BBCAlbanian.com
 
Botuar: E premte, 28 shtator 2007 - 07:27 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Wisner as optimist as pesimist për procesin
 
Frank Wisner
Përfaqësuesi amerikan në Treshen Ndërkombëtare, Frank Wisner, i thotë BBC-se se nese nuk arrihet një marrëveshje mes palëve atëherë vendimin se si dëshiron të vazhdojë më tej e merr Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.

Zoti Wisner morri pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të Grupit të Kontaktit: Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Italisë, Rusisë dhe Shba-së të cilët u takuan të enjten në seline e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar mbi Kosovën.

Ragip Luta i BBC-së zhvilloi një intervistë me zotin Wisner.

BBC: Zoti Wisner, përse bisedime direkte në këtë moment?

Wisner: Treshja ka filluar perpjekjet për ndërmjetësim në muajin gusht dhe kemi zhvilluar një varg takimesh të ndara me palët. Gjatë të gjithë atyre takimeve palët kanë shprehur gadishmëri dhë interes për takime me njëri-tjetrin dhe për këmbime të qëndrimeve në mënyrë direkte.

Ne besojmë se tani kemi arritur në një gjendje në negociata në të cilën palët kanë menduar mirë dhe i kanë artikuluar qëndrimet e tyre dhe janë të gatshëm të takohen.

Logjika e negociatave dhe gadishmëria e palëve na sjell në këtë takim të
rëndësisëhm që mbahet në nju jork në këtë fund të shtatorit.

BBC: Si do të funksionojë takimi? Treshja do të jetë e pranishme aty, apo jo?

Wisner: Treshja do të jetë e pranishme, delegacioni nga Beogradi me presidentin dhe kryeministrin, delegacioni nga Prishtina me Ekipin e Unitetit.

Secila palë do të ketë rastin për të paraqitur qëndrimet e veta dhe do të kenë kohë për diskutime mes vete.

Treshja synon që pas përfundimit të këtij takimi dypalësh sy më sy, ta quajmë, të zhvillojë takime ndaras dhe të vlerësojmë se ku kemi mbërritur deri tani.

BBC: Deri tani shqiptarët kanë thënë se asgjë më pak se pavarësia nuk mund të jetë rezultat i këtyre bisedimeve plotësuese, ndërsa presidenti serb të mërkurën i tha bbc-së se nuk janë të gatshëm të shqyrtojnë propozimin kosovar nga Londra për marrëdhënje të mira fqinjësore. A ka vend për optimizëm këtu?

Wisner: Ka vend për punë të zellshme dhe bisedime të hollësishme dhe shans që secila palë të marrë parasysh meritat e qëndrimit të njëra tjetrës dhe t'i ofrojnë stimuj njëra tjetrës, çfarë ofron njëra palë për tjetrën që të pranojnë një apo dy propozimet që janë në tryezë.

 Vendimin se si dëshiron të vazhdojë më tej (procesi) e merr Sekretari i Përgjthshëm.
 
Frank Wisner

Unë s'jam as optimist e as pesimist. E di se kemi një punë të rëndësishme për ta kryer dhe këtë do ta kryejmë e nuk do të lëmë asnjë gur pa e luajtur nga vendi.

Si Treshe do të shohim nëse palët mund të arrijnë qëndrime të
përbashkëta; paqja e rajonit është në pyetje, është ndërmarrje shumë e rëndësishme dhe të gjithë po e marrim me shumë seriozitet: qeveria ime, qeveria ruse, evropianët.

BBC: Folët për stimuj, për çfarë stimujsh e keni fjalën?

Wisner: Për këtë vendosin palët - çfarë duan t'i ofrojnë njëra tjetrës. Por si bëhet një propozim kyç tërheqës për palën tjetër? Çfarë fiton pala tjetër nga ai propozim?

Mendoni këtë në hollësi, bëjeni tërheqës dhe t'i bëhet me dije të dyja palëve se ne mendojmë qe të kesh qëndrim pozitiv dhe të ofrosh stimuj është hap i mirë. Të shohim se me çfarë idesh do të dalin.

BBC: Të dyja palët kanë paraqitur propozimet e tyre në Londër javën e kaluar. A keni pasur kohë t'i shqyrtoni dhe a keni gjetur ndonjë pikë të përbashkët në ato propozime?

Wisner: Sigurisht që kemi pasur kohë për t'i shqyrtuar. Ne po ashtu kemi pasur kohë që të shtrojmë një numër pyetjesh dhe palët kanë pasur kohë t'i shqyrtojnë pyetjet tona dhe si t'i përgjigjen atyre më së miri.

Nuk jemi ende në atë fazë në të cilën unë do të dëshiroja të nxjerr përfundime por do të arrijmë edhe atje. Por le t'i lëmë palët që të takohen ballë për ballë, të shohim se [farë janë qëndrimet e tyre të përpunuara kur të flasin drejtpërdrejtë me njëri tjetrin.

BBC: Ju d.m.th prisni - nëse nuk gaboj - që palët t'i kenë çuar përpara ato propozime dhe t'i paraqesin në takim ato propozime njëra
tjetrës?

