http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E premte, 15 shtator 2006 - 15:30 CET

"Shqipëria një euro" mbështetet në Maqedoni

Ekspertë të çështjeve ekonomike dhe biznesmenë në Maqedoni kanë përshendetur iniciativën e kryeministrit shqiptar, Sali Berisha - "Shqipëria, një euro".

Kjo nismë sipas tyre nuk duhet të shuhet që në embrion, por ajo sa më parë duhet të fillojë të aplikohet edhe në praktikë.

Abedin Murati, i cili ka një bashkëpunim të ngushtë me afaristë shqiptarë në sferën e prodhimit të mobiljeve thotë se qeveria shqiptare nuk mjafton vetëm të sigurojë tokë për një euro, por ajo duhet të plotësojë edhe kushte tjera.

"Nuk është me rëndësi të themi një euro, nëse shteti shqiptar ofron troje, duhet të ketë infrastrukturë, të ketë rrymë, të ketë rrugë, të jenë të gjitha parakushtet për të bërë biznes dhe të ketë një stabilitet.

E dyta, që është shumë me rëndësi, në Shqipëri duhet të ketë një kontroll të hyrjes së mallit se mund të bësh prodhim në Shqipëri, ndërsa atje hynë malli nga të gjitha anët dhe ka një konkurencë jo të drejtë", - thotë Murati.

Gjithashtu nisma e kryeministrit Berisha ka gjetur mbështetje edhe te kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë veriperëndimore, Xhemail Dauti.

"Shqipëria një euro, ne e vlerësojmë si një hap radikal në përmirësimin e ambientit të biznesit në Shqipëri dhe me siguri do të shërbejë edhe si model për shtetet përreth, sidomos për Maqedoninë, e cila duhet të marrë hapa të ngjashme të krijimit të ambientit të funksionimi të ekonomisë, apo të objekteve afariste", - shprehet zoti Dauti.

Në Maqedoni, nisma të tilla për stimulimin e investitorëve nga jashtë ka patur që më herët. Janë miratuar ligje të shumta, të cilët krijojnë kushte më të favorshme për investime të afaristëve të vendit e sidomos për thithjen e kapitalit nga jashtë. Maqedonia investitorëve të huaj tokën ua jep me një qira modeste për 50 vjet.

Në Maqedoni gjithashtu që nga viti i kaluar janë hequr barrierat burokratike për regjistrimin e firmave dhe është aplikuar sistemi i sportelit apo firmosja e marrëveshjeve të drejtpërdrejta midis qeverisë dhe investitorit.

Por, këto angazhime kanë mbetur të shkruara vetëm në letër dhe si dëshirë e politikanëve. Diçka konkrete nuk është realizuar, thonë ekspertët ekonomik.

Në vitin 1999 u miratua ligji për krijimin e pesë zonave të lira tregëtare, të cilat pritej se do ta shtojnë interesimin e investitorëve të vendit dhe nga jashtë, por kështu nuk ndodhi.

Sipas ish-drejtorit të këtyre zonave të lira, Rakip Doçi fajtorë për mosfunskionimin e tyre janë vetë qeveritë të cilat nuk krijojnë parakushte elementare për funksionimin e tyre.

"Askush nuk vjen të investojë, nëse ai vend nuk ka kanalizimin, ujësjellësin, rrjetin e telefonit, rrymën elektrike, gazin natyror, hekurudhën.

Ish-qeveria Buçkovski në muajin maj ndau 300 mijë euro për ndërtimin e infrastrukturës në Zonën e Lirë tregtare të Bunarxhikut që ishte parakusht për ardhjen e firmës amerikane Jonsons Controls, e cila gjatë këtij muaji pritet të fillojë me ndërtimin e objekteve për prodhimin e paisjeve elektrike për veturat.

Sipas marveshjes kjo firmë pritet që në Maqedoni të investojë afro 100 milion euro dhe të punësojë mbi 500 punëtorë", - thotë Z. Doçi.

Sipas profesorit për çështje ekonomike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, Izet Zeqiri, nuk mjaftojnë vetëm ligjet e mira për të krijuar ambient të favorshëm për thithjen e investimeve nga jashtë.

"Maqedonia nuk ka diplomaci ekonomike. Nga 35 përfaqësues diplomatik dhe konsullar nëpër botë, në asnjë vend nuk ka njeri të posaçëm, të angazhuar për çështjet ekonomike që do të ishte një promotor investues për Maqedoninë", - shprehet z. Zeqiri.

Qeveria e re e Nikolla Gruevskit, mandatin e fillon me vlerësime optimiste për zhvillimin ekonomik të vendit. Ajo ka hartuar të ashtuquajturin manifest ekonomik të saj, ndërsa në kabinetin qeverisës ka të angazhuar ekspertë me përvojë nga jashtë, të cilët kanë marrë për detyrim që t'i shtojnë investimet në Maqedoni.

Sa do të arrijë qeveria Gruevski,që t'i bindë investitorët e jashtëm se në Maqedoni funksionon shteti ligjor,nuk ka korrupsion, sa Maqedonia është vend i sigurtë për investime dhe garanton mbrojtjen e pronës së investuar- këtë do ta dëshmojë koha. Maqedonia, aktualisht radhitet në vendet e fundit në rajon për thithjen e investimeve nga jashtë.