BBCAlbanian.com
 
Botuar: E enjte, 12 nëntor 2009 - 08:54 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Shtypi për turneun aziatik të Obamës
 
Presidenti Obama
Obama ka paralajmëruar tensione të reja me Kinën për tregtinë
Të përditshmet britanike trajtojnë të enjten turneun në Azi të presidentit Obama, përkujtimin e fundit të Luftës së Parë botërore dhe arsyet që çuan në vetëvrasjen e portjerit të përfaqësueses gjermane.

GUARDIAN në faqet ndërkombëtare shkruan për rëndësinë e luftës propagandistike në Afganistan, teska është rritur theksi tek ndryshimi i strategjisë ndërkombëtare atje.

Gazeta shkruan se "operacionet informative" të NATO-s në Afganistan janë duke u përpjekur për t'u mbështetur në të njëjtat rrjete tradicionale dhe figura fisnore që janë përdorur edhe nga talebanët.

Që prej vitit 2006 Talebanët megjithëqë e hedhin poshtë jetën moderne dhe e kanë ndaluar televizionin dhe internetin, përsëri mbështeten në teknologjinë e urryer prej tyre, për të vazhduar luftën propagandistike.

GUARDIAN citon një ekspert të forcave ajrore amerikane, i cili flet për rëndësinë që ka mënyra se si perceptohet lufta në mendjet e afganëve.

Talebanët përveç faqeve të internetit, botojnë edhe revista, dhjetra DVD ku tregohen sulme dhe prodhojnë qindra kaseta me këngë të trishtueshme që promovojnë herojntë dhe martirët talebanë.

DAILY TELEGRAPH shkruan për paralajmërimet e presidentit Obama për tensione të reja me KInën.

Presidenti Obama tha të mërkurën se mbi marrëdhëniet SHBA-Kinë do të ushtrohet shumë presion, nëse nuk zgjidhen çështjet që kanë të bëjnë me tregtinë.

Duke folur përpara fillimit të turneut të tij njëjavor në Azi presidenti theksoi nevojën për të punuar me ngulm për të adresuar çekuilibrat globalë përfshirë edhe vlerën e monedhës kineze, e cila ka kontribuar në krizën ekonomike globale.

Presidenti shkruan DAILY TELEGRAPH , ka premtuar që gjatë turneut të ngrejë edhe çështjen e të drejtave të njeriut në Kinë.

INDEPENDENT shtron pyetjen nëse presidenti do të mund të arrijë rezultate gjatë turneut të tij në Lindjen e Largët.

Vizita e parë e zotit Obama në rajon, do të shoqërohet nga çështjet me peshë si programi bërthamor i Koresë së Veriut, ndryshimet klimatike dhe dallimet e mëdha në tregti ndaj Kinës dhe Japonisë.

Gazeta shkruan se sfida më e madhe e presidentit do të jetë se si do ta mund ta ruajë Amerika relevancën në një rajon shumë të zhvilluar me ekonominë më dinamike të planetit.

Me shumë interes pritet fjalimi i presidenti në Tokjo ku ai do të shpallos edhe strategjinë e SHBA-së në Azi.

FINANCIAL TIMES shkruan se kancelarja gjermane Angela Merkel ka bërë histori në ditën e përkujtimit të fundit të Luftës së Parë Botërore.

Presidenti francez Nicolas Sarkozy tha se prania e zonjës Merkel në Arkun e Triumfit dhe kurora me lule që ajo vuri në varrin e ushtarit të panjohur ishte "një gjest i jashtëzakonshëm miqësie".

Zonja Merkel, citon gazeta, tha se "forca e ripajtimit u lejonte atyre që të përballonin sfidat e reja përpara dhe marrjen e përgjegjësive", një referencë kjo për krizën ekonomike, drejtësinë sociale, ndryshimin e klimës dhe varfërinë globale.

Këtu në Britani kryeministri Gordon Brown pritet që të bëjë një ndërhyrje përsa i takon çështjes shumë kritike të imigracionit.

GUARDIAN thotë se ai do të përdorë një fjalim shumë të rëndësishëm ku do të thotë se punëtorët migrantë do të përdoren vetëm për të mbushur përkohësisht ato vende pune në ekonomi që përballen me mungesa punëtorësh.

Zoti Brown do të kërkojë që qeveria të sanksionojë skema trajnimi për punëtorë britanikë pakualifikuar që ata të zënë ato vende pune në sektorë që kërkojnë forcë të specializuar.

Ky fjalim thotë gazeta do të shihet si një përpjekje për t'i dhënë kuptim premtimit të tij : "vende pune britanike për britanikët".

Disa të përditshme kanë faqe të para fotografinë e portjerit gjerman Robert Enke që kreu vetëvrasje, pasi një beteje të gjatë me depresionin.

Të përditshmet sjellin një profil të futbollistit gjerman dhe reagimit në Gjermani ndaj vdekjes së tij.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>