http://www.bbcalbanian.com

Vetëvendosja për ndryshimin e Kushtetutës

Udhëheqësi i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se nëse ky subjekt politik vjen në pushtet, ai do ta shfuqizojë pakon e Ahtisaarit mbi bazën e së cilës Kosova shpalli pavarësinë.

Zoti Kurti tha se Vetëvendosja angazhohet që t’ia shtojë sovranitetin Kosovës së pavarur dhe ta zhvillojë atë ekonomikisht.

Sipas tij Kushtetuta e Kosovës, duhet të ndryshohet dhe të bëhet “në pajtim me vullnetin e popullit”, për t’i dhënë mundësi vendit që të ketë ushtrinë e tij dhe të bashkohet me Shqipërinë.

Zoti Kurti vazhdon të besojë se bashkimi kombëtar është i mundur dhe këmbëngul që populli duhet të shprehet në referendum për këtë çështje.

Violeta Hyseni e BBC-së bisedoi me liderin e lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

BBC: Z.Kurti, për disa vite me radhë ju dhe lëvizja juaj jeni angazhuar për bojkotimin e zgjedhjeve të Kosovës dhe keni kundërshtuar institucionet e vendit. Si u bë tani që ju të ndërroni mendje dhe të garoni në këto zgjedhje për t’u bërë pjesë e institucioneve shtetërore?

Z. Kurti: Për vite me radhë lëvizja Vetëvendosje i ka kundërshtuar institucionet e Kosovës, jo pse ato ishin institucione, por sepse nuk ishin të Kosovës. Dihet që në periudhën e UNMIK-ut, Korniza Kushtetuese ishte rregullorja e UNMIK-ut 2001/9 dhe ajo paraqiste bazën e institucioneve të sistemit, që ishte tepër e ngushtë për shprehjen e vullnetit të popullit. Lëvizja Vetëvendosje atëbotë është angazhuar për bojkotimin e zgjedhjeve për shkak se ato zgjedhje më parë se sa që paraqisnin zgjedhje për qytetarët, ishin në fakt legjitimim i sistemit të UNMIK-ut. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ne e mirëpritëm këtë si një hap përpara, por e kishim të qartë se, meqenëse shpallja e pavarësisë nuk u parapri me ushtrimin e të drejtës për vetëvendosje, ajo nuk u pasua me sovranitetin. Pavarësia formale pa sovranitet, rrezikon që vazhdimisht t’i rrjedhë edhe formaliteti. Dihet që në vitin 2008 e patëm gjashtëpikëshin famëkeq të Ban Ki Moon-it, pastaj protokollin për bashkëpunimin policor EULEX-Serbi e tash së fundi edhe paralajmërimet për negociatat e reja me Serbinë, që po na kthehen si një sëmundje kronike. Në këtë situatë lëvizja Vetëvendosje ka vendosur që të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në mënyrë që Kosovës së pavarur t’ia shtojë sovranitetin dhe zhvillimin ekonomik dhe për shkak se në vitin e ardhshëm, nëse nuk bëhet shumë më mirë me një pushtet të ri, do të bëhet shumë më keq me këtë pushtetin e vjetër.

BBC: Si do ta bëni këtë, nëse kemi parasysh se në Kosovë gjithçka funksionon mbi bazën e planit të Ahtisaarit për pavarësinë, të cilin ju e kemi kundërshtuar fuqishëm?

Z. Kurti: Mjeteve të deritanishme të veprimit ne po ia shtojmë edhe mjetet e reja. Pra, do të vazhdojmë të përdorim demonstratat, protestat, aksionet e ndryshme simbolike, por në të njejtën kohë do t’i përdorim edhe mjetet institucionale brenda konceptit të njejtë e për qëllimin e njejtë. Në këtë kuptim jemi të bindur që duhet ta ndryshojmë edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe se do ta bëjmë një gjë të tillë, meqënëse Kosova ka nevojë për një Kushtetutë e cila është në përputhje me vullnetin e popullit.

