http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E hënë, 14 mars 2011 - 13:39 CET

Thaçi në samitin e Stambollit

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi po merr pjesë në samitin botëror të liderëve të ndryshimeve që po mbahet në Turqi.

Kryeministri Thaçi ka thënë se do ta shfrytëzojë këtë takim ndërkombëtar për të zhvilluar takime me burrështetas të një numri vendesh pjesëmarrëse dhe për të paraqitur të arriturat e Kosovës në tre vitet e funksionimit si shtet i pavarur.

“Do të jetë një mundësi e mirë dhe e re edhe për komunikim bilateral me liderët të tjerë botëror, në mënyrë që të kemi edhe njohje tjera për Republikën e Kosovës.”

“Do të kemi takime të tjera zyrtare dhe me kryeministrin Erdogan për thellimin e bashkëpunimit bilateral ne mes të Kosovës dhe Turqisë si partner të besueshëm dhe strategjik,” - është shprehur kreu i ekzekutivit para nisjes në Stamboll.

Samiti Botëror i Liderëve të Ndryshimeve është i përvitshëm dhe në të diskutohen ndryshimet politike, ekonomike e sociale në botë.

Kjo është vizita e tij e parë jashtë vendit e zotit Thaçi pas marrjes së mandatit të dytë në krye të qeverisë së Kosovës, ndërsa realizohet me ftesë të kryeministrit të Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan.