BBCAlbanian.com
 
Botuar: E enjte, 16 dhjetor 2010 - 11:00 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
KQZ pritet të adresojë ankesat për parregullsi
 

 
 
Zgjedhjet në Kosovë
Disa subjektet politike janë ankuar për parregullsi
Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa (PZAP) pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve pritet të deklarohet të enjten për ankesat e subjekteve politike për parregullsi në zgjedhjet e përgjithshme të 12 dhjetorit.

Zyrtarë të KQZ-së kanë thënë se paneli mund të rekomandojë përsëritjen e votimeve në të paktën tri komuna, Skënderaj, Drenas e Deçan, përkatësisht në 70 përqind të vendvotimeve, ku besohet që shkalla e shpërdorimit të votave të ketë qenë më e lartë.

Paneli ka marrë në shqyrtim 171 ankesa të subjekteve politike dhe për shkak të dyshimeve për keqpërdorime serioze të votave në këto tri komuna, i kishte kërkuar KQZ-së që t’i dorëzonte gjithë materialin zgjedhor për kryerjen e hetimeve.

KQZ thotë se do të veprojë në përputhje me rekomandimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe do të bëjë çmos që vullneti i qytetarëve i shprehur përmes votës së tyre, të pasqyrohet dhe respektohet plotësisht.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka në një mesazh drejtuar qytetarëve të Kosovës, është shprehur e brengosur për parregullsitë që kanë ndodhur në ditën e zgjedhjeve.

“Përkundër faktit që procesi zgjedhor ka qenë i organizuar shumë mirë nga KQZ-ja e që është konfirmuar edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë duke marrë parasysh që të gjitha detyrimet ligjore janë përmbushur, KQZ është e brengosur lidhur me disa zhvillime në ditën e zgjedhjeve në disa qendra të votimit në Kosovë”, është shprehur ajo.

Një numër subjektesh politike po konstestojnë rezultatin e zgjedhjeve të para parlamentare pas pavarësisë, sipas të cilave prin Partia Demokratike me një distancë prej dhjetë përqind nga partia e dytë, Lidhja Demokratike e Kosovës.

LDK ka kërkuar përsëritjen e votimeve në shkallë vendi apo të paktën në shtatë komuna, ku shkalla e shpërdorimit të votës, sipas saj ka qenë më e lartë, ndërsa rivotim kanë kërkuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Vetëvendosja dhe Fryma e Re.

Kryetarja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka folur për përpjekjet që po bëhen për të mënjanuar parregullsitë.

“Aktualisht, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve pranë KQZ-së është në procesin e përpilimit të rezultateve dhe gjatë zhvillimit të punës së saj, KQZ do te kujdeset që të evitohen të gjitha parregullsitë eventuale të cilat mund të konstatohen nga zyrtarët tanë, e gjithmonë duke u bazuar në ligjin zgjedhor të Kosovës dhe rregullat zgjedhore të KQZ-së”, tha zonja Daka.

Korrigjimin e shpërdorimeve në zgjedhjet e së dielës e kanë kërkuar edhe vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendorë.

Ambasadori amerikan, Christofer Dell ka thënë të ketë qenë dëshmitar i parregullsive në një vendvotim në Skënderaj, ku numri i fletëvotimeve ishte më i lartë në raport me numrin e të nënshkruarve në regjistrin e votuesve.

Vëzhguesit kanë raportuar për votime familjare dhe të shumëfishta, që sipas tyre, kanë qenë më të thellat ndonjëherë në historinë e organizimit të zgjedhjeve në Kosovë.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>