BBCAlbanian.com
 
Botuar: E mërkurë, 08 mars 2006 - 18:28 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Në Shqipëri konfirmohet virusi H5N1 tek pulat
 
Shpendë
Pulat e ngordhura janë gjetur në Çukë të Sarandës.
Në Sarandë është konfirmuar rasti i parë i shfaqjes së virusit H5N1 në disa pula shtëpiake të ngordhura në fshatin Çukë, pranë kufirit me Greqinë.

Konfirmimi erdhi pas analizave në Institutin e Weybridge-it në Angli.

Rreth 2000 pula të zonës ku është shfaqur virusi do të asgjësohen ndërsa fermerët do të kompensohen nga shteti.

Zyrtarë të lartë thonë se janë raste sporadike dhe nuk ka vend për panik, thotë korrespodenti i BBC në Tiranë, Aleksandër Furxhi.

Ministri i Bujqësisë Jemin Gjana, duke konfirmuar praninë e virusit të rrezikshëm, tregoi se pulat e marra në analizë kanë ngordhur në fund të muajit shkurt.

Në fshatin Çukë kanë ngordhur 60 pula që i përkisnin një familjeje që banon në një zonë jo shumë të populluar në bregdetin pranë Ksamilit.

Në atë zonë, sipas ministrit, po merren masa urgjente për të vendosur izolimin në një shtrirje prej 3 km, ndërsa do të mbahet nën mbikqyrje një zonë deri 10 km prej vendit ku është konfirmuar prania e virusit.

Një ekip qeveritar dhe me ekspertë është nisur për në fshatin Çukë dhe janë duke u marrë masat për të parandaluar sa të jetë e mundur përhapjen e virusit.

Sipas drejtorit të Institutit të veterinarisë në Tiranë, Dashamir Xhaxhiu, origjina e virusit mund të jetë nga Greqia.

"Mënyra e ardhjes së këtij infeksioni natyrisht është nga shpendë migratorë të cilët kanë ardhur ose nga pjesa e Greqisë ose nga ndonjë vend tjetër pasi ky rajon është në kufi me Greqinë dhe ka shpërndarë këtë infeksion duke qenë në kontakt me shpendët tanë."

Drejtori Xhaxhiu nuk beson se virusi është përhapur te njerëzit. Rreth 2000 pula në fshatin Çukë do të asgjesohen, duke filluar ndoshta nga nesër, në bazë të standarteve ndërkombëtare.

Ai shtoi se stabilimentet industriale që ndodhen në zona të tjera të vendit, janë jashtë rrezikut për arsye të masave që kanë marrë për t'u mbrojtur nga përhapja e virusit.

Kryeministri Berisha bëri thirrje për të mos përhapur panik, pasi virusi shëtit nëpër botë prej 3 vitesh pa shkaktuar deri tani epidemi.

"Duhet të bëhet e qartë që nuk bëhet fjalë për një epidemi të gripit të pulave por bëhet fjalë për raste sporadike dhe epidemia nga raste sporadike janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme," tha kryeministri Berisha.

Shqipëria kishte mbetur ndër të paktat vendet në rajon ku nuk ishte konfirmuar prania e virusit H5N1.

Shpendë të ngordhur filluan të shfaqen në zona të ndryshme të vendit që nga muaji janar.

Frika prej sëmundjes ka bërë që në vend të bjerë ndjeshëm konsumi i mishit të pulës dhe vezëve.

Kryeministri Berisha deklaroi se nuk ka motiv për të kufizuar konsumin e mishit të pulës.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>