BBCAlbanian.com
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Hetim ndërkombëtar për raportin Marty
 
Pamje nga një takim
Presidenti në detyrë i Kosovës zhvilloi disa takime në Tiranë
Prishtina dhe Tirana kërkojnë hetim ndërkombëtar për akuzat që ngre raporti i raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, i cili do të paraqitet në formë rezolute.

Kështu i ka deklaruar BBC-së, presidenti në detyrë i Kosovës, Jakup Krasniqi, pas takimeve që ai ka pasur me drejtuesit më të lartë të Tiranës zyrtare.

Muharrem Nitaj i BBC-së, në intervistën që i mori zotit Krasniqi, i kërkoi atij t’i thoshte fillimisht arsyet e kësaj vizite të paparalajmëruar në Tiranë.

Jakup Krasniqi: Qëllimi i kësaj vizite ka qenë njohja me zhvillimet politike në Kosovë dhe në mënyrë të veçantë çështja e diskutimit të raportit të raportuesit të Këshillit të Evropës zotit Dick Marty.
Natyrisht ne mendojmë se ky raport ka të bëjë me një periudhë të rëndësishme të popullit tonë. Domethënë, kjo periudhë është e rëndësishme për të gjithë shqiptarët, edhe për Kosovën edhe për Shqipërinë.

BBC: Presidenti Krasniqi, pse i keni dhënë një rëndësi kaq të madhe këtij raporti?

Jakup Krasniqi: Në fakt, raporti ka pasur një ndikim mjaft të madh për sa i përket opinionit evropian dhe më gjerë. Sigurisht se pasojat e këtij raporti nuk janë të parëndësishme dhe janë shumë, shumë ndikuese. Unë mendoj që edhe shqiptarët, e sidomos Shqipëria që është anëtare e Këshillit të Evropës, por edhe Maqedonia ose përfaqësia shqiptare në këtë Këshill, duhet të shkojnë me një politikë dhe me qëndrime të unifikuara.

BBC: Ka pasur disa njoftime se delegacioni shqiptar po përpiqet të, siç thuhet, rakordojë qëndrimet për një paraqitje unike në Këshillin e Evropës. Presidenti Topi ka thënë se nuk do të mund të bëhën bisedat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa sqarimin e këtij raporti, ndërkohë që edhe ju keni pasur një qëndrim të përafërt. Pse i lidhni bisedimet me raportin?

Jakup Krasniqi: Ne, realisht, e kemi shfaqur qëndrimin tonë për raportin dhe për situatën e krijuar në Kosovë, të cilat e kanë vështirësuar fillimin e bisedimeve, por hapi i parë i politikës shqiptare është një qëndrim i unifikuar në Këshillin e Evropës dhe pastaj ne si Kosovë dhe pas krijimit të institucioneve të reja, do ta kemi gatishmërinë për të biseduar për gjithçka që është në interes të dy vendeve tona dhe të dy popujve.

BBC: Po thuhet se raporti nuk ka implikime gjyqësore. Jozyrtarisht, merret vesh se EULEX-i akoma nuk ka marrë një përgjigje nga Dick Marty për faktet që do të duhej t’i prezantonte për hapjen e ndonjë procesi gjyqësor ndaj kujtdo qoftë. Ka një përshtypje se këtij raporti i është dhënë më shumë peshë se sa duhet?

Jakup Krasniqi: Po mund të jetë edhe ajo. Por, realisht, raporti është i një institucioni të rëndësishëm të Evropës, siç është Këshilli i Evropës, ku bëjnë pjesë të gjitha vendet e Evropës. Sigurisht se raporti nuk do të ketë kush e di çfarë efekti, por megjithatë është në obligimin e palës shqiptare edhe të Kosovës edhe të Shqipërisë, që të kërkojnë një hetim të pavarur ndërkombëtar. Këtë mund ta bëjë, qoftë Tribunali i Hagës, qoftë EULEX-i si trupë profesionale e BE-së në Kosovë dhe ne dëshirojmë që drejtësia evropiane ta japë fjalën e vetë për këtë çështje. Në fund të fundit ne jemi të akuzuar dhe ne dëshirojmë që Dick Marty, ose kushdo tjetër, nëse ka fakte e dëshmi, t’i mbledhë ato dhe t’iu japë organeve përkatëse të drejtësisë, qoftë Tribunalit të Hagës, qoftë EULEX-it në Kosovë. Kjo është kërkesa e palës shqiptare dhe mendoj se është një kërkesë mjaft e arsyeshme.

BBC: Ju keni takuar autoritetet më të larta të shtetit shqiptar. Cili është qëndrimi i tyre për këtë çështje?

Jakup Krasniqi: Kam takuar kryeministrin, kryeparlamentaren dhe grupin e deputetëve shqiptarë në Këshillin e Evropës dhe ka një mendim të përgjithshëm që në Këshillin e Evropës të ketë një qëndrim unik dhe të qartë për këtë çështje, që të bëhen amendamente dhe të kërkohet deponimi në organet e drejtësisë i të gjitha materialeve që i ka zoti Marty.

BBC: A keni provuar që të keni një mbështetje edhe nga shtetet tjera që përfaqësohen në Këshillin e Evropës?

Jakup Krasniqi: I kemi shkruar kryetarit të Asamblesë së Këshillit të Evropës si dhe të gjithë kryetarëve ose presidentëve të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, ku kemi kërkuar që drejtësia të jetë ajo që duhet ta japë fjalën për akuzat e Dick Marty-t, të cilat, në jemi të bindur se janë të pabaza.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>