http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E premte, 03 qershor 2005 - 13:32 CET

Fillon zyrtarisht fushata zgjedhore

Pas një fushate të ethshme elektorale të pashpallur, sot partitë dhe grupimet politike në Shqipëri fillojnë zyrtarisht ballafaqimet e tyre me zgjedhësit për t’i bindur ata që t'i mbështesin me votë në zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut.

Sipas informacioneve të marra nga shtabet zgjedhore, gjatë 30 ditëve të ardhshme, propaganda partiake do të synojë në zbërthimin në detaje të programeve për të fituar, siç thuhet, çdo votë të zgjedhësve.

Për socialistët fushatën pritet ta çeli kryetari dhe kryeministri Fatos Nano, i cili do të përcjelli dhe mesazhin kryesor.

Këtë e bëri të ditur për BBC-në zëdhënësi i fushatës, ministri aktual i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Blendi Klosi.

"Fushata elektorale e PS–së hapet ditën e premte, në datën 3 qershor 2005 në përputhje me kodin elektoral, një mesazh të kryetarit të partisë zotit Fatos Nano, i cili do të jetë drejtuar për të gjithë popullin shqiptar," tha zoti Klosi.

Për Partinë Demokratike të opozitës, e cila si asnjëherë tjetër po synon rikthimin në pushtet, thelbi i fushatës është slogani i saj Koha për ndryshim.

"Momentet kryesore ku do të përqëndrohet fushata e PD–së shprehen më së miri në moton e fushatës tonë 'Koha për ndryshim'. Koha për ndryshim për shqiptarët, koha për një shtet ligjor, për një qeverisje me duar të pastra, koha për t'i dhënë fund korrupsionit, koha për t'i orientuar shpenzimet publike sipas prioriteteve të qytetarëve dhe jo dëshirave të qeveritarëve. Këto do jenë dhe pikat kryesore të fushatës tonë që në thelb ka optimizmin dhe shpresën si dhe dëshirën e gjithë popullit shqiptar për ndryshim nga kjo situatë e pashpresë," tha zëdhënësi i fushatës zgjedhore të demokratëve Lulëzim Basha.

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi i tha BBC-së se kjo parti e re e cila synon të jetë e rëndësishme në jetën politike shqiptare pas zgjedhjeve të 3 korrikut, do ta përqëndrojë fushatën te çështjet më kryesore që preokupojnë sot elektoratin.

"LSI e ka përqëndruar fushatën e saj në paraqitjen para publikut shqiptar të disa momenteve kryesore të platformës së saj elektorale dhe qeverisëse njëkohësisht dhe që kanë të bëjnë në radhë të parë me luftën për reduktimin e varfërisë, për çmontimin e logjikës monopole në jetën ekonomike e cila është fajtore sepse ka reduktuar dinamikat e konkurencës së djeshme në luftën për zhvillimin e arsimit duke konsideruar gjithnjë arsimin publik si shtyllën kurizore të shkollës shqiptare dhe duke e harmonizuar atë me arsimin privat. Në zhvillimin e sistemit shëndetësor duka ja u ofruar atë qytetarëve në çdo vend të republikës, në avancimin e objektivave të integrimit, në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë kudo ku janë, pra në mbrojtje të dinjitetit dhe interesave të tyre duke garantuar dhe lirinë e votës, si dhe në një sërë aspektesh të tjera të jetës," tha zoti Xhufi.

Rudi Erebara, zëdhënësi i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar e iniciuar nga pretendenti për fronin mbretëror Leka Zogu, thotë për BBC se rikthimi pronave dhe vendosja e dënimit me vdekje do të jenë momentet kryesore të fushatës, së tyre.

"Ne gjykojmë që këto janë dy pikat kryesore të problemeve në Shqipëri, kriminaliteti dhe korrupsioni i cili do të zgjidhet me ligjin e dënimit me vdekje. Çështja e pronësisë dhe monopoleve që do të zgjidhet menjëherë në rast se ne do të fitojmë shumicën në parlament," tha zoti Erebara.

Fushata zgjedhore është ndërkohë në fokusin e vëzhgimit të një sërë organizmash vendase dhe të huaja.

Me nënshkrimin e Kodit të Etikës të inicuar nga presidenti Alfred Moisiu, partitë politike shqiptare janë zotuar për të zhvilluar një fushatë të ndershme.

Por nga shtabet zgjedhore të tyre ka patur ankesa se ky kod është cënuar jo pak herë.

Ankesat më të shumta kanë dalë nga selitë e dy partive kryesore, socialistëve në pushtet dhe demokratëve në opozitë, por nuk mungojnë edhe ankesat e partive të tjera.