BBCAlbanian.com
 
Botuar: E enjte, 02 dhjetor 2010 - 11:20 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
EULEX i gatshëm "nëse kërcënohet rendi"
 
Policë të EULEX-it
EULEX-i mund të ndërhyjë 'për të mbështetur policinë vendore'
Shefi i Misionit Evropian për Sundimin e ligjit (EULEX), Xavier Bout de Marnhac, i tha BBC-së se EULEX-i mund të ndërhyjë në procesin zgjedhor në Kosovë vetëm në rast të kërcënimit të rendit dhe të ligjit.

Zoti de Marnhac tha se përparësi e punës së tij është përforcimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në gjithë Kosovën, mirëpo siç tha, roli i EULEX-it do të jetë në mbështetje dhe aftësim të institucioneve vendore që merren me këtë çështje.

Sipas tij misioni i EULEX-it asnjëherë nuk e ka ndalur punën në rastet e dyshuara të përfshirjes në korrupsion të niveleve të larta shtetërore, por tha se rezultatet e punës do të mund të shihen në një të ardhme.

Shefi i EULEX-it në bisedën për BBC-në tha se një qëllim tjetër i punës së tij është luftimi i krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit në të dyja anët e qytetit të Mitrovicës dhe rivendosja e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të Kosovës.

Ai vlerësoi se misioni i BE-së për sundimin e ligjit është i aftë, në rast nevoje dhe kërkese, që të mbështesë procesin e bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit, por përjashtoi mundësinë që EULEX-i të jetë drejtpërdrejt i përfshirë në këtë proces.

Me Xavier Bout de Marnhac bisedoi korrespondenti i BBC-së në Prishtinë, Arbër Vllahiu.

BBC: Keni deklaruar pak kohë më parë se jeni të shqetësuar me situatën e sigurisë në Kosovë në prag të zgjedhjeve të 12 dhjetorit por jo edhe me procesin. A mund të jeni më konkret se çfarë keni menduar me këtë?

Bout de Marnhac: Si shef i misionit të EULEX-it ne ndajmë përgjegjësinë në ruajtjen e sigurisë gjithandej Kosovës dhe mendoj se nëse ka një ditë kur është e nevojshme siguria është padyshim dita e zgjedhjeve.

Gjithashtu mendoj se secilit qytetar duhet t’i ofrohen kushtet për të kryer detyrimet qytetare.

Kjo është fusha ku po i përqëndrojmë energjitë tona në një bashkëpunim të mirë me institucionet vendase, duke filluar me KQZ-në në njërën anë ,por gjithashtu edhe me praninë tjetër ndërkombëtare siç është KFOR-i, meqë ne ndajmë interesat e përbashkëta në mbajtjen e qëndrueshmërisë dhe sigurisë.

Unë gjithnjë kam insistuar që në këto zgjedhje Kosova dhe institucionet e saj kanë një mundësi që të tregojnë pjekurinë në kuptimin e procesit demokratik.

Ajo që është me rëndësi është që policia vendore të marrë drejtimin e procesit të përgjithshëm të sigurisë në këtë ditë.

Natyrisht, ne do të jemi aty për ta mbështetur atë aq sa kemi mundësi, të gatshëm për të bërë atë që duhet dhe nëse është e nevojshme.

Qëllimi im është që t’i mundësojmë Policisë vendore të jetë përgjegjëse atë ditë dhe kjo pikëpamje është mbështetur nga faktorë ndërkombëtarë.

BBC: Por çfarë mund të paraqesë kërcënim, ose problem, në këtë proces zgjedhor, ditën e zgjedhjeve apo që nga fillimi i fushatës parazgjedhore?

Bout de Marnhac: Mendoj se kemi të bëjmë me një proces zgjedhor si kudo në Evropë.

Njerëzit garojnë në zgjedhje, partitë garojnë në zgjedhje dhe gjithashtu edhe kandidatët dhe ajo çka ne shpresojmë, është se kjo garë nuk do të kthehet në “luftë” për zgjedhjet sepse nuk do të jetë e pranueshme asesi.

Këtu ne jemi të kujdesshëm, por nuk shoh se ka rrezik më shumë këtu se sa në ndonjë pjesë tjetër të Evropës përshembull.

Ashtu siç e thashë, kam besim në pjekurinë e qytetarëve të Kosovës, të institucioneve të saj dhe partitë politike në Kosovë dhe se gjatë këtij procesi çdo gjë do të kalojë në një situatë normale dhe të kuptueshme.

BBC: A ka ndonjë gjasë që EULEX-i, në ndonjë mënyrë, të ndërhyjë në këto zgjedhje apo pas tyre?

Bout de Marnhac: Varet se çfarë mendoni me ndërhyrje.

Nëse mendoni se EULEX-i do të luaj një rol të ofruesit të sigurisë, do të thosha natyrisht se po dhe do ta bëjmë këtë nëse ka nevojë për ta bërë një gjë të tillë.

