http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E martë, 30 nëntor 2010 - 12:54 CET

Violeta Hyseni
BBC, Mitrovicë

Zgjedhjet e Kosovës - të huaja për serbët


Atmosfera parazgjedhore në të cilën ka hyrë Kosova, nuk ndjehet edhe në veri të Mitrovicës.

Serbët që përbëjnë shumicën e popullsisë në këtë pjesë të vendit, kanë bojkotuar në vazhdimësi zgjedhjet e Kosovës dhe këtë praktikë duket që do ta ndjekin edhe këtë herë.

Ata thonë se nuk do të dalin në zgjedhje që i organizon një shtet, të cilin ata nuk e njohin.

“Unë mendoj se për ne këto zgjedhje janë të paligjshme, sepse shteti i Kosovës nuk është njohur ende ndërsa qeveria jonë i ka sugjeruar në veçanti qytetarët në veri që të mos dalin në këto zgjedhje”, thotë për BBC-në, Milija Sekuloviq, ekonomist në Jugobankë.

“Në veri të Kosovës edhe më tutje funksionon shteti i Serbisë. Ne për këto dhjetë vjet nuk kemi vërejtur kurrfarë pranie të shtetit shqiptar apo ndonjë shteti tjetër”, shton ai.

Që nga përfundimi i luftës më 1999, serbët në veri të vendit kanë jetuar të izoluar nga pjesa tjetër e Kosovës. Prishtina zyrtare nuk ka arritur të shtrijë pushtetin e saj mbi këtë pjesë të territorit, as pas shpalljes së pavarësisë në shkurt të vitit 2008.

Serbët e veriut kanë mbajtur lidhje të forta me Beogradin jo vetëm në aspektin politik por edhe në atë praktik. Ata kanë marrë paga nga buxheti i Serbisë, janë pajisur me dokumente identifikimi serbe, ndërsa të gjitha institucionet kanë funksionuar sipas kushtetutës dhe ligjeve të Serbisë.

Dushan Janiçijeviq është menaxher i kafeterisë Ambienti në veri të Mitrovicës. Gjatë bisedës që zhvilluam me të në këtë lokal, ai i referohej Kosovës si pjesë e Serbisë.

“Ne thjesht konsiderojmë se jemi pjesë e Serbisë dhe do të përpiqemi që gjithnjë të jemi pjesë përbërëse e saj. Kemi një situatë delikate, kur ky i ashtuquajtur shtet i pavarur i Kosovës është pranuar nga shumë vende tjera”.

“Megjithatë ne do të vazhdojmë të luftojmë që edhe më tutje të jemi pjesë përbërëse e Serbisë dhe që institucionet serbe të funksionojnë edhe më tutje këtu”, thotë ky i ri serb.

Dushani shprehet kategorikisht kundër daljes së serbëve në zgjedhjet e Kosovës.

“Sa më përket mua dhe serbëve këtu, mendoj se nuk duhet të dalim në ato zgjedhje, thjesht e kuptoj se dalja në zgjedhje do të thotë në fakt njohje e pavarësisë së Kosovës, ndërsa është e sigurtë që ne atë kurrë nuk do ta njohim, natyrisht as Serbia dhe ky është qëndrim edhe i qeverisë serbe”, thekson ai.

Vendvotime edhe në veri

Pavarësisht refuzimit të serbëve të veriut për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare, autoritetet e Kosovës kanë thënë se me 12 dhjetor kutitë e votimit do të hapen në tërë territorin.

Në veri, disa vendvotime do të hapen në zonat në popullsi të përzier, ndërsa në zonat serbe do të ketë ekipe lëvizëse. Ashtu si edhe në zgjedhjet e kaluara, numri i votuesve serbë pritet të jetë simbolik.

Një qytetar që nuk dëshiroi t’i përmendej emri, tha se do të dilte në zgjedhjet e Kosovës.

“Unë do të dal të votoj. Mendoj që shumica e njerëzve në veri nuk do të dalin të votojnë, por unë personalisht po”, thotë ai, duke shpjeguar arsyet që e shtyjnë atë t’u drejtohet kutive të votimit.

“Sepse në këtë mënyrë do të ndikoj në jetën time. Për mua është shumë e rëndësishme cilët njerëz do të zgjidhen”, deklaroi një banor i veriut të Mitrovicës.

Qëndrimi i Beogradit

Një zyrtar i qeverisë së Serbisë, Oliver Ivanoviq thotë se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e Kosovës nuk paraqet kurrfarë vepre kriminale dhe askush nuk do të ndëshkohet për këtë.

“Dalja në zgjedhje, votimi apo pjesëmarrja në ndonjë listë zgjedhore, nuk paraqet kurrfarë vepre kriminale dhe askush nuk duhet të sanksionohet për këtë. Megjithatë ata nuk do të kenë mundësinë që të mbajnë dy vende pune në të njejtën kohë, sidomos nëse dikush është në institucionet qëndrore të Serbisë, nuk mund të jetë edhe në ato të Kosovës dhe të marrë dy paga”, tha për BBC-në sekretari shtetëror në Ministrinë Serbe për Kosovën.

Oliver Ivanoviq përsëriti qëndrimin e qeverisë serbe se nuk ka kushte për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e përgjithshme të Kosovës, tani kur siç tha ai, është një moment delikat politik.

Përfaqësimi i pakicave në institucionet e Kosovës është i garantuar me Kushtetutë.

Nga 20 vende sa janë të ndara në Parlament për komunitetet pakicë, dhjetë i takojnë serbëve.