http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E hënë, 14 shkurt 2011 - 10:56 CET

Vincent Dowd
Korrespondent i BBC-së

Fjalimi i Mbretit dominon Bafta-t

Fituesi i madh i ceremonisë së çmimeve të Akademisë Britanike të Filmit dhe Teatrit, ishte Fjalimi i Mbretit (King's Speech).

Filmi u nderua me 7 çmime përfshirë edhe atë për Filmin më të mirë dhe aktorin më mirë.

Filmat shumë të suksesshëm Harry Potter u nderuan me një çmim special, teksa i afrohen edhe serisë së fundit.

Thirrjet më të zëshme të adhuruesve jashtë vendit ku u mbajt ceremonia e çmimeve Bafta, ishin për Jesse Eisenberg, një aktor që vitin e kaluar mund të kishte ecur pa u vënë re në tapetin e kuq.

Filmi The Social Network, në të cilin ai luan, dukej sikur kryesonte i vetëm për çmimet e mëdha të kinemasë për këtë vit, derisa ndërhyri një film për një figurë mbretërore që kishte një difekt në të folur.

Ishte një fitore e papritur dhe mjaft popullore për aktorin e pëlqyer Colin Firth.

Megjithatë ai nuk mundi të mos ia kujtonte audiencës në Operën Mbretërore të Londrës, se kishte fituar të njëjtin çmim edhe vitin e kaluar, për rolin kryesor në filmin A Single Man.

Kur aktori amerikan Samuel L. Jackson prezentoi çmimin për filmin më të mirë, King's Speech, nuk habiti askënd

Çmimin për regjizorin më të mirë e mori David Fincher për filmin The Social Network.

Filmi Inception i Christopher Nolan, mori tre çmime Bafta në kategorinë e realizimit.

Humbësi i madh i mbrëmjes ishte regjizori Danny Boyle. Filmi i tij 127 Hours ishte propozuar për tetë çmime, por nuk mori asnjë.

Ceremonitë kujtohen edhe për fjalimet.

Aktorja britanike Helena Bonham Carter foli për gati 5 minuta kur mori çmimin e pashmangshëm, për rolin e saj në filmin The King's Speech.