BBCAlbanian.com
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Gjendje e jashtëzakonshme në Tunizi
 
Ushtar tunizian
Gjatë natës në vend do të jetë në fuqi ndalim qarkullimi
Televizioni shtetëror në Tunizi ka bërë të ditur se qeveria atje ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

Është njoftuar gjithashtu se grumbullimet në publik ndalohen dhe se forcat e sigurisë janë autorizuar të qëllojnë këdo që refuzon t'i bindet urdhrave.

Gjithashtu bëhet e ditur se në fuqi hyn edhe ndalim qarkullimi. Ai do të fillojë nga ora pesë në mbrëmje dhe do të vazhdojë deri mëngjesin tjetër pa afat.

Më herët, presidenti tunizian Ben Ali shpërndau qeverinë dhe bëri të ditura zgjedhje të reja parlamentare brenda gjashtë muajsh.

Zhvillimi erdhi në kohën kur policia në Tunizi përdori gaz lotsjellës ndaj demonstruesve të mbledhur jashtë ministrisë së brendshme, duke bërë që shumë njerëz të largohen për në rrugët pranë.

Forcat e sigurisë më parë vetëm kishin ndjenjur pa vepruar, ndërsa mijëra protestues marshuan në kryeqytet duke kërkuar dorëheqje të menjëhershme të presidentit Zine al-Abidine Ben Ali.

Të enjten presidenti që ka qenë në pushtet për 23 vjet premtoi se nuk do të kandidonte përsëri.

Ai gjithashtu premtoi se do të ulte çmimet e ushqimeve që u bënë shkak i protestave që filluan muajin e kaluar.

Një gazetë tuniziane vlerësoi fjalimin e tij si pikë kthesë historike. E ndërsa vazhdojnë protestat, qindra turistë të huaj janë evakuar.

Mbi 20 persona kanë humbur jetën, por ky numër mund të jetë edhe më i madh.

Jo shumë shpresë

Presidenti po fliste, në kohën që demonstratat e dhunshme kundër papunësisë dhe uljes së standarteve të jetesës, kishin mbërritur në qendër të kryeqytetit Tuniz.

Intissar Kherigi, një aktiviste për të drejtat e njeriut dhe analiste tuniziane i tha BBC-së se ajo nuk besonte që presidenti do t'i mbante premtimet e bëra gjatë fjalimit.

Ajo tha se mënyra se si ishte sjellë presidenti me të drejtat e njeriut nuk i inkurajonte njerëzit të kishin shumë besim tek ai:

"Fatkeqësisht, fjalës së Ben Aliut nuk i besohet duke patur parasysh se ai ka qënë në pushtet prej 23 vjetësh."

"Gjatë kësaj kohe ka patur shkelje të vazhdueshme të të drejtave të njeriut, torturë, zhdukje gazetarësh, të opozitës politike, ndalimi të organizatave të pavarura, të sindikatave".

"Asnjë organizatë për të drejtat e njeriut nuk lejohet të operojë e lirë në vend. "

"Kjo gjë është vërejtur nga shumë organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë edhe Amnesty International etj."

"Është vendi më i keq në botë për të qënë bloger, gazetar, është më keq sesa në Iran, Kinë, Zimbabve dhe Rusi."

"Pra, fatkeqësisht eksperienca e deritanishme nuk jep shumë shpresë," tha aktivistja dhe analistja tuniziane, Intissar Kherigi.

 
 
LOKALE
Shtihet me armë mbi protestuesit në Tunizi
13 janar 2011 | Faqja Kryesore
Tunizia ndryshon qëndrimin ndaj protestave
12 janar 2011 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>