BBCAlbanian.com
 
Botuar: E mërkurë, 06 shtator 2006 - 18:22 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
MedOil, kërkime për naftë në detin shqiptar
 
David Thomas
Drejtori i kompanisë MedOil, David Thomas thotë se Shqipëria është vend i stabilizuar
Qeveria shqiptare nënshkroi të hënën një marrëveshje me kompaninë britanike, MedOil, të specializuar në kërkimin e naftës dhe gazit.

Sipas marrëveshjes kjo kompani do të ketë të drejtë të zhvillojë kërkime në detin Jon dhe Adriatik për një afat 20-vje për një afat 20-vjeçar.

Blerim Kola bisedoi me drejtorin e përgjithshëm të kësaj kompanie në Londër, David Thomas dhe fillimisht i kërkoi më shumë detaje rreth marrëveshjes.

David Thomas: Së pari dëshiroj të sqaroj se çfarë është MedOil dhe pse jemi të interesuar për të investuar në Shqipëri. MeDoil është një kompani që kuoton titujt e saj në bursë dhe e bën të njohur publikisht biznesin e saj në median e vendit.

Ne jemi të interesuar në rajonin e Mesdheut dhe ky është fokusi ynë aktual gjeografik. Dhe siç e dini Shqipëria është e pasur me naftë dhe kërkimi në këtë vend ka filluar që në vitin 1918.

Dhe sigurisht që kompanitë më të mëdha perëndimore si "British Petrol" filluan të eksploronin në Shqipëri që prej vitit 1928. Dhe që atëherë janë gjetur mbi 3 bilion fuçi naftë në zonat bregdetare.

Kështu që kur MedOil u themelua dy vjet më parë ne ishim shumë të interesuar që të shkonim dhe të flisnim me autoritetet shqiptare për të parë, nëse mund të merrnim pjesë aktive në eksplorimin e naftës në Shqipëri.

Blerim Kola: Kjo është arsyeja e vetme pse zgjodhët detin shqiptar për të kërkuar naftë?

David Thomas: Ne zgjodhëm Shqipërinë pasi mendojmë se ka mundësi për të gjetur naftë në det dhe gjithashtu për mendimin tonë tashmë është një vend me stabilitet.

Tashmë ne e dimë që Shqipëria nuk ka më problemet që ka patur në të kaluarën pasi ato tashmë i janë lënë së kaluarës.

Blerim Kola: Z. Thomas sa i sigurtë jeni se do të gjeni naftë në detin shqiptar?

David Thomas: Sigurisht që kërkimi për naftë është një biznes, ku mund të fitosh dhe humbësh. Dhe ajo që ne kemi nënshkruar me autoritet shqiptare më 4 shtator pritet që të miratohet në fund të tetorit dhe më pas ne do të kemi 2 vjet kohë për të bërë studimin sizmik të tokës në fund të detit.

Dhe shpresojmë që këtë ta fillojmë ta bëjmë gjatë vitit të ardhshëm. Studimi sizmik do të na japë një ide më të qartë se nga çfarë strukture gjeologjike do të ketë toka, ku ne do të eksplorojmë dhe nga kjo ne do të përcaktojmë nëse ka naftë apo gaz atje.

Blerim Kola: Z. Thomas një kompani australiane e quajtur "Hamilton Oil" nisi kërkimet për naftë në detin shqiptar në vitin 1992, por u largua pas 3 vjetësh, pasi nuk gjeti naftë. A e keni marrë parasysh këtë fakt?

David Thomas: Po, kjo është absolutisht e vërtetë. "Hamilton Oil" ishte një ndër kompanitë e para që nisi të eksploronte detin shqiptar në vitin 1992 dhe u largua 3 vjet më vonë. Por duhet të keni parasysh dy çështje këtu:

E para çmimi i naftës në atë kohë ishte shumë i lirë dhe tjetra që duhet të kemi parasysh janë përmirësimet që janë bërë në teknologji për të depërtuar në thellësitë e detit dhe për të përshkuar edhe shkëmbinjtë më të paparashikueshmë që ndodhen poshtë sipërfaqes së tokës.

Duke përdorur teknologjinë moderne sizmike ne mund të kemi një ide më të qartë se si duket sipërfaqja nëntokësore. Pra ne i kemi të dyja avantazhet. Avantazhi i parë është se kemi çmime më të mira të naftës dhe e dyta është se kemi teknologji më të mirë.

Blerim Kola: A mendoni se ekonomia shqiptare do të përfitojë nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje?

David Thomas: Po sigurisht që po, pasi nëse kemi sukses, pra nëse ne gjejmë naftë pjesa më e madhe e përqindjeve të fitimit do t'i kalojnë Shqipërisë.

Blerim Kola: Z.Thomas, qeveria shqiptare ka ndërmarrë kohët e fundit një inisiativë të titulluar "Shqipëria, një euro". A pati ndonjë ndikim kjo që ju të nënshkruanit marrëveshjen pikërisht në këtë kohë?

David Thomas: Jo në të vërtetë jo. Vendimi u mor më shumë në perspektivën që ne kishim për të gjetur naftë.

Duke i shtuar këtu faktin që unë përmenda që në fillim se Shqipëria po bëhet një vend më i qëndrueshëm, me stabilitet më të lartë dhe ky ishte një problem që kompanitë e tjera e kanë hasur për shembull problemet me të cilat Shqipëria përballej në vitet 1995 - 1996.

Blerim Kola: Nga eksperiencat tuaja të mëparshme a mendoni se ka çështje mjedisore për të cilat duhet të shqetësohemi nga aktiviteti i kësaj kompanie?

David Thomas: Po çështjet mjedisore janë një shqetësim për të gjithë, duke na përfshirë edhe ne. Përpara se të bëjmë një gjë ne fillimisht bëjmë një studim rreth ndikimit që do të ketë në ambient. Si të thuash ky është një lloj standarti ndërkombëtar.

Për shembull ne po bëjmë punë sizmike tani në Tunizi dhe përpara se ta bëjmë atë ne bëmë një studim se çfarë ndikimi do të ketë në ambient në zonën, ku ne do të punojmë dhe ky studim i dorëzohet qeverisë përkatëse dhe nëse qeveria mendon se kjo nuk është e drejtë atëherë mund të mos e miratojë një gjë të tillë, por zakonisht ndikimi në mjedis do të jetë shumë i vogël.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>