të bisedimeve. Është prandaj e vështirë të parashikohet përfundimi.

 Çka do të ndodhë pastaj do të jetë vendim i palëve, qeverive sovrane që i takojnë Grupit të Kontaktit që e kalon mandatin tim
 
Frank Wisner

BBC: Çfarë do të sillni në hapin tjetër të bisedimeve?

Wisner: Ne do të vazhdojmë eksplorimet tona dhe do të eksplorojmë të gjitha mënyrat që janë të mundshme.

BBC: A është 10 Dhjetori fundi i këtyre bisedimeve?

Wisner: Siç e kemi thënë ne dhe ashtu si e kanë thënë ministrat e Grupit të Kontaktit, ashtu si na është kërkuar të bëjmë, dhe sipas kërkesës së Sekretarit të Përgjithshëm është qëllimi ynë që ta përfundojmë diskutimin dhe konsultimet tona me palët si dhe të ofrojmë një përfundim tek Sekretari i Përgjithshëm.

BBC: Ka patur deklarime nga njëri nga negociatorët e Treshes që ka kërkuar nga palët të bëjnë të paktën nga 50 % të lëshimeve për të arritur marrëveshjen. Ç'ka nënkupton kjo?

Wisner: Nuk e kam parë këtë deklaratë prandaj nuk dua që ta nxjerr nga konteksti.

BBC: Pra ju doni të shihni lëshime të mëdha nga palët?

Wisner: Nuk e thashë atë dhe po them se diskutimet tona me palët janë çështje privilegji dhe se po zhvillohen. Prandaj unë nuk dua të sjell përfundime për përqindjet e palëve.

BBC: Dhe së fundi ambasador, a mendoni se problemi i Kosovës duhet të ngrihet për disa vjet për ta zgjidhur atë pas një afati të caktuar?

Wisner: Më lejoni që t'i kthehem komenteve të mia që në fillim të bisedës me ju. Unë flas si anëtar i Treshes.

Detyrë jona është të përfundojmë punën tonë dhe t'i raportojmë sekretarit të përgjithshëm më 10 dhjetor. Unë nuk spekuloj nëse puna jonë përfundon aty. Çka do të ndodhë pastaj do të jetë vendim i palëve, qeverive sovrane që i takojnë Grupit të Kontaktit që e kalon mandatin tim.

 
 
LOKALE
E ardhmja e Kosovës
17 gusht 2006 | Analiza
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>