E them sërish se ne mbështetemi në përgjegjësinë dhe pjekurinë e qytetarëve, të votuesve dhe partive politike por nëse ka nevojë për të rivendosur ose mbështetur policinë vendore për të rivendosur rendin dhe ligjin atëherë ne do ta bëjmë këtë.

BBC: Ndonjë ndërhyrje tjetër?

Bout de Marnhac: Nuk shoh ndonjë rast tjetër për ndërhyrje.

BBC: Zoti de Marnhac, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është theksuar si përparësi e EULEX-it natyrisht është thënë edhe e institucioneve të Kosovës. Diçka vlerësohet të jetë bërë, por çka mendoni se ka mbetur pa u bërë?

Bout de Marnhac: Më vjen mirë që thoni se diçka është bërë, sepse ndonjëherë ka nevojë të theksohet pothuaj çdo herë dhe posaçërisht këto ditë.

Ne i kemi përfunduar disa procese gjyqësore të ndërlidhura me fushat e krimit të organizuar dhe korrupsionit që në disa raste janë të lidhura me njëra-tjetrën.

Nëse mendoj për diçka që ne ende duhet të bëjmë në këto fusha ,është ndoshta inkurajimi më i fuqishëm dhe mbështetja për institucionet vendore që të marrin udhëheqjen në këtë përgjegjësi në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

E them në shumë raste dhe tek ndërmjetës të ndryshëm, se EULEX-i nuk do të jetë këtu përgjithmonë dhe në një kohë Kosova dhe vetë qytetarët e saj duhet të marrin udhëheqjen dhe përgjegjësinë në këtë fushë.

Mendoj se nëse duhet të bëjmë diçka është ndoshta të krijojmë, në partneritet me institucionet lokale, kushtet për këtë udhëheqje.

Nga pikëpamja ime, megjithëse nuk kam shumë kohë që kur kam marrë drejtimin e misionit, por nga ajo që kam parë, nga bisedat që kam zhvilluar me njerëzit që kam takuar, mendoj se ka hapësirë për këtë.

Pritjet e mia janë, që sa më parë të kemi kaluar këtë episod të zgjedhjeve dhe pas disenjimit të udhëheqjes së re të Kosovës do të kemi mundësi që të vazhdojmë ose të ecim përpara në fushën e mbështetjes së institucioneve vendore për të marrë pronësinë e përgjegjësisë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

BBC: E hapa këtë temë meqë dua t’ju pyes drejtpërdrejt. Mund ta formësoni qeverinë e re të Kosovës?

Bout de Marnhac: Nuk e di se ç’mendoni me formësim. Para së gjithash, unë nuk mendoj se do të mund të formësojë rezultatin e zgjedhjeve në njërën anë meqë loja është në duart ose votat e votuesve në ditën e zgjedhjeve dhe pastaj e shohim se cili do të jetë rezultati.

Nuk mund të paragjykoj. Por sikundër e thashë, kam besim në qytetarët se do të bëjmë atë që duhet ta bëjnë.

BBC: A ka EULEX-i ndonjë listë me emrat e posaçëm të njerëzve që janë të përfshirë në korrupsion?

Bout de Marnhac: Nuk dua të shkel në diçka që tejkalon mundësitë e mia për të bërë. Supozoj se disa gjykatës kanë emra të njerëzve të përfshirë në këto punë.

Por bazuar në rregullat tona dhe bazuar në rregullat e rendit dhe të ligjit që në mënyrë të përparuar po provojmë t’i vendosim në Kosovë, nuk ka shans që ta merrni këtë nga unë.

BBC: Më duket sikur po tërhiqeni nga ajo që keni deklaruar kohë më parë se do të jeni në ballë të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ju po thoni se doni që të shihni më shumë përgjegjësi për institucionet vendore në krye të kësaj lufte por ku jeni ju si EULEX? Po tërhiqeni nga këto përparësi tuaja?

Bout de Marnhac: Absolutisht jo dhe ky nuk është qëllimi im. Kur kam ardhur këtu, kam identifikuar dhe i kam thënë misionit se qëllimi im është që në njërën anë të rrisim praninë tonë në veri, përfshirë edhe adresimin e krimit lokal, trafikimit lokal.

E përmenda këtë për të dyja anët e lumit sepse nuk dua të krijojë nga veriu një pjesë të posaçme sepse ajo është vetëm një pjesë tjetër e Kosovës.

Sikundër e dini, nëse bisedimet politike ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve janë të vështira, aktivitetet kriminale po punojnë shumë mirë. Dhe kjo është ajo që unë dua ta luftoj.

Ana tjetër e qëllimit tim, është përforcimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në gjithë Kosovën përfshirë edhe fushat siç janë: trafikimi në pikat kufitare, imigrimi joligjor, sepse do të ketë çështje të azilkërkuesve, pastaj kontrollimi më i mirë i asaj se çfarë po ndodh në aeroport.

