http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E martë, 09 nëntor 2010 - 17:53 CET

Shqipëria nuk merr statusin e kandidatit

Komisioni Evropian i është përgjigjur negativisht kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por i ka dhënë statusin e vendit kandidat për anëtarësi Malit të Zi.

Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Stefan Fule, tha në një konferencë për shtyp se Shqipëria duhet të bëjë më shumë për të garantuar stabilitetin e institucioneve, demokracinë dhe funksionimin e shtetin ligjor.

"Negociatat për pranim në Bashkim Evropian duhet të hapen kur vendi të ketë arritur nivelin e duhur të zbatimit të kritereve të anëtarësimit dhe në veçanti, kriteret politike të Kopenhagenit, të cilat kërkojnë stabilitetin e institucioneve dhe garantimin sidomos të demokracisë dhe sundimit të ligjit," tha zoti Fule duke cituar vendimin e marrë nga Komisioni.

"Ne i bëjmë thirrje Shqipërisë," shtoi më tej ai duke cituar sërish vendimin e Komisionit, "që të bëjë më shumë përpjekje për të vazhduar progresin e arritur deri tani".

Thirrje për bashkëpunim

Komisioneri Fule i bëri thirrje politikanëve shqiptarë që të punojnë së bashku për të arritur synimet për integrim.

 Politikanët shqiptarë, nga gjithë spektri politik, pa i diferencuar ata që janë në qeveri dhe ata që janë në opozitë, sepse ndajnë të njëjtën përgjegjësi, duhet të tejkalojnë ngërçin politik me të cilin po përballen në vend.
 
Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Stefan Fule

"Politikanët shqiptarë, nga gjithë spektri politik, pa i diferencuar ata që janë në qeveri dhe ata që janë në opozitë, sepse ndajnë të njëjtën përgjegjësi, duhet të tejkalojnë ngërçin politik me të cilin po përballen në vend," tha ai.

"Tejkalimi i këtij ngërçi politik, adresimi i prioriteteve kryesore dhe po të shtosh këtu faktin që ne gjykojmë secilin vend sipas meritave që ka, them se atëherë mund të pritet vitin e ardhshëm një rekomandim shumë pozitiv nga Komisioni," shtoi zoti Fule.

Shqipëria bëri kërkesën formale për anëtarësim në BE në prill të vitit 2009.

'Ngërç politik'

Raporti i BE-së për Shqipërinë, i cili analizon përmbushjen e kritereve për t'u bërë vend kandidat për anëtarësim, thotë se vendi në përgjithësi ka zbatuar 'pa probleme' detyrimet që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.

Por ai nënvizon se politika ka vënë në rrezik përmbushjen me sukses të tyre në nivelin e kërkuar për një vend që synon statusin e kandidatit.

"Ngërçi politik po dëmton funksionimin e demokracisë në Shqipëri dhe po pengon reformat e rëndësishme, të cilat janë të nevojshme për përparimin e vendit në rrugën drejt integrimit në BE dhe sundimit të ligjit," thuhet në raport.

Disa nga kritikat përfshijnë mosfunksionimin si duhet të parlamentit, korrupsioni mbizotërues në disa fusha si sistemi i drejtësisë, ai i shëndetësisë, i pronësisë dhe financimi i partive politike.