BBCAlbanian.com
 
Botuar: E mërkurë, 25 janar 2006 - 11:34 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Petrich kujton Rugovën
 
Ambasadori i Austrisë në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, Volfgang Petrich, i tha BBC-së se është në duart e udhëheqjes së Kosovës që ta përmbushë ëndrrën e presdientit Rugova për pavarësi. Arber Vllahiu zhvilloi një bisedë me zotin Petrich dhe fillimisht e pyeti se si e kujton ai presidentin Rugova të cilin e ka takuar shumë herë para dhe pas luftës.

BBC: Ambasador Petrich, ju e keni takuar presidentin Rugova shumë herë në të kaluarën, para dhe pas luftës në Kosovë. Si e kujtoni ju atë?

Petrich: Kur e takova për herë të parë isha në cilësinë e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për Kosovën në vitin 1997-98. Për mua ishte një njeri që do ta quaja madje edhe të tërhequr.

Për mua kjo paraqiste një kundërthënie ndërmjet një imazhi ndërkombëtar që Rugova kishte, me një karizëm në njërën anë dhe të një njeriu të tërhequr në anën tjetër. Por nga ana tjetër mund të thuhet se ishte një njeri i vendosur.

BBC: Ambasador ju ishit në konferencën e Ramboulliet ku presidenti mori pjesë. Si e kujtoni ju atë gjatë atyre ditëve?

Petrich: Në Rambouillet ai nuk ishte drejtpërdrejt në udhëheqje nëse mund të them. Ishte një kohë e daljes në sipërfaqe të udhëheqjes së ish-UCK-së. Dhe ai thjeshtë nuk ishte në mundësi ose nuk kishte dëshirë që të konkurrojë për një udhëheqje politike në këto bisedime.

BBC: Tani kemi një situatë të re. Kosova vazhdon që të mbajë ditë zie për presidentin Rugova. Por çfarë mendoni ju cilat do të jenë vështirësitë në një periudhë pas Rugovës ta quaj?

Petrich: Është shumë e qartë se nuk do të jetë e lehtë që të mbahen së bashku forcat politike centrifugale në këtë vend. Mendoj se në shumë mënyra ky vend është thellësisht i ndarë por nga ana tjetër edhe shumë i bashkuar kur bëhet fjalë për një kundërshtim ndaj Beogradit.

Ky vend mbahej i bashkuar nga një person dhe ai ishte Rugova. Por tani pa Rugovën përfundimisht do të jetë e vështirë që të arrihet kjo domosdoshmëri e bashkimit në prag të bisedimeve.

BBC: Pra ju parashihni probleme kur bëhet fjalë për bashkim në mesin e udhëheqjes shqiptare sot?

Petrich: Kjo është e vërtetë. Por unë shpresoj se kjo do të njihet si një sfidë potenciale, madje edhe reale, për Kosovën dhe qytetarët e saj si dhe udhëheqjen politike të saj.

Prandaj kjo udhëheqje në këtë fazë pas Rugovës duhet të veprojë së bashku dhe të vendos në një mënyrë të përgjegjshme për të zgjedhur pasuesin.

Unë nuk mendoj se ai duhet të jetë një Rugovë i dytë i cili duhet të shfaqet. Mendoj se pas Rugovës, koha, situata dhe mjedisi do të jenë polotësisht ndryshe nga koha kur Rugova fillimisht organizoi një rezistencë civile.

BBC: Ambasador Petrich bisedimet janë shtyrë për pak ditë ose javë. A parashihni që vdekja e presidentit Rugova do të ketë ndikim të madh mbi procesin e bisedimeve?

Petrich: Kjo do të varet shume nga paraqitja e udhëheqjes në Prishtinë. Në përgjithësi mendoj se nuk do duhet të ketë shtyrje të bisedimeve domosdoshmërisht. Shtyrja e bisedimeve mund të kthehet në një problem potencial nëse nuk bëhet riorganizimi dhe nuk vendoset shpejt rruga përpara. Mendoj këtu në mbajtjen e një rrugë përpara në mënyrën se si e kanë zgjidhur demokracitë perëndimore çështjen e tranzicionit. Dhe kjo do të thotë që t'i ndihmohet dhe të informohet udhëheqja në Prishtinë se si të procedojë tutje.

BBC: Por udhëheqës botërorë kanë bërë thirrje që kosovarët të vazhdojnë rrugën e presidentit Rugova. Mirëpo ai kishte një ëndërr dhe ajo ishte pavarësia e Kosovës?

Petrich: Po kjo ishte një ëndërr e Presidentti Rugova jo domosdoshmërisht nga fillimi. Mendoj se ishte fillimisht një rezistencë ndaj trajtimit johuman nga regjimi i Milosheviqit. Por pastaj me Rugovën rruga e vetme për të dalë nga situata ishte pavarësia.

Prandaj këto përpjekje të frustruara kulmuan dhe intervenimi i NATO-s ishte një ndarje kur bashkësia ndërkombëtare në mënyrë të qartë demonstroi se në shekullin XX nuk do të lejojë shkeljen e të drejtave elementare njerëzore.

Pasoja e qartë politike do të jetë një lloj pavarësie për Kosovën, meqë kjo është paraqitur edhe me parimet e Grupit të Kontaktit se nuk ka kthim në situatën e para vitit 1999. Prandaj duhet të ketë një rrugë përpara.

BBC: Pra ju po thoni se ëndërra e zotit Rugova një ditë do të jetësohet?

Petrich: Mendoj se kjo do të varet tani nga udhëheqja e ardhshme e Kosovës nëse ëndërra e zotiti Rugova do të bëhet realitet.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>