BBCAlbanian.com
 
Botuar: E enjte, 05 prill 2007 - 11:47 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Kuvendi i Kosovës mbështet planin e Ahtisarit
 

 
 
Prishtina
Kuvendi i Kosovës thotë se plani i Ahtisarit paraqet zgjidhje të drejtë
Parlamenti i Kosovës me votat e deputetëve shqiptarë dhe të pakicave joserbe ka miratuar një deklaratë me të cilën ka mbështetur planin e të dërguarit të OKB-së, Martti Ahtisari për pavarësi të mbikqyrur ndërkombëtarisht për Kosovën.

Në seancë nuk morën pjesë deputetët serbë, të cilët bojkotojnë punimet e Kuvendit për më shumë se tre vjet.

Në deklaratën e Kuvendit të Kosovës thuhet se plani i zotit Ahtisari për pavarësi të mbikqyrur për Kosovën paraqet një zgjidhje të drejtë dhe të balancuar që është në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës.

Gjithashtu theksohet gatishmëria e institucioneve vendore për zbatimin e marrëveshjes për statusin dhe mirëpritet prania e ardhshme ndërkombëtare civile dhe ushtarake.

"Kuvendi pranon dhe zotohet të implementojë propozimin gjithëpërfshirës të marrëveshjes për statusin e Kosovës të paraqitur nga Sekretari i Kombeve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit më datën 26 mars 2007 dhe deklaron nën supozimin se marrëveshja është e pranueshme për Këshillin e Sigurimit se dispozitat që i përmban marrëveshja do të jenë ligjësisht të obligueshme për Kosovën.

"Kuvendi mirëpret pa rezervë praninë ndërkombëtare civile dhe të sigurisë që do të krijohet në Kosovë siç parashihet me marrëveshje dhe zotohet se do të bashkëpunojë dhe do të mbështesë këtë prani në çdo formë të mundshme përderisa kjo prani, përderisa kjo prani ndërkombëtare civile dhe e sigurisë t'i kryejë detyrat që janë dhënë në marrëveshje," thuhet në tekstin e deklaratës së Kuvendit të Kosovës të lexuar nga kryeparlamentari Kolë Berisha.

Miratimit të deklaratës i kanë paraprirë fjalimet e mbajtura në Parlament të anëtarëve të Ekipit Negociator të Kosovës.

Negociatorët kosovarë kanë thënë se plani i zotit Ahtisari për pavarësi të mbikqyrur për Kosovën është një zgjidhje e drejtë që balancon kërkesën e shumicës për pavarësi dhe garanton mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve pakicë.

Sipas Ekipit Negociator të Kosovës, plani i të dërguarit të OKB-së për statusin garanton ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe ruajtjen e tërësisë territoriale.

Deklarata e Kuvendit të Kosovës vjen pas seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që u mbajt në Nju Jork, me të cilën nisën diskutimet për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

 
 
LOKALE
Mision faktmbledhës në Kosovë
05 prill 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>