Mendoj se ka shumë fusha si këto ku unë vërtetë kam për qëllim të riforcoj rolin e EULEX-it. Por sërish, roli i EULEX-it në mbështetje të institucioneve vendore që janë të përkushtuara për këtë.

Mjetet, siç është task forca kundër korrupsionit që është krijuar së bashku me institucionet vendore, këto janë mjetet që në synojmë t’i zhvillojmë, përfshirë edhe fushën e krimit të organizuar.

Kjo, ngaqë unë mendoj se ka nevojë që të punojmë së bashku me institucionet vendore.

BBC: Meqë e përmendët veriun, i cili nuk ka qenë nën kontrollin e autoriteteve vendore dhe as atyre ndërkombëtare, si mendoni se EULEX-i mund të jetë më aktiv atje?

Bout de Marnhac: E dini, EULEX-i nuk është këtu për të zgjidhur çështjet e mëdha politike sa i përket situatës në Kosovë.

Ne jemi atje për të zbatuar mandatin tonë dhe pjesë e kësaj është vendosja, aq sa është e mundur, e rendit dhe ligjit.

Qëllimi im, kur e thashë se dua që të rris praninë e misionit në veri, nuk nënkupton rritjen e numrit të njerëzve që janë të përkushtuar për rendin, por që EULEX-i të jetë më i dukshëm duke iu adresuar më drejtpërdrejt komuniteteve atje.

Kjo sepse unë mendoj se ato që më së shumti vuajnë nga mungesa e rendit dhe ligjit janë komuitetet. Jam i befasuar me atë që kam parë, që kur kam ardhur këtu, se shumica e incidenteve të fundit që kanë ndodhur në veri, kanë të bëjnë me serbët kundër serbëve.

Dhe kjo lë të kuptohet se janë komunitetet vetë viktima të kësaj situate.

Prandaj qëllimi im është që të provoj, aq sa kam mundësi, që sa më shumë njerëz të jetojnë me komunitetet.

Unë e kam publikuar një rregullore të sigurisë me të cilën stafi ynë mund të jetojë me komunitetet, pastaj jam angazhuar me udhëheqësit e komuniteteve për të përfituar miratimin e tyre për lëshimin me qira të shtëpive për stafin tonë psh.

Pra, tani ata janë pjesë e komuniteteve. Unë shpresoj se përmes kësaj, ne do të fitojmë ose rifitojmë besimin.

E di se nuk është e lehtë, e di se kërkon kohë dhe nuk ka për synim që të bëhet brenda një dite, por mendoj se kjo është mënyra më e mirë për të bërë një lloj sigurie në komunitete dhe që gadualisht ne të përfitojmë një lloj ndikimi atje, brenda kufizimeve të mandatit tonë dhe duke marrë parasysh kompleksitetin e situatës.

Pjesa tjetër është natyrisht e një dimensioni politik dhe sikundër e dini unë nuk jam këtu për t’u përfshirë në politikë. Ka organizma të tjerë për ta bërë këtë.

Shpresoj se përmes këtij procesi dhe duke adresuar, siç e thashë, aktivitetet kriminale, krimin e organizuar në të dyja anët e lumit është gjithashtu mënyra për të përfituar më shumë besimin e popullatës.

BBC: Mos po më thoni se EULEX-i nuk do të jetë i përfshirë në bisedimet mes Prishtinës e Beogradit?

Bout de Marnhac: Për momentin nuk është paraparë. Dialogu është një gjë që do të vëzhgohet ose drejtohet nga Brukseli ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

Natyrisht se misioni ka aftësi, nëse ka nevojë dhe nëse kërkohet, që të sjellë një lloj mbështetje për procesin por EULEX-i, siç është, nuk është paraparë të jetë një aktor i drejtpërdrejt në procesin e bisedimeve.

BBC: Dhe sërish do të kthehem në fillim të bisedës. Zoti de Marnhac a do të vazhdojë EULEX-i punën e tij dhe luftën e tij ndaj korrupsionit në nivel të lartë në Kosovë?

Bout de Marnhac: Për t’u përgjigjur në këtë pyetje unë thjeshtë do të them se EULEX-i asnjëherë nuk e ka ndalur punën në këto raste.

Ato po punohen në baza ditore dhe ato vazhdojnë të punohen dhe kur të fitojnë një pjekuri të nevojshme do të sillen para gjyqit.

BBC: Pra duhet pritur ende për rezultate?

Bout de Marnhac: Do të ketë rezultate në të ardhmen.

BBC: E ardhmja nënkupton çka?

Bout de Marnhac: E ardhmja është e ardhme, unë nuk jam gjykatës dhe gjithashtu as edhe prokuror. Do të shfrytëzohet e gjitha koha për të hetuar.

 
 
LOKALE
OSBE nuk vëzhgon zgjedhjet në Kosovë
29 nëntor 2010 | Faqja Kryesore
Thaçi premton standarde evropiane
30 nëntor 2010 | Rajoni
EULEX-i zgjeron luftën ndaj krimit
24 nëntor 2010 | Rajoni
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>