http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E mërkurë, 12 janar 2011 - 13:28 CET

Violeta Hyseni
BBC - Prishtinë

Forum: Politizohet regjistrimi i popullsisë Në Kosovë

Zyrtarët në Prishtinë i kanë bërë thirrje autoriteteve të Beogradit që të mos e politizojnë regjistrimin e popullsisë në Kosovë.

Ata thonë se ky projekt ka qëllim ekskluzivisht statistikor, ndërsa hedhin poshtë pretendimet serbe për përfitime politike të shqiptarëve nga regjistrimi i popullsisë.

Autoritetet në Beograd thonë se Kosova nuk mund ta kryejë regjistrimin e popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare në kohën kur një numër shumë i madh i refugjatëve serbë, vazhdojnë të jenë të zhvendosur jashtë Kosovës.

Regjistrimi i popullsisë do të bëhet këtë vit në Kosovë, pas tri dekadave.

Violeta Hyseni e BBC-së drejton debatin për regjistrimin në Kosovë.

Projekti do të realizohet paralelisht me vendet e tjera në rajon dhe me ndihmën e Zyrës Evropiane për Statistika, EUROSTAT.

Ai pritet të ofrojë një pasqyrë të saktë demografike, e cila i ka munguar Kosovës me vite të tëra.

Që nga regjistrimi i fundit në vitin 1981, përqindjet e popullsisë në Kosovë kanë lëvizur varësisht nga zhvillimet në terren, por shqiptarët gjithmonë kanë qenë shumicë e konsiderueshme, mbi 90 përqind, ndërsa pjesa tjetër kanë qenë pjesëtarë të pakicave, numri më i madh i të cilëve serbë.

Kryetari i Komisionit shtetëror për Regjistrimin e Popullsisë, Rifat Blaku, thotë se nga regjistrimi do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Ne mendojmë se ky regjistrim është në interes të të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës, pavarësisht nga përkatësia etnike, ngase me këtë legjitimohet prania e popullatës rezidente dhe mbi këto baza do të dihet edhe struktura e popullatës”, tha zoti Blaku.

“Absolutisht, askush nuk do të jetë humbës, përkundrazi të gjithë qytetarët, të gjitha ekonomitë familjare do të jenë përfitues me këtë regjistrim, aq më parë kur gjithë dokumentacioni është në gjuhën e popullsisë lokale”, shtoi ai në një bisedë me BBC-në.

Beogradi kundërshton regjistrimin

Por, zyrtarët në Beograd thotë se regjistrimi i popullsisë në Kosovë tani mund të jetë i rrezikshëm, për shkak se shumë të zhvendosur nga lufta dhe pas saj, sidomos serbë, nuk kanë arritur të kthehen ende në shtëpitë e tyre.

Autoritetet në Prishtinë nuk kanë shifra të sakta që flasin për numrin e të zhvendosurve serbë, ndërsa Beogradi pretendon se numri i të shpërngulurve serbë nga Kosova ishte rreth 250 mijë, të dhëna këto që hidhen poshtë nga zyrtarët vendorë e ndërkombëtarë në Prishtinë.

Sekretari shtetëror në ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, ka akuzuar udhëheqjen kosovare se po e shfrytëzon këtë projekt për përfitime politike.

Ai kritikon edhe bashkësinë ndërkombëtare që po ndihmon në jetësimin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë.

“Serbia nuk do të ndërmarrë masa aktive për të penguar regjistrimin e popullsisë, por do të shfrytëzojë mjetet politike për të shpjeguar se BE-ja dhe tërë bashkësia ndërkombëtare nuk mund të përdorë standarde të dyfishta”, tha zoti Ivanoviq.

“Ajo nuk mund ta ndalojë regjistrimin në Bosnjë me arsyetim se kjo do të legalizonte rezultatet e spastrimit etnik, kurse në anën tjetër në Kosovë të fuqizojë regjistrimin, duke anashkaluar këtë argument të cilin ne e përdorim”, tha për BBC-në zoti Ivanoviq.

