BBCAlbanian.com
 
Botuar: E mërkurë, 12 janar 2011 - 14:20 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Prokuroria nis hetimet për regjistrimin
 
Prokuroria në Tiranë
Prokuroria ka nisur hetimet lidhur me regjistrimin e bisedës
Prokuroria në Tiranë thotë se ka nisur hetimet në lidhje me një regjistrim të fshehtë të një bisede midis dy ministrash ku diskutohet 'për afera korruptive'.

Një njoftim shtypi i prokurorisë thotë se është ngritur një grup hetimor dhe se është vendosur të kërkohet kaseta filmike e kësaj bisede të transmetuar nga një televizioni lokal në Shqipëri.

Në Tiranë ka shkaktuar bujë të madhe një bisedë e përgjuar mes zëvendëskryeministrit Ilir Meta dhe ish-ministrit të ekonomisë Dritan Prifti, ku flitet për afera që tingëllojnë mjaft të dyshimta, për shifra dhe tendera në shuma të mëdha.

Kjo bisedë e përgjuar është transmetuar në emisionin investigativ “Fiks Fare” në TV kombëtar Top Channel me pamje që tregojnë dy ministrat në zyrën e zotit Prifti.

Komisioni Evropian e ka inkurajuar drejtësinë shqiptare që të hetojë lidhur me akuzat.

Një zëdhënëse për Komisionerin e Zgjerimit tha në një deklaratë për gazetarët në Bruksel se "lufta kundër korrupsionit është kriteri kryesor për një vend që kërkon anëtarësimin në BE".

"Ka një sistem drejtësie në Shqipëri dhe i takon drejtësisë të hetojë lidhur me këtë çështje," tha zëdhënësja Natasha Butler.

"I takon prokurorisë që të hetojë mbi informacionet e transmetuara dhe të kryeje hetime për të vertetuar këtë çështje," tha ajo.

Meta: Shantazh politik

Zëvendëskryeministri shqiptar Ilir Meta ka hedhur poshtë si "shantazh" akuzat e ngritura kundër tij nëpërmjet një bisede të regjistruar fshehurazi që ai bën me një ish-ministër të tij.

Në një konferencë shtypi të mërkurën në mëngjes zoti Meta mohoi në mënyrë kategorike çdo aludim në adresë të tij.

Zoti Meta tha se ishte fjala për një montim dhe manipulim të bisedës, bërë për shkaqe politike.

Ai la të kuptohej se pas kësaj qëndron Partia Socialiste dhe kryetari i saj Edi Rama.

Zoti Meta ftoi prokurorinë që të hetojë mbi ngjarjen dhe tha se është i gatshëm të lërë imunitetin e tij për këtë qëlllim.

Ndërkohë në reagimin e saj opozita e konsideroi videon si "fytyrë të qeverisë".

Edi Rama, kryetar i PS-së, tha se shqiptarët presin një reagim të fortë nga koalicioni opozitar dhe të premten Asambleja Kombëtare e PS-së do të shpallë vendimet e saj.

Përmes një zëdhënëseje, kryeministri Sali Berisha e vlerësoi vendimin e Metës për të hequr dorë nga imuniteti parlamentar për t’i hapur rrugë një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm.

Zoti Berisha e konsideron si "trukim të neveritshëm dhe diletantesk" videon e shfaqur mbrëmjen e së martës.

Zbulime shokuese

Pamjet televizive ku dy ministrat shfaqen sikur bëjnë pazare me aferat e shtetit, janë komentuar nga shumë media.

Biseda dëgjohet me vështirësi dhe autorët e emisionit investigativ “Fiks Fare” e paraqesin përmbajtjen me titra në ekran.

Pamjet tregojnë biseda të dyshimta për ndarje favoresh dhe përfitimesh, për tendera në sektorin e naftës dhe energjisë.

Zoti Meta tregohet se përmend shifrën 7% dhe më tej 700, të cilat duken se i korrespondojnë ndonjë rryshfeti.

Biseda është shfaqur të martën në mbrëmje dhe menjëherë është postuar në shumë adresa interneti.

Fjala duket se është për një bisedë të përgjuar në muajin mars të vitit 2010.

Rreth dy vjet më parë, në një regjistrim tjetër të ngjashëm, ish-ministri i kulturës, Ylli Pango, u largua brenda pak minutave nga kabineti prej kryeministrit Berisha.

Atëherë fjala ishte për një skandal seksual.

Analistët mendojnë se pas përgjimit të bisedës, situata politike në Tiranë do të acarohet ndjeshëm.

 
 
LOKALE
Prifti dhe Shalësi paraqiten në Prokurori
15 tetor 2010 | Faqja Kryesore
Shtohen akuzat për korrupsion
01 shtator 2010 | Rajoni
Ndryshime në qeverinë Berisha
13 shtator 2010 | Rajoni
Dekretohen ndryshimet në qeveri
14 shtator 2010 | Rajoni
Zgjerohet rrethi i akuzave për korrupsion
28 gusht 2010 | Faqja Kryesore
Pasuria e politikanëve ndez debatin
16 korrik 2010 | Rajoni
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>