Wisner: Unë nuk do të paragjykoj asgjë në lidhje me atë se çfarë do të paraqesin palët në tryezë por vetëm do të shtoja një pikë të dukshme dhe ajo është: nëse propozimi i secilës palë nuk është tërheqës për palën tjetër atëherë nuk do të gjejmë pikë të përbashkët që i duhet rajonit dhe që është në interes të të dyja palëve që ta gjejnë.

BBC: Deri sot kjo duket sikur tentim i kotë sepse serbët insistojnë për gjithçka përveç pavarësisë ndërsa pala kosovare ofron propozim për marrëdhënje të mira fqinjësore si dy shtete që është e papranueshme për serbët?

Wisner: Unë e kuptoj se sa të vështirë e shihni perspektivën për marrëveshje dhe është e vështirë. Do t'ishte marrëzi nëse bëhemi sikur nuk është ashtu por poashtu është një çështje për të cilën të gjithë duhet të mendojmë - çfarë ndodh pas statusit? Pa marrë parasysh se si e përcaktoni atë.

Si do jetojnë së bashku këto dy entite të lidhura ngushtë historikisht,
në aspektin kulturor, dhe gjeografikisht me njëra tjetrën dhe çfarë raporti do të kenë me pjesën tjetër të rajonit. Nëse mund të gjejnë një rrugë që çon përpara për të krijuar kushtet në të cilat janë të gatshëmme të jetojnë të dyja palët kjo do të jetë në interes të dyanshëm.

BBC: Nëse nuk arrijnë marrëveshje - siç duket se ka shumë të ngjarë të ndodhë - deri më dhjetë dhjetor, si e shihni zhvillimin e mëtejmë të situatës?

Wisner: Unë e di se detyra e Treshes, detyra jonë është të përfundojmë punën tonë; më dhjetë dhjetor apo para asaj date ne duhet t'ia dërgojmë konkluzat tona Grupit të Kontaktit dhe sekretarit të Përgjithshëm; pas kësaj i përket qeverive sovrane që të vendosin.

BBC: A do të thotë kjo se çështja kthehet në Këshill të Sigurimit?

Wisner: Vendimin se si dëshiron të vazhdojë më tej e merr Sekretari i Përgjthshëm.

BBC: Krahasuar me kolegët tuaj në Treshe, ju keni qenë të përfshirë në proces edhe gjatë kohës së Ahatisaarit. Si e krahasoni përvojën tuaj nga ata muaj negociatash me procesin tani?

Wisner: Në një kuptim të përgjithshëm presidenti Ahtisaari nuk ishte në gjendje të arrijë marrëveshje mes palëve përsa i përket statusit final, por ajo që ai ia doli të arrijë ishte t'i shtyjë palët që të shqyrtojnë me shumë kujdes parimet themelore rreth të cilave mund të organizohet një Kosovë e ardhme: me mbrojtjen e plotë të të drejtave të pakicave, të drejtat e njeriut, mbrojtjen kulturore dhe fetare, regjimin e mbikëqyrjes
ndërkomëbtare; mbrojtje të jashtme për një periudhë kohe.

Këto janë të gjitha çështje për të cilat presidenti Ahtisaari ka punuar me shumë kujdes dhe me shumë efikasitet dhe propozimet e tij gjetën përkrahje të konsiderueshme ndërkombëtare.

BBC: Puna juaj tani i ka çuar këto edhe më tej, besoj?

Wisner: Siç po përpiqem të shpjegoj, ne po kërkojmë nga palët të shikojnë çdo gjë përfshirë edhe propozimin e Ahtisaarit dhe të mendojnë ku mund të bëjnë hapa të tjerë për të gjetur pika të përbashkëta, meqë ato janë në interesa të dyanshme. U përket atyre që të punojnë për këtë dhe ata kanë filluar, kanë bërë disa gjëra të rëndësishme gjatë këtyre javëve; kanë ripërëritur zotimet se nuk do të përdorin gjuhë provokative dhe nuk do të angazhohen në veprime provokative dhe armiqësore. Kjo është me rëndësi - të dyja palët kanë sjellë koncepte të freskëta për statusin final në tryezë kështu që nuk jam aspak i dekurajuar sepse palët po e marrin këtë me seriozitet dhe ne po e marrim me seriozitet.

Si pritni që të vazhdoj procesi pas bisedimeve direkte të së premtes? Më
shumë bsiedime direkte?

Wisner: Ma merr mendja se do të jetë një përzierje e bisedimeve direkte dhe indirekte nuk kemi përcaktuar ndonjë agjendë dhe për këtë do të mendojmë sa jemi këtu në Nju Jork.

 
 
LOKALE
E ardhmja e Kosovës
17 gusht 2006 | Analiza
Palët gati për takimin
25 shtator 2007 | Rajoni
Mustafaj: Pavarësia e pashmangshme
21 shtator 2007 | Faqja Kryesore
Kharchenko: Treshja në unison për bisedimet
20 shtator 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>