BBC: Pra, ju po thoni se nëse hyni në institucione do ta shfuqizoni pakon e Ahtisaarit?

Z. Kurti: Ne në programin tonë politik e themi qartazi se angazhohemi që ta kemi Kushtetutën e Republikës së Kosovës si aktin më të lartë ligjor në Kosovë, ndërkohë që dihet se tash ky nuk është rasti, sepse plani i Ahtisaarit, jo vetëm që ndodhet brenda Kushtetutës, por edhe sipër saj. Pra, ne angazhohemi për heqjen e planit të Ahtisaarit, i cili e krijon shtegun që Kosova të bëhet një shtet jofunksional si puna e Bosnjës, pra t’i ketë të ndara mbi baza etnike institucionet, territorin, kulturën e ne jemi kundër kësaj sepse duam të jemi sovran, normal e demokratik.

BBC: Më thoni se si do të dukej Kosova me lëvizjen Vetëvendosje në pushtet?

Z. Kurti: Lëvizja Vetëvendosje angazhohet që Kosovën ta bëjë sovrane, që të kemi qytetari aktive, të kemi drejtësi dhe, në të njejtën kohë, të kemi një tjetër lloj shteti. Pra, jo një shtet i cili është në shërbim të tregtarëve të huaj, të cilët në masë të madhe sjellin edhe mallra prej Serbisë, por të jetë një shtet në funksion të prodhimit vendor; jo të jetë një shtet i cili është në shërbim të pushtetarëve dhe familjarëve të tyre, por një shtet për të gjithë, me ç’rast iu ndihmojmë më së shumti atyre që më së shumti kanë nevojë; gjithashtu jo një shtet që vazhdimisht negocion me Serbinë për ndarjen e brendshme të Kosovës, por një shtet i cili është me sovranitet të plotë, me ushtri moderne dhe me të drejtën për t’iu bashkuar një shteti tjetër, përkatësisht Shqipërisë. E dimë se duhet të ketë ndryshime kushtetuese në Kosovë, në mënyrë që akti më i lartë ligjor të jetë në përputhje me vullnetin e popullit. Tradicionalisht, në Kosovë kemi pasur ndryshime të Kushtetutës për të keq, ka ardhur koha të kemi ndryshime të Kushtetutës për mirë.

BBC: Por, z.Kurti, ju po e proklamoni bashkimin kombëtar në kohën kur duket se nuk ka shumë zëra në favor të kësaj ideje, të paktën kur këta zëra nuk janë zyrtarë as në Kosovë, as në Shqipëri si dhe në kohën kur është thënë se nuk do të ketë ndryshim të kufijve të Ballkan?

Z. Kurti: Dikur është thënë se nuk është e mundur autonomia për Kosovën, mandej u pat thënë se nuk është e mundur Republika për Kosovën, pastaj se nuk është i mundur largimi i forcave të Serbisë, së fundi u pat thënë se edhe pavarësia e Kosovës nuk është e mundur. Që të gjitha këto janë bërë brenda jetës sonë, tash po thuhet se edhe bashkimi kombëtar nuk është i mundur, por mendoj që nëse e pyesni popullin, ai flet ndryshe. Populli është për bashkim, për shkak se kjo është e drejtë e tij, është vullnet i tij dhe është interes i tij, në radhë të parë ekonomik dhe i sigurisë. Nuk iu takon elitave politike që të vendosin për këtë. Kjo është një gjë shumë më e thellë kombëtare, historike por edhe për ardhmërinë, prandaj mendoj se Kosova duhet ta ketë këtë të drejtë. Le ta pyesim pastaj popullin si do ta shfrytëzojë ai këtë të drejtë dhe se si do të përgjigjej në një referendum të ardhshëm.

