BBCAlbanian.com
 
Botuar: E hënë, 27 shkurt 2006 - 15:37 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Tender për energjinë e munguar
 

 
 
Matës elektrik
KESH-i organizon tender për blerje energjie
Në Tiranë zhvillohet një garë ndërkombëtare për blerjen e energjisë elektrike sasi e nevojshme për vitin 2006.

KESH thotë se 10 kompani të huaja kanë shprehur interesin për të marrë pjesë në garën ndërkombëtare për blerjen e energjisë.

Është fjala për një sasi energjie me një vlerë rreth 50 milion euro.

Mirëpo një betejë politike mes qeverisë dhe opozitës duket sikur e lë në plan të dytë hallin e përditshëm të njerëzve të zakonshëm.

Shqipëria mbetet e zhytur në një krizë të rëndë energjie e cila mungon nga 4 deri në 15 orë në ditë në qytete dhe zona të ndryshme.

Në fakt, togfjalëshi "sasi e nevojshme" është shumë relativ në Shqipëri, pasi qeveria e ka quajtur të kapërcyer krizën e energjitike edhe atëhere kur në dhjetëra qytete dhe fshatra të vendit energjia ka munguar në mënyrë të përditshme për orë të tëra.

Duket se zyrtarët e quajnë problemin të zgjidhur kur energjia nuk mungon në Tiranë ku edhe banon tashmë rreth 1/3 e popullsisë së Shqipërisë.

Mirëpo aktualisht edhe në Tiranë prej 10 ditësh energjia mungon të paktën 4 orë në ditë.

Kriza energjitike që zgjat prej 15 vjetësh është një e keqe e madhe me të cilën duket se fatkeqësisht janë mësuar të gjithë dhe nuk turbullohen edhe aq prej saj.

Më shumë ndjeshmëri duket se shkakton një betejë politike me akuza të rënda mes politikanëve. Çka po ndodh realisht prej ditës së djeshme kur kryeministri Sali Berisha lëshoi një lumë me akuza të rënda për krim e korrupsion kundër disa prej eksponentëve të opozitës.

Çudia është se njerëzit ndoshta presin me padurim orët e pasditës që të shohin në televizor se cila do të jetë beteja dhe sulmet e radhës së politikanëve se sa të shqetësohen nëse do të kenë drita dhe energji në familje.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>