BBCAlbanian.com
 
Botuar: E diel, 12 dhjetor 2010 - 23:38 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
KQZ: Më pak se gjysma dolën në zgjedhje
 
Votuesit në Kosovë
Pjesëmarrje e ultë është shënuar në zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e pavarur.

Sipas Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, 47,80 përqind e qytetarëve kanë marrë pjesë në votime.

Pjesëmarrja më e ultë e votuesve është regjistruar në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku zgjedhjet edhe kësaj radhe janë bojkotuar nga ky komunitet.

Në pjesët tjera të vendit, ndërkaq është regjistruar dalja më e madhe ndonjëherë e serbëve në zgjedhjet parlamentare të Kosovës.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha në një konferencë shtypi se të gjitha 2280 vendvotimet në Kosovë janë mbyllur në ora 19.00.

Katërmbëdhjetë vendvotimet lëvizëse në veri të Kosovës ndërkaq janë mbyllur tre orë më herët për për shkak të situatës së tensionuar.

Gjatë ditës dy incidente kanë ndodhur në komunën e Zveçanit me shumicë serbe, ku një grup personash kanë penguar mbajtjen e zgjedhjeve në një vendvotim, ndërsa kanë hedhur mjete piroteknike në drejtim të një vendvotimi tjetër, duke detyruar kështu ekipin e Fondacionit Ndërkombëtar për Sisteme Elektorale (IFES) të tërhiqet nga procesi zgjedhor në këtë komunë.

Kryetarja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Valdete Daka e cilësoi procesin zgjedhor përgjithësisht të qetë dhe të rregullt.

Sipas saj, disa incidente dhe parregullësi që janë regjistruar në pjesë të ndryshme të Kosovës, nuk e cenojnë procesin.

“Ne nuk kemi informata se ka pasur ndonjë parregullsi që do ta dëmtonte procesin”, tha zonja Daka.

Numërimi i votave tashmë ka filluar, por Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nuk pritet të publikojë rezultatet preliminare deri nesër.

Ndërkohë exit poll-i i bërë nga qendra për studime humanistike “Gani Bobi” në Prishtinë e ka nxjerrë fituese të zgjedhjeve parlamentare Partinë Demokratike të Kosovës të kryeministrit Hashim Thaçi me 31 përqind të votave.

Në vendin e dytë sipas këtij hulumtimi, radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës me 25 përqind, pasuar nga Lëvizja Vetëvendosja, e cila megjithëse garon për herë të parë në zgjedhje, ka arritur të dalë e treta me 16 përqind të votave.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerësohet të jetë votuar nga 12,5 përqind e votuesve, ndërsa koalicioni për Kosovë të Re nga 6.5 përqind.

Sipas këtij exit poll-i, dy subjektet tjera politike Fryma e Re dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e kanë kaluar pragun zgjedhor prej pesë përqind.

Shumica e partive politike kanë kontestuar rezultatet e exit poll-it, duke pretenduar përqindje më të lartë në votimet e së dielës.

Zgjedhjet e para pas pavarësisë u vëzhguan nga një numër record vëzhguesish vendorë e ndërkombëtarë, mbi 32 mijë.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>