BBCAlbanian.com
 
Botuar: E premte, 12 tetor 2007 - 16:39 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Fëmijët me HIV shkaktojnë debat në Shqipëri
 

 
 
Fushatë kundër HIV/AIDS-it
Fushatë kundër HIV/AIDS-it
Prania në një shkolle fillore të Tiranës e dy nxënësve binjakë të infektuar me virusin HIV, ka shkaktuar protestën e prindërve të fëmijëve të tjerë të shkollës, të cilët prej disa ditësh kanë kërkuar largimin e dy fëmijëve nga shkolla.

"Përveç probleme sociale që kemi përditë tani duhet të stresohemi edhe për fëmijët në shkollë," thotë njëri nga prindërit që ka fëmijën në klasë me dy binjakët me virusin HIV.

Ai kërkon që fëmijët e infektuar të largohen nga klasa ndryshe ai thotë se do të largojë fëmijën e tij nga klasa.

 Unë për vete nuk kam frikë të rri në klasë me dy binjakët se nuk ka rrugë për të marrë sëmundjen nga ata.
 
nxënës

Duke dëgjuar debatet dhe shqetësimet e prindërve prej disa ditësh edhe fëmijët e shkollës janë ndikuar dhe flasin për këtë çështje.

"Unë për vete nuk kam frikë të rri në klasë me dy binjakët se nuk ka rrugë për të marrë sëmundjen nga ata," thotë njëri nga nxënësit më guximtarë të klasës që nuk dëshiron të ndahen nga grupi i shokëve dy bashkëmoshatarët e tij.

Debat publik

Autoritetet e shëndetësisë i kanë siguruar prindërit se rreziku i infektimit të fëmijëve të tjerë është i papërfillshëm.

Ministri i Arsimit, Genc Pollo, gjatë një takimi me prindërit në këtë shkollë, tha se fëmijet e sëmurë duhet të vazhdojnë te qëndrojnë në shkollë dhe të rriten në ambient normal.

 Nuk ekziston mundësia e infektimit të fëmijëve të tjerë nga fëmijët e prekur prandaj kemi ardhur të sqarojmë këtë.
 
Genc Pollo, ministër i Arsimit

"Këtu bëhet fjalë për një shqetësim dhe ajo që kemi bashkë me specialistët e shëndetësisë është se po ju themi se ky shqetësim është i pabazë.

"Shqetësime ne mund të kemi shumë në jetë. Nuk ekziston mundësia e infektimit të fëmijëve të tjerë nga fëmijët e prekur prandaj kemi ardhur të sqarojmë këtë," u tha në takim prindërve e mësuesve ministri i arsimit Pollo.

Ështe hera e parë që në Shqipëri zhvillohet një debat publik i këtij lloji me përmasa mediatike.

"Rrezik i papërfillshëm"

Drejtorin e Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, thotë për BBC-në se ky rast është një precedent i rëndësishëm për shoqërinë shqiptare që tregon se HIV/AIDS-i është duke i kaluar kufinjtë e shëndetësisë dhe është një problem social dhe i të drejtave të njeriut.

"Rasti konkret është i dy fëmijëve të infektuar ku ka patur reagim të grupit të prindërve lidhur me riskun që mund të kenë fëmijët e tjerë," tha zoti Ylli.

"Dy fëmijët e infektuar nuk përbëjnë risk për fëmijët e tjerë," thotë zoti Ylli.

Sipas ligjit shqiptar, ata duhet të arsimohen si gjithë të tjerët dhe se identiteti i tyre nuk duhet të tregohet fare.

"Ka patur dhe raste të tjera p.sh. në një kopsht ku na u desh të ndërhyjmë pasi pati frikë të ekzagjeruar nga personeli, prindërit, por në një rast tjetër prindërit kanë aprovuar që fëmijët e tyre të mësojnë bashkë më një fëmijë të infektuar," thotë zoti Ylli.

 Ne kërkojmë nga njerëzit t'i respektojnë ata, t'i dhurojnë solidaritetin e duhur sepse niveli i riskut është minimal, njëlloj si fëmijët me leuçemi, apo me shqetësime të tjera.
 
Alban Ylli

Zoti Ylli konfirmoi se dy fëmijët që janë bërë objekt i titujve kryesore të lajmeve në Shqipëri janë të infektuar me virusin HIV.

"Janë të infektuar me virus, marrin trajtim. Virusi në gjakun e tyre është minimal dhe nuk janë të sëmurë me SIDA," tha zoti Ylli.

"Shqetësime ka në raste të tilla jo vetëm tek mësuesit e prindërit, por dhe tek vetë mjekët. Nuk ka asnjë risk të rëndësishëm sinjifikativ nga fëmijë të tillë, apo persona të tjerë që ndodhen në kushte të ngjashme.

"Ne kërkojmë nga njerëzit t'i respektojnë ata, t'i dhurojnë solidaritetin e duhur sepse niveli i riskut është minimal, njëlloj si fëmijët me leuçemi, apo me shqetësime të tjera."

"Nuk mund të themi se niveli është zero, por çdo ditë kur i nxjerrim fëmijët tanë nga shtëpia ka një risk, si p.sh. me aksidentet," thotë zoti Ylli.

"Infektimi është i paparfillshëm. Këshilla jonë është që të trajtohen si gjithë fëmijët e tjerë".

Ky është precedenti i parë që bëhet public në media, ndonëse raste të tjera janë mbajtur në heshtje.

Që nga viti 1993, kur në Shqipëri u zbulua rasti i parë me HIV/AIDS, numri i të prekurve sipas statistikave zyrtare ka arritur në rreth 170 të infektuar, megjithëse Shqipëria konsiderohet ende si një vend me prevalencë të ulët të përhapjes së sëmundjes së shekullit, ose siç njihet ndryshe SIDA.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>