Regjistrimi i diasporës dhe refugjatëve

Sipas Entit të Statistikave të Kosovës, shqetësimet e Serbisë janë të paqëndrueshme.

Drejtori i Zyrës së Regjistrimit të Popullsisë, Sabri Zabërgja, thotë se në regjistrim do të përfshihen edhe kosovarët që jetojnë jashtë vendit, duke mos përjashtuar këtu as të zhvendosurit serbë.

Zoti Zabërgja thotë se ata të cilët jetojnë jashtë kufijve të Kosovës për më shumë se një vit, do të kenë mundësi të regjistrohen si banorë jorezidentë.

“Të gjithë qytetarët që mungojnë më tepër se 12 muaj nga Kosova, do të regjistrohen në listën suplementare. Kjo vlen për të gjithë qytetarët që jetojnë në botën e jashtme”, thekson ai.

Por, Serbia këmbëngul në kundërshtimin e saj për regjistrimin e popullsisë në Kosovë nga ana e autoriteteve të Prishtinës.

Sekretari shtetëror në Ministrinë Serbe, Oliver Ivanoviq, thotë se Serbia do të përfshijë në regjistrim si pjesë të saj edhe Kosovën dhe këtë sipas tij, asaj nuk mund t’ia ndalojë askush.

“Nuk mendoj se dikush do të ketë të drejtë të kundërshtojë regjistrimin e vullnetshëm të popullsisë sonë. Askush nuk do të regjistrohet kundër dëshirës, kështu që edhe shqiptarët, edhe serbët e Kosovës do të ftohen për të marrë pjesë në regjistrim nëse këtë e dëshirojnë”, tha zoti Ivanoviq.

Regjistrimi në veri - sfidë për Prishtinën

Regjistrimi i popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare në Kosovë pritet në sfidohet nga serbët në veri të vendit.

Ata pritet ta bojkotojnë këtë projekt, siç kanë bojkotuar deri tani edhe zgjedhjet e Kosovës dhe punën e institucioneve vendore.

Kryetari i Komisionit shtetëror për Regjistrimin e Popullsisë, Rifat Blaku, vlerëson se ata që do të bojkotojnë regjistrimin e popullsisë, do të jenë humbësit më të mëdhenj.

“Të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë e kanë në konsideratë kompleksitetin e problemit dhe ne do të veprojmë në mënyrë unike. Ky projekt ka koston e vet dhe bojkotimi eventual me motive politike është krejtësisht i dëmshëm, në rend të parë, për ata që do të silleshin në atë mënyrë”, tha zoti Blaku.

Prishtina zyrtare thekson se nuk do të lejojë që projekti i regjistrimit të popullsisë të dështojë edhe në qoftë se serbët në Kosovën Veriore nuk duan të marrin pjesë.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim të Popullsisë në Entin e Statistikave të Kosovës, Sabri Zabërgja, thotë se ata kanë menduar alternativa të tjera për ofrimin e statistikave në veri.

“Sa i përket veriut, ne si Ent i Statistikës jemi të përgatitur si në çdo pjesë tjetër të Kosovës. I kemi imazhet më të reja satelitore që janë bërë në shtator dhe tetor të vitit 2010. Përveç atyre fotografimeve, ne e kemi bërë edhe përditësimin e të gjitha banesave dhe ekonomive familjare si dhe të personave, prandaj nëse kjo punë prolongohet, ne mund ta bëjmë një vlerësim të komponentëve kryesorë, ku mund të dalim edhe me të dhëna paraprake, sa i përket numrit të banorëve, ekonomive familjare dhe banesave”, tha zoti Zabërgja.

Kosova është i vetmi vend në Evropë ku nuk ka pasur një regjistrim të popullsisë që 30 vjet, kështu që askush nuk e di me saktësi se sa banorë ka ajo.

Vlerësimet e fundit të Entit të Statistikave janë për një popullsi prej mbi 2.2 milionë banorësh, prej të cilëve 92 përqind janë shqiptarë, mbi 5 përqind serbë, ndërsa gupet e tjera etnike përbëjnë më pak se 3 përqind të popullsisë.