http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E martë, 05 shtator 2006 - 16:13 CET

Biznesmenët kosovarë, interes ndaj nismës shqiptare

Projekti i qeverisë shqiptare i njohur me emrin "Shqipëria, një euro" ka zgjuar një interesim tek biznesi kosovar.

Megjithatë biznesmenët e atjeshëm dhe analistët e çështjeve ekonomike e vlerësojnë te domosdoshme që ky projekt të përcillet edhe me masa shtesë, siç janë siguria e investimeve, politika fiskale dhe infrastruktura rrugore.

Një material në lidhje me këtë e ka përgatitur bashkëpunëtori ynë në Prizren, Fadil Bytyci

Biznesmenë dhe analistë kosovarë të çështjeve ekonomike e vlerësojnë pozitivisht projektin e qeverisë shqiptare të njohur me emrin "Shqipëria një euro".

Ata thonë se ky projekt ofron kushte me të mira për ngritjen e infrastruktures së biznesit dhe josh investimet e huaja atje.

Ndonëse shprehen për një interesim që të investojnë në ngritjen e kapaciteteve prodhuese në Shqiperi, biznesmenët kosovarë thonë se ky projekt duhet të përcillet edhe me një infrastrukturë më të përshtatshme ligjore.

Lehtësi në investime

Shefqet Kuqi është pronar i fabrikës së këpucëve "Solid" në Suharekë afër Prizrenit. Ai thotë se projekti ofron lehtësira për të investuar në Shqipëri, por kërkon që politika të mos përzihet në ekonomi.

"Ky model është i mirëseardhur, por qeveria shqiptare duhet të bëjë edhe ndryshime të tjera, siç janë ato që kanë të bëjnë me politikën fiskale, doganat, sigurinë e investimeve, sepse për fat të keq edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, politika është e përzier në ekonomi" - thotë z. Kuqi.

 Projekti është mjaft ambicioz nëse e përcjell një infrastrukturë ligjore të duhur,
 
Gani Sallauka, analist

Ngjashëm me z.Kuqi shprehet edhe pronari i kompanisë për prodhimin e verës nga Prizreni, Mustafë Berisha, por shton se shteti Shqiptar duhet të ofron edhe siguri më të madhe te investimeve.

"Mua përsonalisht më intereson ky projekt dhe kam dëshirë që me ndonjë projekt të vogël, sipas mundësive të dal edhe në Shqipëri, por dua të sigorohem që të jetë më e madhe siguria e investimeve" - thotë z.Berisha

Prioritet - infrastruktura

Që projekti të jetë sa më joshës për biznesin kosovar, Shqipëria duhet të angazhohet edhe në ngritjen e infrastrukturës rrugore" - pohon biznesmeni Shani Hamtagaj që është edhe aksionar i Bankës Private të Biznesit.

"Mendoj se projekti jo vetem se është i nevojshëm, por edhe i domosdoshëm, por infrastruktura rrugore është mundësia për realizimin e këtij projekti, duke patur parasysh se Shqipëria nuk ka ndonjë strukturë të mirë rrugore" -pohon z.Hamitagaj.

Nga ana tjetër edhe analistët e këtushëm të çështjeve ekonomike e vlerësojnë këtë projekt të Qeverisë Shqiptare, por ata e shohin me skepticizëm realizimin e tij, nëse qeveria nuk merr masa tjera për të joshur investitoret e huaj që të investojnë në Shqipëri.

Projekt ambicioz

Gani Sallauka është analist për çështje ekonomike në Institutin Rajonal të Ekonomisë në Prizren.

"Projekti është mjaft ambicioz nëse e përcjell një infrastrukturë ligjore të duhur, e cila i mbronte investimet dhe njëkohësisht një politikë fiskale, e cila do t'i jepte përparësi prodhimit dhe se atëherë Shqipëria do të jetë në gjendje të joshë investitorët nga jashtë e me këtë të ketë edhe një sukses ekonomik"

Vlerësohet se projekti i Qeverisë Shqiptare "Shqipëria një euro" do të ketë një ndikim në orientimin e biznesmenëve kosovarë drejt Shqipërisë.

Kjo për faktin se hapësira për ngritjen e një biznesi këtu është tepër e shtrenjtë ndërsa çmimet sillen rreth 100 euro për metër katror e kjo është më e lart për 100 herë nga ajo që ofron shteti shqiptar përmes këtij projekti.