BBC: Albin Kurti, nëse ju vini në pushtet, si do të jenë marrëdhëniet tuaja me faktorin ndërkombëtar, kundër të cilit ju keni protestuar shumë herë. Dihet se me pakon e Ahtisaarit dhe Kushtetutën e Kosovës, komuniteti ndërkombëtar luan një rol të rëndësishëm këtu?

Z. Kurti: Ne jemi për praninë e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Dëshirojmë që me Brukselin, Nju Jorkun dhe Uashingtonin të diskutojmë për ridefinimin e pranisë ndërkombëtare, në mënyrë që ajo të jetë këshilluese, sugjeruese e jo sunduese, pra të mos ketë fuqi ekzekutive prania ndërkombëtare, sepse fuqitë ndërkombëtare ekzekutive kanë bërë që elitat politike gjatë kësaj dekade pas luftës të jenë mizore me qytetarët, servile ndaj ndërkombëtarëve, sepse këto elita politike vendore e kanë pasur të qartë se shumë më tepër varen prej dëgjueshmërisë karshi ndërkombëtarëve, se sa votave të qytetarëve. Ne duam ta ndryshojmë këtë, mendojmë që Kosova për t’u bërë shtet sovran, funskional, demokratik, normal dhe me zhvillim ekonomik e me mirëqenie sociale, sikurse vendet tjera të Evropës, ose sikurse vendet e tjera që dolën nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, si Kroacia e Sllovenia, duhet që të mos ketë protektorat ndërkombëtar, por ndihmë ndërkombëtare. Pra, PO pranisë ndërkombëtare, por JO karakterit aktual të kësaj pranie, një karakter ndihmues, ku Bashkimi Evropian na sjell profesorë, ekspertë të bujqësisë, ekonomisë, arsimit etj, e jo policë, gjyqtarë e doganierë, të cilët bashkë me familjet e tyre kanë imunitet prej ligjit, ndodhen mbi ligjin, pra janë sundues të ligjit, ndërkohë që thirren tërë kohën për sundimin e ligjit.

BBC: Po raporti me Serbinë si do të jetë?

Z. Kurti: Në Kushtetutën e Republikës së Serbisë thuhet që Kosova është pjesë e Serbisë. Me këtë Serbi, me këtë Kushtetutë, nuk mund të ketë raporte. Serbia duhet ta ndryshojë Kushtetutën, duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës, Serbia duhet t’i kërkojë falje Kosovës dhe popullit shqiptar për të gjitha krimet e kryera përgjatë shekullit të 20, ajo duhet të na i kthejë trupat e të pagjeturve dhe të na japë informacione për ta, Serbia duhet të na i dorëzojë kriminelët serbë të luftës, të na i kthejë librat kadastralë dhe fondin pensional, po ashtu duhet të ndërpresë financimin e strukturave të saj ilegale në Kosovë dhe, në të njejtën kohë, Serbia duhet t’i paguajë dëmet e luftës. Vetëm më pas do të kishim një Serbi, e cila ka ndryshuar cilësisht dhe është bërë e denjë që të bisedojë më Kosovën.

BBC: Dhe së fundi z.Kurti, me cilat subjekte politike lëvizja Vetëvendosje do të mund të bënte koalicion pas zgjedhjeve?

Z. Kurti: Tema e koalicioneve nuk po diskutohet brenda lëvizjes sonë. Besojmë që ndryshimi rrënjësor që duam në Kosovë, nuk do të vijë përmes shumave aritmetikore të numrave të partive që do të bëjnë koalicion, por nëpërmes një vale të re qytetare, e cila në formë të referendumit, në formë plebishitare do të deklarohej për ndryshim më 12 dhjetor. Ne jemi shumë optimistë se kjo do të ndodhë, pikërisht në atë mënyrë do të kishim një pushtet të ri, jo vetëm për t’i zëvendësuar pushtetarët aktualë, por për t’ia ndërruar karakterin shtetit, prej një shteti, siç po e quajnë sui generis me të cilin eksperimentohet në të gjitha fushat, në një shtet normal, funksional, sovran e demokratik.