http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E mërkurë, 02 mars 2011 - 14:04 CET

Çmimet MTV këtë vit ndahen në Belfast

Odyssey Arena në kryeqytetin e Irlandës së Veriut, Belfast është vendi ku zhvillohet në fillim të nëntorit ceremonia e ndarjes së çmimeve MTV Europe, megjithatë data e saktë nuk është njoftuar.

Është hera e parë që Irlanda e Veriut zgjidhet për një eveniment të tillë.

Çeremonia e ndarjes së çmimeve që ka filluar që prej 1994, u zhvillua vitin e kaluar në Madrid.

Spektaklet janë zhvilluar edhe në Liverpul (2008), Edinburg (2003) dhe Londër (1996).

Lady Gaga ishte fituesja e madhe e ceremonisë në 2010 ku mori tre çmime, për artisten më të mirë pop, artisten më të mirë dhe këngën më të mirë.

MTV njoftoi se do të zhvillonte edhe aktivitete të ndryshme përreth Belfastit që do t'i paraprinin ndarjes së çmimeve.

Kryetari i nderit i Belfastit, Pat Convery, tha se qyteti ishte ndër më të larmishmit dhe me më gjallëri në Europë, ku 35% e popullsisë është nën moshën 25 vjeçare.

"Belfasti ka një histori të pasur muzikore dhe ka nxjerrë artistë si Snow Patrol dhe legjendarin Van Morrison," tha zoti Convery.