BBCAlbanian.com
 
Botuar: E mërkurë, 22 dhjetor 2010 - 11:45 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Komentët e 'rrezikshme" të Cable për Murdoch-un
 
Sekretari Britanik i Thesarit, Vince Cable
Komentet e Sekretarit britanik të Thesarit, Vince Cable rreth supermanjatit të medias, Rupert Murdoch-ut ndodhen në fokus të shtypit të sotëm.

E përditshmja britanike The Times ka në faqe të parë titullin 'I kufizohen pushtetet zotit Cable'.

Gazeta thotë se pozita e Sekretarit të Thesarit tashmë është e rrezikuar pas komenteve të tij me disa gazetarë të fshehtë se ai do t'i shpallë lufte Rupert Murdoch-ut , drejtorit dhe shefit ekzekutiv të kompanisë gjigante të medias News Corporation, që në pronësi të saj ka një pjesë të kanalit televiziv Sky si dhe gazetave The Times dhe The Sun.

Gazeta thotë se edhe pse duket se zoti Cable mund të ketë shpëtuar vendin e punës, atij u janë kufizuar pushtetet në kuadër të këtij posti, veçanërisht mbikëqyrja e politikave rreth medias.

Udhëheqësi laburist i opozitës, Ed Miliband bëri thirrje për shkarkimin e zotit Cable.

E përditshmja The Daily Telegraph ka titullin 'Vince Cable humb rolin e medias për shkak të komenteve ndaj zotit Murdoch'.

Një e përditshme tjetër The Independent në faqe të parë nën një portret të madh të zotit Cable ka titullin 'Njeriu që i shpalli luftë Murdoch-ut dhe e humbi atë'.

Gazeta sugjeron se zoti Cable ishte me shumë fat që nuk e humbi postin dhe se kjo ishte falë qeverisë së koalicionit sepse në një qeveri njëpartiake ai me siguri do të shkarkohej.

Gazeta përqëndrohet më thellësisht në interesat afariste të kompanisë së zotit Murdoch News Corporation, e cila po përpiqet që të blejë të gjitha aksionet e BskyB duke patur në pronësi disa të perditshme.

Gazeta thotë se ka zëra që thonë se me pronësinë e plotë të zotit Murdoch kanali televiziv Sky mund të komprometojë pavarësinë editoriale dhe në raste të tilla rregullatorët e mediave në Britani mund të ndërhyjnë të mos lejojnë një shitje apo marrëveshje të tillë.

Një e përditshme tjetër The Guardian thotë se disa zyrtarë të partisë liberal-demokrate thotë se me kufizimin e pushteteve të Sekretarit të Thesarit, i cili është liberal-demokrat , mund të dobësohet pozita e partisë në kuadër të koalicionit qeverisës.

Liberal-demokratët të cilët e konsiderojnë zotin Cable si të paparashikueshëm por të lezetçem janë të frikësuar se duke e ulur statusin e tij në kabinet do të transformohet dinamika e kaolicionit si dhe do të dobësohet pozita e partisë në të - thotë e përditshmja The Guardian.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>