BBCAlbanian.com
 
Botuar: E mërkurë, 14 mars 2007 - 09:03 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Plani Ahtisaari shkon në OKB
 
Këshilli i Sigurimit të OKB-së
Plani i Ahtisaarit për Kosovën paraqitet në OKB
Zëvendës-kryenegociatori i OKB-së për statusin e Kosovës, Albert Rohan, pritet të dorëzojë në selinë e OKB-së propozimin e Marti Ahtisarit për statusin e Kosovës.

Dokumenti do t'i dorëzohet Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon.

Propozimi i zotit Ahtisari për statusin e Kosovës pritet që gjatë dy javëve të ardhshme të përkthehet në disa gjuhë dhe më pas të diskutohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Diskutimet për raportin e zotit Ahtisari në Këshillin e Sigurimit të OKB-së pritet të bëhet gjatë muajit prill, kur presidencën e radhës e ka Britania e Madhe, njëra nga mbështetëset më të fuqishme të planit për Kosovën.

Rusia e ka kritikuar si të parakohshëm raportin e Ahtisarit.

Një zëdhënës i ministrisë së jashtme ruse tha se rekomandimet që do t'i paraqiten Këshillit të Sigurimit, nuk mund të garantojnë një zgjidhje të qëndrueshme.

Ai shtoi se duhen zhvilluar bisedime të tjera për të arritur një kompromis.

Serbia e ka hedhur poshtë dokumentin e zotit Ahtisari dhe e quan të papranueshme pavarësinë e Kosovës.

Rusia është njëra nga anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit, e cila ka të drejtë të përdorimit të vetos.

Burime diplomatike thonë se në ditët në vijim pritet që Shtetet e Bashkuara të marrin rolin kryesor për të bindur Rusinë që të mos përdorë fuqinë e vetos kundër planit për statusin e Kosovës.

Nga ana tjetër, drejtuesi i Listës Serbe për Kosovë e Metohi, Oliver Ivanoviq, ka deklaruar se Rusia vështirë se do të tërhiqet nga përdorimi i vetos në rast se Këshilli i Sigurimit do ta miratonte pavarësinë e Kosovës.

Ai tha se diplomati finlandez Ahtisari e ka përfunduar punën e vet dhe e ka dhënë mendimin e tij si ekspert, por vendimin për statusin do ta marrë Këshilli i Sigurimit.

Në kuadër të fushatës diplomatike për të siguruar mbështetje për pavarësinë e Kosovës, anëtari i Ekipit Negociator dhe kryetari i partisë Ora, Veton Surroi, po qëndron në Nju Jork.

Zoti Surroi është takuar të martën më përfaqësuesit e 22 shteteve anëtare të Ligës Arabe, nga të cilët kërkoi mbështetjen e tyre për pavarësinë e Kosovës dhe mbrojtjen e pakicave siç është përcaktuar në pakon e zotit Ahtisari, njofton zyra për informim e partisë Ora.

Ai po zhvillon takime në Nju Jork edhe me zyrtarë të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe organizata apo grupime shtetesh, të cilat kanë ndikim të theksuar në proceset vendimmarrëse në OKB.

Sipas profesor Ibrahim Gashit, shef i katedrës së Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, komuniteti ndërkombëtar do të jetë i bashkuar në vendimin për statusin e Kosovës.

Ai mendon se Rusia dhe Kina nuk do të përdorin veton kundër miratimit të rezolutës për Kosovën, sepse në të kundërtën do të rrezikonin prishjen e marrëdhënieve me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>