BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 23 tetor 2007 - 12:21 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Bisedimet e Vjenës pa rezultat
 
Harta e Kosovës (arkiv)
Dokumenti ka hasur në kundërshtim të plotë nga Beogradi.
Në Vjenë ka përfunduar pa rezultat raundi i dytë i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit mbi të ardhmen e Kosovës.

Të dyja palët sërish kanë paraqitur dallimet e tyre të thella mbi të ardhmen e Kosovës.

Pala shqiptare ka deklaruar se bisedimet ishin ndër më të këqijat deri tani.

Përfaqësuesit shqiptarë i thanë Treshes Ndërmjetësuese në Vjenë se po presin njohjen e pavarësisë së Kosovës pas përfundimit të bisedimeve shtesë më 10 dhjetor.

Por pala serbe ka kërkuar që pala shqiptare të pranojë se procesi i bisedimeve është bazuar mbi Rezolutën 1244, duke iu referuar një pjese të saj që i njeh Serbisë të drejtën mbi Kosovën.

Pala shqiptare ka ka pohuar se vështirë se mund të arrihet një pajtim me Beogradin zyrtar i cili sipas saj, kërkon bisedime për të kaluarën, ndërkohë që ajo po angazhohet për një zgjidhje për të ardhmen e Kosovës.

'Mosmarrëveshje të thella'

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka theksuar se bisedimet kanë përfunduar me mosmarrëveshje të thella ndërkohë që kryeministri Agim Çeku ka thënë se palët janë shumë larg njëra-tjetrës.

Pas pjesës së parë të takimeve me Treshes Ndërmjetësuese ndërkombëtare përfaqësuesit shqiptarë kanë thënë se kanë kërkuar një vend për Kosovën në OKB dhe se po presin njohjen e pavarësisë së saj.

Por pala serbe ka thënë se se procesi po ecën përpara megjithëse në një moment, ka thënë ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, është dukur sikur ai ka ngecur fare.

Në një deklaratë të Treshes Ndërkombëtare pas takimit thuhet se palët kanë ripërsëritur qëndrimin se do të përmbahen nga çdo lloj akti provokativ ose nga deklarimet që do të rrezikonin sigurinë dhe qëndrueshmërinë në rajon ose të procesit që po zhvillohet.

Ajo u ka bërë me dije palëve se procesi do të përfundojë më 10 dhjetor kur Grupi i Kontaktit do t'i raportojë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Vështirësi për kompromis

Megjithëse ndërmjetësit ndërkombëtarë thonë se ende ka gjasa për një kompromis mes palëve, gjithnjë e më shumë besohet se ai është vështirë të gjendet mes palëve që kanë betonuar qëndrimet e tyre mbi statusin përfundimtar.

Treshja ndërmjetësuese në takimin e Vjenës ofroi një dokument 14 pikësh, ku mes të tjerash thuhet se Beogradi zyrtar nuk mund të rivendosë më praninë e tij në Kosovë.

Dokumenti nuk parasheh në mënyrë të qartë pavarësinë e Kosovës, por kërkon që të lejohet vendosja e lidhjeve të drejtpërdrejta të saj me institucionet financiare ndërkombëtare.

Përfaqësuesit shqiptarë dhe ata serbë të hënën fillimisht u janë përgjigjur pikave të dokumentit të Treshes.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë thonë se dokumenti përmbledh pikat e përbashkëta të qëndrimeve të Prishtinës dhe Beogradit dhe ai kërkon qasje më konstruktive nga palët në dialog.

Por burime nga Vjena kanë bërë të ditur se dokumenti ka hasur në kundërshtim të plotë nga Beogradi zyrtar, i cili ka deklaruar se ai paragjykon statusin e Kosovës.

Si kundërpërgjigje, përfaqësuesit serbë kanë paraqitur një dokument 14 pikash me të cilin kërkohet përmbajtja e Kosovës nga shpallja e njëanshme e pavarësisë dhe i "garantohet Kosovës një autonomi e zgjeruar brenda Serbisë".

Perspektivat

Sipas një paralajmërimi të Treshes takimi i radhës do të zhvillohet më 5 Nëntor në Vjenë.

Ai do t'i paraprijë një muaji shumë të ngjeshur deri më 10 Dhjetor, dhe, sipas burimeve, gjatë gjithë Nëntorit pritet të zhvillohen të paktën tri takime të drejtpërdrejta mes palëve.

Pas kësaj thuhet se mund të zhvillohet një takim pak më i gjatë nga fillimi i muajit dhjetor.

Në 10 dhjetor pritet që Grupi i Kontaktit, bazuar mbi punën e Treshes, t'i raportojë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

 
 
LOKALE
E ardhmja e Kosovës
17 gusht 2006 | Analiza
Rusia përsërit qëndrimin ndaj Kosovës
23 tetor 2007 | Faqja Kryesore
Dokument për bisedimet e deritanishme
19 tetor 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>